Altin Lala shfajëson trajnerin Kuzhe për humbjet në ndeshjet e fundit, por nga ana tjetër thekson se, nëse ekipi do kishte fituar ndaj Luksemburgut, sot mund të luante ndaj Rumanisë për të marrë vendin e tretë në grup. “Është ndeshja e fundit kualifikuese dhe të gjithë, duke filluar nga trajneri e deri te lojtari më i ri, kanë dëshirë që ta mbyllin sa më mirë. Vijmë pas disa rezultateve të këqija, ndaj do ishte e udhës që ndaj Rumanisë të sillnim sadopak entuziazëm dhe të fitonim më së paku për tifozët shqiptarë. Dihet që në ndeshjet e fundit, kur skuadra del nga objektivat, motivimi është disi më i ulët, por unë ju siguroj që ekipi është galvanizuar në maksimum dhe do kërkojmë me çdo kusht që të fitojmë”, – ka thënë kapiteni Lala. Më tej, i pyetur për lojën e dobët që skuadra ka bërë në ndeshjet e fundit, Lala ka shfajësuar trajnerin. “Nuk la lidhje fare trajneri në këtë rast. Janë lojtarët ata që shkojnë në fushë dhe unë them se ka disa arsye që skuadra pas ndeshjes me Bjellorusinë nuk ka shkuar si duhet. Këtu dua të përmend mungesat e shumta që ka pasur ekipi, si dhe disa dëmtime, të cilat në një farë mënyre kanë kushtëzuar rezultatin e ndeshjes. Mua nuk më pëlqen të bëj shumë analiza të një ndeshjeje apo tjetrës, pasi mundohem që të lë pas të shkuarën, por di t’ju them se skuadra bëri një lojë të mirë ndaj Francës në shtëpi, sidomos pas minutës së 20-të dhe luajti dobët ndaj Luksemburgut. Nëse do kishim marrë një fitore ndaj asaj skuadre, sot do flisnim ndryshme, pasi do kishim 11 pikë dhe nesër (sot) ndaj Rumanisë do tentonim që të fitonim dhe të merrnim vendin e tretë në grup, çka do ishte një objektiv i lakmueshëm”, tha Lala.











