Homoseksualët: Fituam ndaj Tritan Shehut

Oct 28, 2011 | 12:03

Tritan Shehu

Shehu: Ambasada Pink mashtron për qëllime përfitimi

Pretendime të kundërta mbi rekomandimet e komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi. Nga njëra anë, Ambasada PINK/LGTB pretendon se ka fituar çështjen kundër zv.kryetarit të Komisionit Parlamentar të Punës, Tritan Shehu, për deklaratat me tone diskriminuese, sipas tyre. Ndërsa në reagimin e tij, Tritan Shehu tha se është në dijeni të letrës së nisur, pavarësisht se në të nuk ka asnjë qëndrim. Ai pretendon se është fyer nga një OJQ që ngre tymnaja të paqena për përfitime të pastra, duke deformuar realitetin shqiptar nëpërmjet mashtrimit. “Në Komision ka një protokoll dhe është e regjistruar çdo fjalë e imja. Janë të gjitha shpifje që kjo OJQ i bën qëllimisht për të përfituar”, tha Shehu për gazetën. Sipas tij, në letrën e rekomandimeve të komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi nuk thuhet asgjë, nuk ka asnjë qëndrim. “Unë e ftova komisionerin të mbajë një qëndrim, pasi personi i fyer jam unë në këtë rast, por komisioneri nuk e ka bërë një gjë të tillë. Mendoj se ose nuk ka aftësinë për t’u shprehur qartë lidhur me këtë çështje, ose nuk ka guximin. Në atë letër nuk lexohet absolutisht asgjë dhe është detyrë e komisionerit të mbajë një qëndrim dhe t’i bëjë gjërat siç janë”, tha Shehu. Ai theksoi gjithashtu se Ambasada Pink, si OJQ përpiqet të deformojë imazhin e Shqipërisë duke reklamuar një frymë diskriminuese kur ajo nuk ekziston. “Përpos kësaj, unë kam qëndrimin tim lidhur me homoseksualitetin, të cilin gjithashtu jam i lirë ta shpreh njësoj siç ky grup ka liritë e tij. E quaj publikisht devijim nga norma dhe për këtë nuk ka asnjë arsye pse të ndërroj mendim”, tha Shehu. Ai theksoi se nuk ka përdorur në asnjë rast gjuhë diskriminuese ose fyese, siç pretendon Ambasada PINK.
Ndërkohë, të kundërtën pretendon kjo e fundit. “Në dhjetor 2010, Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri dorëzoi një ankesë pranë komisionerit kundër diskriminimit, ku i kërkonte marrjen e masave ndaj z. Tritan Shehu, i cili në një seancë dëgjimore të Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë pranë Parlamentit shqiptar, në Ditën Ndërkombëtare kundër HIV/AIDS, deklaroi se homoseksualiteti është një sëmundje dhe se duhet trajtuar me hormone”, thuhet në njoftimin për media të LGTB. Sipas saj, i njëjti komision nuk e mori në konsideratë kërkesën zyrtare të Ambasadës PINK/LGBT Pro Albania për të organizuar një seancë dëgjimore për njerëzit LGBT që jetojnë me HIV/AIDS, por në të kundërt, organizoi një takim sekret duke mos lajmëruar asnjë nga organizatat që e kërkuan atë. Pas ankesës tonë, komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi mori në konsideratë rastin dhe ndoqi procedurat e nevojshme. Më 30 shtator 2011, zyra e komisionerit i dërgoi një rekomandim z. Shehu duke i kërkuar të evitojë deklaratat me nota diskriminuese në të ardhmen, të cilat ndikojnë në krijimin e një atmosfere të tensionuar dhe jomiqësore me komunitetin LGBT në Shqipëri (në këtë kuadër informojnë z. Shehu se homoseksualiteti është përjashtuar nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë).

Komisioneri
Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi reagon gjithashtu lidhur me letrën e rekomandimit në adresë të Tritan Shehu. “Na ka ardhur një ankesë nga Ambasada Pink, të cilën e morëm në shqyrtim. Procesverbali i Komisionit Parlamentar nuk e përmbante shprehjen të cilën Ambasada Pink pretendon se ka përdorur zoti Shehu. Në mungesë të saj ne vendosëm të dërgonim dy shkresa rekomanduese. Njërën për zotin Tritan Shehu dhe tjetrën për Komisionin Parlamentar në tërësi, duke kërkuar të evitohen situata diskriminuese”, tha komisioneri Irma Baraku.

© Panorama.al

Te lidhura