Disa ditë më parë lexova me vëmendje këndvështrimin e Alfred Cakos te “Panorama” mbi disa ngjarje historike, kryesisht ato të luftës nga prill ’39 – nëntor ‘44. Jam në një mëndje me të për shumë ngjarje e ndodhi, por po shpreh kundërshtimin dhe njëkohësisht dhe këndvështrimin tim, shoqëruar me fakte, dokumente apo përfundime të analizave mbi veprimtarinë dhe rolin e organizatave “Balli Kombëtar” dhe “Lëvizja e Legalitetit” Është e vërtetë se historia, kjo shkencë interpretative e ngjarjeve, ndodhive dhe fakteve, ka qenë viktimë e indoktrinimit, falsifikimit, injorancës, dallkaukllëkut apo pasionit. Mendoj në të njëjtën mënyrë me zotin Cako dhe Kryeministrin, se historia është në bunker dhe duhet nxjerrë prej tij, por të studiohet dhe interpretohet pa emocion me vërtetësi. Por, ne, pasardhës të atyre që sakrifikuan shumë për Shqipërinë, kemi detyrë morale para së gjithash që t’u themi të vërtetën fëmijëve tanë, por edhe shqiptarëve, edhe nëse kjo e vërtetë në disa raste është kundër nesh. Sepse kur njeriu pranon gabimin, e vetmja gjë që mund të shpëtojë është nderi, dhe kjo s’është pak. Është shqetësues për z. Cako fakti pse Kryeministri mban qëndrim të diferencuar ndaj Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Por më duhet të theksoj në krye të herës se kreu i qeverisë tha: “Një pjesë e Ballit Kombëtar bashkëpunoi me pushtuesit”. Para se të shtjelloj pikëpamjen time mbi këtë temë, shpreh dakordësinë për dekorimin dhe ngjitjen në altarin e kombit për luftëtarët nacionalistë ose “diversantët” e famshëm që erdhën me bindje për të sakrifikuar edhe jetën për çlirimin nga diktatura komuniste. Duke e shtyrë më tej arsyetimin, kërkoj publikisht dënimin e kolaboracionistëve. Ata nuk janë vetëm një pakicë në radhët e atyre që u shërbyen pushtuesve fashistë dhe nazistë. Megjithatë, a ka kolaboracionistë dhe antishqiptarë më të mëdhenj se ata që e shitën Shqipërinë prej 29 Nëntorit 1944 për 45 vjet tek armiqtë tanë shekullorë, te jugosllavët apo rusët? Më pas, për interesa pushteti, te kinezët. Historia e pasluftës së Kosovës dëshmon për qëndrimin e këtyre vendeve kundrejt vëllezërve tanë kosovarë dhe shqiptarëve në përgjithësi. Po me ata që i dhuruan kurorën e Mbretërisë shqiptare Viktor Emanuelit, si do të veprojmë…? Me aktin e shpalljes së luftës Italisë fashiste, Mbreti Zog I e rreshtoi Shqipërinë krah aleatëve, pavarësisht se Fuqitë e Mëdha heshtën për këtë pushtim. Po me komunizmin si diktaturën që ushtroi gjenocid mbi një pjesë të shqiptarëve, si do të veprojmë? Po figurën e Enver Hoxhës dhe veprimtarinë e tij antishqiptare, do ta dënojmë?
Nuk jam dakord me tezën se lëvizja me kuintesencë më nacionaliste ishte “Balli Kombëtar”. Kjo organizatë lindi si antitezë politike e Frontit Nacional-Çlirimtar. Në thelb është i njëjti emër, por ai i Ballit është shqip. Faktet e derisotme nuk dëshmojnë se z. Berisha ka treguar afeksion apo vlerësim për ngjarje dhe personazhe thjesht se janë veriorë apo gegë, siç thekson ti. Më lejo të të rikujtoj se përkrah z. Berisha, aso kohe kryetar shteti, në radhët e PD-së janë angazhuar personazhe me mbiemra emblematikë si antizogistë dhe ballistë, si i ndjeri Leka Toto dhe pasardhësit e të ndjerëve dhe të nderuarve Hasan Dosti dhe Safet Butka, pra Tomorr Dosti dhe Uran Butka, ky i fundit dhe kandidat për kryetar të PD. Ndërkohë, nga ne zogistët apo “gegët” nuk ka pasur asnjë njeri në radhët e PD, në Parlament apo diku tjetër, ndërsa Legaliteti kishte kontingjent intelektual të nivelit të lartë, si të ndjerët Ibrahim Sokoli, Ahmet Kolgjini, Lin Martini e shumë të tjerë. Vetë zotit Berisha i është dashur kohë të hulumtojë në labirintet e historisë apo ngjarjeve të keqinterpretuara. Mendoj se ngjarjet e ’97-s i dhanë të kuptojë dhe të njohë më mirë, por, mbi gjithçka, të interpretojë dhe krahasojë ngjarjet. Grushti i shtetit i 1924-s dhe ardhja në pushtet e komunistëve në ’44-n ngjasojnë me ’97-n.
Faktet historike tregojnë se OKLL (Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit), është organizata më nacionaliste. Legaliteti ka histori të lavdishme dhe të kaluar të pakomprometueshme. Ashtu si dhe Balli, ka pasur në gjirin e saj patriotë si Ndoc Çoba, Xhemal Naipi, Abaz Kupi, Sali Myftija etj., intelektualë si Selim Damani, Nuçi Kota, Patër Lek Luli, të rinj intelektualë si Ibrahim Sokoli, dr. Shefqet Ndroqi, Abdulla Berberi, Zini Dervishi etj. Ushtarakë dhe akademistë si Bilal Kola, Jahja Çaçi, Xhemal Laçi, Murat Basha e dhjetëra të tjerë. Patriotë me veprimtari prej brezash të shënuar në interes të kombit, si Sul Kurti, Llan Destani etj., me të cilët nuk mund të krahasohet aventurieri Enver Hoxha. Ngjizja e tyre gjenetike dhe formimi patriotik i lejuan të “bashkëpunonin” me komunistët për çlirimin e atdheut nga okupatori fashist. Në Pezë ishin edhe përfaqësues apo personazhe që formuan më pas Ballin. Kanë qenë prezentë edhe Halim Begeja (i dërguari i Mitat Frashërit, shih Kastriot Dervishin, burime nga AQSH) Ramazan Jarani, Ismail Petrela, Skënder Muço, Muharrem Butka, Naim Starova. Ishte edhe Aziz Çami, një nga atentatorët e Mbretit Zog në Vjenë, por përderisa bëhej fjalë për çlirimin e vendit, kjo çështje në një kohë tjetër shumë sensitive për legalistët, u la mënjanë para interesit kombëtar. Dihen vendimet e Konferencës së Pezës. Luftë kundër okupatorit fashist, pa dallim feje, krahine dhe ideje. Historia prej pavarësisë e më pas flet për përgjegjshmërinë në veprimtarinë e legalistëve në raport me fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Konferenca e Pezës lindi si nevojë për bashkim. Ishte projekt i madh. Janë gjithmonë idetë apo projektet e mëdha që i bashkojnë njerëzit. Përpos faktit thelbësor, siç ishte lufta kundër okupatorit, legalistët nuk kishin pikë kontakti ideologjik me komunistët. OKLL (Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit) u krijua në Zall-Herr më 21 nëntor ‘43. Pavarësisht faktit se ishte organizatë, ndryshe nga partia, ajo në thelb ishte konservatore, pra e djathtë. Abaz Kupi ishte bashkuar me Frontin Antifashist për të luftuar fashizmin, siç pati bërë më 7 prill (ku ishin komunistët dhe të tjerët në atë kohë?) dhe jo për të ndarë pushtet. Lufta në “Veri” nuk nisi si pasojë e prishjes së strukturave shoqërore, por si papajtueshmëri ideologjike. Është i pamohueshëm fakti se Partinë Komuniste e formuan jugosllavët, por jugosllavët, rusët dhe fashistët kishin financuar themeluesit e organizatës “Bashkimi”, të cilët nuk ishin vetëm komunistë, por edhe pro fashistë, si atentatorët e Vjenës Qazim Mulleti dhe Ndok Gjeloshi, të dy në shërbim të fashizmit. Ishin edhe antizogistë apo “republikanë”, kishin financuar disa herë lëvizje për të përmbysur Mbretin Zog dhe pushtetin legjitim, por të gjitha këto minimizoheshin para okupacionit fashist. U burgosën, vranë, u internuan në Ventotene apo gjetkë edhe zogistë.
Balli Kombëtar ishte një organizatë në thelb social-demokrate, duhet theksuar ky fakt për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të ngjarjeve. Ishte edhe organizatë nacionaliste sepse kërkonte Shqipërinë Etnike. Dekalogu flet qartë për këtë fakt, por po dekalogu na dëshmon se: “Mbas lufte do të krijohet një Shqipëri ku të mos këtë të shfrytëzuar dhe shfrytëzues, ku të mos ketë njerëz që jetojnë në shtëpinë të të tjerëve. Thënë më thjesht, të vendoset një lloj barazie. Pabarazia mes njerëzve në liri, është e paevitueshme, nëse mbyt lirinë mund të vendosësh me dhunë gjoja barazinë, por ky është komunizëm. Filozofikisht, dallimin ndërmjet së djathtës dhe së majtës e shoh në ballafaqimin e lirisë me barazinë. Tek e fundit, Balli Kombëtar ishte një parti nacional-socialdemokrate. Eksponentë të ndryshëm kanë theksuar dhe theksojnë se Balli nuk ishte as i majtë, as i djathtë. Po të hedhim vështrimin në historinë e kohës, do të shohim se dy lëvizjet politike të kohës, fashizmi dhe nazizmi, ashtu si dhe komunizmi, janë lëvizje të majta. Le t’i referohemi historisë. Musolini, djali i një farkëtari dhe një mësueseje, erdhi në krye të lëvizjes fashiste, krijuar më 19 mars 1919 në Milano me bagazhet ideologjike të së majtës. Programi i tij politik flet qartë për një rrugë të tretë ndërmjet kapitalizmit liberal dhe komunizmit marksist. Sipas filozofit dhe pedagogut të rrymës neoidealiste, Giovani Gentile, Musolini inspirohej nga një frymë postjakobiniste. E njëjta gjë mund të thuhet për Hitlerin, djalin e një oficeri dogane dhe Klarës, gruas së tij të tretë. Partia e tij nacional-socialiste, krijuar më 1918-n (fillimisht si komiteti i lirë i punëtorëve për paqe gjermane), në të cilën ai aderoi më 12 dhjetor 1919 me teserën nr. 555, ishte e orientuar në komponentët ideologjikë me stampë kolektiviste, në kundërshtim me kapitalizmin liberal dhe komunizmin marksist. Nazizmi, si dhe fashizmi, në thelb kishte urrejtjen racore, etnike, fetare. Nuk i bëj këto parashtrime historike për të bërë një paralelizëm në mes Ballit dhe fashizmit apo nazizmit, por nën parullat ideologjike, apo dhe idesë së krijimit të Shqipërisë Etnike, disa persona të veçantë nga Balli bashkëpunuan me pushtuesit.
Pavarësisht nga ideologjia, Balli ka heronjtë e vet, në luftë kundër pushtuesve, por kryesisht në luftë me komunistët, të cilët kanë kryer masakra të përbindshme. Hysni Lepenica, heroi i Gërhotit, së bashku me Jan Filipin, u futën në radhët e Ballit pas largimit nga grupi komunist “Zjarri” (shih AQSH). Po ashtu, Xhelal Staravecka u largua nga komunistët për t’u bashkuar me Ballin pas Mukjes. E, meqenëse jemi te Mukja, kujtoj që kjo mbledhje u zhvillua në një zonë të influencës zogiste. Mukja solli ndarjen përfundimtare ndërmjet nacionalistëve e komunistëve dhe krijimin e OKLL – Legalitetit. Në Mukje, me firmosjen e Marrëveshjes, fituan nacionalistët. Fillimi i hapur i luftës civile nisur nga komunistët, për të eliminuar vëllavrasjen, detyroi Ballin dhe Legalitetin, tashmë të bashkuar, të reagojnë duke u grupuar në Veri. Mbledhja e Lurës flet qartë për këtë fakt, por ishte vonë. Jalta kishte vendosur gjithçka.
E, megjithatë, heronjtë, martirët dhe liderët historikë të Ballit Kombëtar meritojnë të nderohen. Shqipëria e ndërtuar me idetë e Ballit do të ishte si nata me ditën në raport me atë që ndërtuan komunistët, edhe pse kam besuar se institucioni i Mbretit do të ishte më i përshtatshëm për Shqipërinë. Nuk më ndan me askënd tendenca social-demokrate e Dekalogut, nuk jam i djathtë në shërbim të së djathtës, por jam me të djathtën në shërbim të Shqipërisë. Nuk i shërbejmë kombit duke përjashtuar njëri–tjetrin, por duke e pranuar siç jemi, sepse ato që na bashkojnë janë më të shumta dhe më të rëndësishme se ato që na ndajnë. Kemi të përbashkët kombin, atdheun, idealet e mëdha. Kemi të përbashkëta vuajtjet. Kemi varret. Ëndrrat e vrara. Jemi lidhur, masakruar, pushkatuar, burgosur, internuar dhe persekutuar bashkë. Nuk besoj se republikanizmi të “ndalon” që Ahmet Zogun ta përmendësh me emër dhe jo si “Mbret i Shqiptarëve”, titull domethënës. Po. Mitat Frashëri e meriton një bust në qendër të Tiranës, para të cilit të përulemi me nderim, po ashtu edhe disa bashkëluftëtarë të tij. Luftëtarët e lirisë e meritojnë një memorial. Mbi të gjithë, meriton një përmendore arkitekti i shtetit të parë modern shqiptar, Naltmadhnia tij, Zogu i Mbret i Shqiptarëve. Nuk po ndalem mbi veprimtarinë e tij sepse faktet flasin vetë. Besoj mbas këtyre veprimeve dhe dënimit të krimeve të komunizmit ne do të ndjehemi më të bashkuar dhe do të jemi shpresëplotë se një ditë do të shohim të jetësuar ëndrrën e një Shqipërie europiane e më pas bashkimin kombëtar nën motot “Shqipëri e shqiptarëve” dhe “Atdheu mbi të gjitha”. Është barrë e rëndë për t’u mbajtur tradita, aq më tepër kur të përndjek “pa mëshirë” shikimi dhe gjykimi i historisë.
© Panorama.al












