Thuaj një gënjeshtër të madhe, vazhdo përsërite atë, e më në fund njerëzit do të të besojnë”. Kjo është shprehja e famshme e “propagandës së zezë” që i atribuohet ministrit nazist të propagandës, Jozef Gebels. Kështu edhe retorika se “Tirana nga një fshat i madh u kthye në kryeqytet brenda dhjetë vitesh” është bërë një “gënjeshtër e madhe që po përsëritet prej vitesh”, tashmë edhe në faqet e gazetave, sigurisht jo nga Dr. Paul Jozef Gebels, por nga ca “doktorantë shqiptarë”, të cilët, me gjithë patosin e tyre, fatmirësisht nuk e kanë arritur ende “mjeshtërinë” e Gebelsit!…
Marr shkas për këtë opinion nga artikulli me titull “Tirana kryeqytet në 1920 apo në 1931”, botuar pak ditë më parë në një nga të përditshmet e njohura të kryeqytetit, ku autorja i mëshon idesë se Tirana, para shpalljes së saj kryeqytet, nuk ishte veçse një fshat i madh, i cili u kthye në kryeqytet brenda një dekade nga italianët! Për të ilustruar këtë “bindje të saj” ajo përdor thëniet e “kronistit” Francesko Jakomoni, sipas të cilit, “… Tirana në vitin 1926 ishte kryeqytet me fjalë, një fshat me ndoshta 5 mijë frymë”…. Ndërsa në vitin 1936, kur Mbreti Zog dekoron me medaljen e artë arkitektin italian Di Fausto, Jakomoni shkruan se “fshati i dikurshëm, falë kontributit tonë (pra: të Italisë musoliniane), ishte zhdukur. Tirana ishte me të vërtetë një kryeqytet praktik me fakte ku jetonin 30 mijë banorë….). Gjithsesi, autorja e artikullit nuk përmend faktin se vizita e Jakomonit në Tiranë, si diplomat i Musolinit, në prill 1926, kishte për qëllim përgatitjen e nënshkrimit të Traktatit të miqësisë midis Italisë fashiste dhe Shqipërisë, ose për ta perifrazuar sipas thënies së tij, “midis Romës dhe kryeqytetit-fshat me ndoshta 5 mijë banorë” të shqiptarëve, Tiranës…. Por, edhe këtu kemi një “kapërcim të shpejtë” logjik në argumentimin e “historianes” në fjalë. Nëse Tirana nuk ishte kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1926 (siç autorja sugjeron), atëherë përse Jakomoni duhet të vinte pikërisht në Tiranë për përgatitjen e nënshkrimit të kësaj “marrëveshjeje mirëkuptimi”? Në fakt, ajo që thuhet në librat e historianëve shqiptarë e që u mësohet nxënësve e studentëve tanë në shkolla, është se Tirana, edhe “de juro”, u shpall kryeqytet i Shqipërisë nga Asambleja Kushtetuese e vitit 1925, dhe jo më 1931-shin (shiko: Kristo Frashëri: “Historia e Tiranës” f.417). Gjithsesi, kjo përbën subjektin e një debati akademik që nuk mund të shtjellohet në një artikull apo opinion gazetaresk.
Por, ajo që më bën përshtypje më tepër, është fakti se Francesko Jakomoni citohet në këtë rast si burimi i vetëm i huaj për të përshkruar Tiranën e gjysmës së parë të shekullit XX, ndërkohë që ka shumë kronistë të huaj, të cilët e kanë vizituar Shqipërinë midis shekujve XIX-XX, si antropologia britanike Edith Durham (nga 1900-1908), apo diplomati austriak Johan Georg Von Hahn (1850) etj., të cilët e paraqesin atë si një nga qytetet më të mëdha e të zhvilluara të Shqipërisë së epërme (sigurisht në kontekstin e nocionit zhvillimor të Shqipërisë në atë kohë) dhe asnjëri prej tyre nuk e përngjason Tiranën me “një fshat të madh”.
Ndërkohë, në vitin 1917, vetëm tre vjet para hyrjes së qeverisë së Kongresit të Lushnjës në Tiranë në shkurt 1920, sipas regjistrimit të popullsisë, të bërë nga administrata austro-hungareze, e cila kontrollonte në këtë kohë një pjesë të madhe të territorit shqiptar, Tirana regjistrohet si prefekturë më vete dhe qyteti i Tiranës, me 1848 shtëpi dhe 10 251 banorë, është i dyti për nga popullsia në Shqipërinë e Epërme pas qytetit të Shkodrës, me rreth 23 000 banorë, duke lënë pas Elbasanin (me 10 102 banorë) dhe ia kalonte disa herë për nga numri i popullsisë Durrësit, me 4175 banorë, apo Krujës, me 3861 banorë, të cilat ishin historikisht qytetet më të mëdha të kësaj treve. Këto statistika janë marrë në një kohë kur popullsia e qytetit kishte shënuar një lloj tkurrjeje përgjatë periudhës së fillim-pavarësisë dhe Luftës së Parë Botërore; përndryshe, statistikat e mëparshme, midis viteve 1890-1905, flasin për një popullsi të Tiranës që varion nga 17 000 banorë (S. Frashëri: 1892; E. Barbarich 1905 etj.) deri në 25 000 banorë (A. Degrand 1901); ndërsa sipas vetë regjistrit vjetor turk (salname) të vitit 1911, qyteti i Tiranës numëronte 15 000 banorë. S. Frashëri thekson gjithashtu se nënprefektura e Tiranës numëronte në atë kohë 40 000 frymë (dhe kjo popullsi ishte, sigurisht, baza e rritjes demografike të qytetit). (Të dhënat janë marrë nga: K. Frashëri, “Historia e Tiranës”, vëll. 1, f.291).
Gjithashtu, Tirana, që në fundshekullin XVIII dhe fillim shekullin XIX kishte marrë tashmë fizionominë mbi të cilën do të ngrihej më vonë kryeqyteti i Shqipërisë. Që në këtë kohë ishin krijuar të gjitha akset rrugore që vijonin nga qendra drejt qyteteve kryesore të vendit; si Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, Rruga e Dibrës, Rruga e Shkodrës (sot rruga “Mine Peza”), Rruga e Elbasanit, Rruga e Shën Gjergjit (sot rruga “Ali Demi”), Rruga e Bamit (që edhe sot njihet si “Varri i Bamit”), Rruga e Pishës, Rruga e Çarshisë (sot Rruga e Barrikadave) etj. Shumica e këtyre rrugëve njihen edhe sot nga qytetarët e Tiranës me po të njëjtat emërtime, pavarësisht emrave të ndryshëm që ato kanë marrë në vite. Të njëjtat linja të shtrirjes urbane u konservuan më pas edhe nga arkitektët italianë që hartuan planet e para rregulluese të kryeqytetit shqiptar.
E bëra këtë retrospektivë të shkurtër (dhe të cunguar) për të treguar se që në shekullin XIX Tirana ishte një nga qytetet më të mëdha të vendit; kjo pikërisht, sipas të dhënave të kronistëve të huaj, midis të cilëve edhe një institut gjeografik italian (Nozioni Geografiche sull-Allbania, f.27). Sërish, asnjë nga këto burime nuk e cilëson Tiranën si një “fshat të madh”, por si një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Kjo ishte Tirana që njihej disa dhjetëra vjet para shpalljes së saj kryeqytet.
Atëherë i rikthehem pyetjes: Përse midis të gjitha këtyre burimeve duhet të përdoret si referencë pikërisht “hamendësimi” i Francesko Jakomonit se “Tirana ishte një fshat i madh me ndoshta 5000 banorë”? Por kush është, në fakt, Francesko Jakomoni? Sigurisht, nuk pretendoj që brenda një artikulli gazete të hedh dritë të plotë mbi figurën e Jakomonit, mëkëmbësit të “Perandorit të Romës, Etiopisë dhe Shqipërisë”, siç vetëshpallej asokohe Mbreti i Italisë, Viktor Emanueli, apo thënë më qartë, figurën e hierarkut të lartë fashist të Duçes, hijes së kolonializmit fashist në Shqipëri, themeluesit të “Partisë Fashiste Shqiptare”, Fashistit që qëndronte në krye të listës së kriminelëve të luftës, ekstradimi i të cilëve u kërkua nga shteti shqiptar që në shkurt 1945, vetëm tre muaj pas çlirimit, firmosësit të operacioneve e reprezaljeve ushtarake kundër popullit shqiptar. Lista e këtyre epiteteve është shumë e gjatë, por mjafton të përmendim faktin se F. Jakomoni, për veprimtarinë e tij gjatë periudhës së fashizmit, u gjykua së bashku me hierarkët e tjerë fashistë dhe u dënua nga Gjykata e Lartë e Italisë me 24 vjet burgim.
Jakomoni, si diplomat, me gjithë formimin dhe karrierën e tij të njohur, ishte mishërim i grahmave të fundit të epokës kolonialiste, ku kolonizatori ishte “një qenie superiore”, i cili “përhapte në çdo vend që pushtonte zhvillimin dhe progresin”, ndërsa vendet e kolonizuara e “vasale”, nga ana tjetër, ishin “njerëz të egër e primitivë” që duhet të nxirreshin nga injoranca historike-shekullore për t’iu bashkuar familjes së kombeve të qytetëruara”; kjo ishte ajo që Jakomoni përfaqësonte në Shqipëri, dhe mendimi i tij për Shqipërinë dhe Shqiptarët në përgjithësi nuk mund të ishte i ndryshëm. Opinioni që ai jep për Tiranën si kryeqytet i Shqipërisë është, në fakt, syri me të cilin ai e shikonte të gjithë Shqipërinë!
Sigurisht, jetojmë në një epokë të lirisë së shtypit e të fjalës, kur Francesko Jakomonit, këtij simboli të imperializmit fashist që shqiptarët i shikonte si të një racë inferiore, tashmë në Shqipëri jo vetëm që mund t’i botohen kujtimet në vëllime prej qindra faqesh, por edhe të cilësohet si një nga “kronistët më të besueshëm të kohës” e të përdoret si burim referencial për të përcaktuar “statusin e Tiranës” në kohën e pushtimit fashist.
Zonja autore e këtij shkrimi, e cila para emrit të saj vë titullin e doktorantit që ajo mban, duhet të ketë parasysh se përveç Jakomonit, ka edhe shumë personalitete të tjera, kronistë të huaj e vendas, të cilët kanë shkruar rreth Tiranës përgjatë disa shekujve; disa prej tyre i përmenda më sipër.
Por sidomos duhet të mbajë parasysh, ajo dhe “historianë” të tjerë si ajo, se Tirana në këtë periudhë kishte të dhëna pak a shumë të sakta që flasin për një popullsi disa herë më të madhe se ajo e “fshatit” të Jakomonit; ajo kishte disa qindra dyqane e objekte tregtare, si dhe ndërtesa të përshtatshme për vendosjen e administratës shtetërore shqiptare (sigurisht, parë në kontekstin zhvillimor të kohës). Kështu, misionari protestant amerikan, Çarls T. Erikson, i cili ka vizituar Shqipërinë pak para pavarësisë e në vazhdim, me gjithë përshkrimin mjaft të zymtë që i bën realitetit ekonomiko-shoqëror shqiptar të kësaj kohe, pohon se gjatë qëndrimit në Tiranë ka jetuar në shtëpinë më të mirë që kishte pasur ndonjëherë në Shqipëri, banesë të cilën e përshkruan me detaje.
Tirana më 1926-n jo vetëm që nuk kishte “NDOSHTA! 5000 frymë” por ishte një nga qytetet më të mëdha të vendit. Ndërsa e dhëna historike se qeveria e Kongresit të Lushnjës në shkurt 1920 ishte nisur fillimisht drejt Durrësit (e dhënë, me të cilën autorja aludon se Tirana ishte një zgjedhje e “detyruar” në pamundësi për të hyrë në Durrës…), lidhet kryesisht me faktin që Durrësi, edhe pse me një popullsi disa herë më të vogël se ajo e Tiranës, ishte porti më i madh i vendit, gjë që garantonte një siguri më të madhe për qeverisjet proteksioniste të Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore, duke filluar që nga Princ Vidi, 1914, e deri tek italianët, më 1919-n; në kushtet e një paqëndrueshmërie politike totale, vendosja e selive qeveritare në qytetin port të Durrësit e kishte bërë këtë të fundit të njihej ndërkombëtarisht si kryeqytet i shqiptarëve. Për këto arsye, Qeveria e Lushnjës, duke u vendosur atje, do të dëshmonte një vazhdimësi të qeverisjes edhe në plan ndërkombëtar, mundësi të cilën (siç citon vetë autorja) nuk ia lejuan okupatorët italianë.
Në këtë pikë më lejoni t’ju kujtoj diçka: koha e propagandës së zezë të Dr. Gebelsit, kur sajesat dhe trillimet mund të servireshin si fakte, ka kaluar dhjetëra vite më parë. Sot propaganda ka marrë trajta të tjera, nga të cilat më e rëndomta është përzgjedhja e atyre burimeve referenciale apo fakteve që përputhen me qëllimin e atyre që i përdorin. Kjo është një betejë për të vërtetën ku duket se arma kryesore është bërë masmedia. Tashmë “historianë” hamendësish si autorja në fjalë, të armatosur me “shqytin e doktoraturës” dhe “faqet e gazetave”, janë lëshuar në “fushë-betejën” e përdhosjes së atyre vlerave që paraardhësit tanë i kanë ruajtur dhe pasuruar me një kosto shumë të shtrenjtë gjaku dhe përpjekjesh.
E gjithë kjo “mesele”: më kujton filmin e famshëm komik italian “La Marcha Su Roma” (1962) të Dino Risit, me aktorët e mëdhenj italianë Ugo Tonjaci dhe Vittorio Gasman, ku ky i fundit luan rolin e një ish-ushtari të Luftës së Parë Botërore, i cili, shtyrë nga varfëria e skajshme e provincës ku jetonte, sajon disa medalje false në kërkim të një pune apo përkrahje nga shteti italian. Të gjithë e refuzojnë, derisa has një ish-kapitenin e tij të përfshirë në lëvizjen fashiste, i cili, pasi i jep një shuplakë në fytyrë për këto “medalje false”, i propozon që të bashkohet me partinë e Musolinit, ofertë të cilën ai e pranon pa mëdyshje. Më pas ky adept i ri tërheq pas vetes edhe një ish-shok të tij, fshatar i varfër (Ugo Tonjaci). Edhe pse refuzohen e madje ndiqen me gurë nga vetë bashkëfshatarët e tyre, të dy “adeptët” e rinj të Musolinit u bashkohen turmave të këmishëzinjve që u dyndën nga të gjitha skajet e Italisë për në Romë, në të ashtuquajturin “Marshim mbi Romë” të tetorit 1922, që shënoi edhe “triumfin e fashizmit të Duçes” (fundin e të cilit e njohim mirë, sikurse njohim dhe pasojat që ai solli si për vetë italianët, ashtu dhe për popujt e pushtuar apo të “kolonizuar”).
Nëse dikujt nuk i pëlqen të lexojë historinë apo nuk ka kohë të qëmtojë në letrat e historianëve, le të shikojë këtë film në kohën e tij të lirë…
Kjo zonjë doktorante që “nuk arrin të deshifrojë” mesazhin e Kryeministrit të sotëm shqiptar kur ky i fundit bën një vlerësim politik të zhvillimit historik të Tiranës në 92-vjetorin e kryeqytetit (tek e fundit Kryeministri është një politikan), na shfaqet nga ana tjetër “e bindur” në faktet historike që na përcjellin “hamendësitë e Jakomonit”, kur ky i fundit i thur lavde “bekimit fashist” për Shqipërinë.
Zoti na ruajttë nga “historianët” gazetareskë “të hamendësive”, që në emër të “fjalës së lirë”, u bien trumbetave të një “marshimi mbi Tiranën”. Jakomoni, po të ishte gjallë, ndoshta do t’i kishte shumë për zemër këta “historianë” që edhe sot, plot 39 vjet pas vdekjes së tij në shkurt 1973, vazhdojnë ta citojnë atë si “burimin më të besueshëm referencial të kohës”.
A është kjo një nostalgji për epokën “musoliniane”? Një nostalgji për aneksimin tokësor dhe asimilimin kulturor që regjimi fashist i Musolinit deshi t’u bënte shqiptarëve përgjatë viteve 30-40 të shekullit të kaluar; kur flamurit shqiptar, krahas shqipes dykrenore iu shtuan sëpatat e liktorit? Apo mos është fillimi i një epoke të ringjalljes së “propagandës së zezë”?… Sido që të jetë, nuk duhet të lejojmë kurrë që kjo të prekë krenarinë e zhvillimit tonë urban e civil, që pa dyshim është kryeqyteti ynë, Tirana. Ideja e mbrapshtë se “Tirana e fillimshekullit XX ishte një fshat i madh”, përveç se një gënjeshtër e madhe, nuk i bën dobi asnjë shqiptari; as tiranasve autoktonë, as atyre dhjetëra e mijërave qytetarëve të Tiranës, të ardhur nga Jugu e Veriu, që prej disa brezash jetojnë në këtë qytet, as edhe atyre qindra e mijëra banorëve të Tiranës që gjatë 20 vjetëve të fundit janë bërë “de fakto” dhe “de juro” qytetarë të Tiranës, por që shumë shpejt ata dhe pasardhësit e tyre duhet dhe do të jenë edhe kulturalisht kryeqytetarë të këtij vendi!
© Panorama.al












