
Bashkia e Tiranës ka gati 200 dosjet e para për hipotekat e banesave që do të marrin qytetarët. Dokumentacioni ka përfunduar dhe pritet t’i niset këto ditë Ministrisë së Drejtësisë. Më herët nga sa kishte premtuar, Bashkia e Tiranës zhbllokon procesin e shpërndarjes së certifikatave të pronësisë. Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se do të vijojë procesi i shqyrtimit të dokumentacionit në mënyrë që të gjithë qytetarët të pajisen me titullin e pronësisë. Kryebashkiaku Lulzim Basha kishte vënë afat dy javët e para të nëntorit për konkretizimin e nismës së ndërmarrë, që do të përfshijë një listë të gjatë familjesh në Tiranë, të cilat presin të ligjërojnë banesat e tyre. Kjo masë vjen pas memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar rreth një muaj më parë mes Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Punëve Publike dhe asaj të Drejtësisë. Sipas kësaj marrëveshjeje, certifikata e pronësisë do t’u dërgohet me postë të gjithë qytetarëve të Tiranës. Këtë e përcakton marrëveshja e nënshkruar dje. Janë rreth 450 pallate të pahipotekuara dhe mbi 5 mijë e 700 shtesa pa leje në pallate. Memorandumi i bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve Publike pritet t’i hapë rrugën certifikimit të pronës të këtyre objekteve. Dokumenti përcakton detajet dhe rrugën për të legalizuar këto pasuri të paluajtshme. Bashkia e Tiranës do të evidentojë kërkesat dhe objektet që u mungon leja e shfrytëzimit. Lista e këtyre objekteve do t‘i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë, e cila, nëpërmjet Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, do të identifikojë të gjithë problematikën e kërkesave që kanë ngelur pezull.
Kontrolli për ushqimet, Basha marrëveshje me Rulin
Tregjet në Tiranë dhe siguria e ushqimeve do të jenë në fokus të kontrolleve që inspektorët e Bashkisë, së bashku me ata të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, do të kryejnë në ditët e ardhshme. Në këtë mënyrë, konsumatorit do t’i ofrohet siguri për produktet që konsumon. Ky ka qenë dhe qëllimi i nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. “Së pari, në një kontroll sistematik të shtrirë në gjithë territorin e bashkisë. Së dyti, në një veprimtari, e cila bën të mundur thithjen e mendimit qytetar, dëgjimin e ankesave që kanë dhe jo vetëm regjistrimin e tyre, por dhe veprimin ndaj secilës prej këtyre ankesave që ata paraqesin”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të mundësojë trajnimin tekniko-profesional të inspektorëve për monitorimin dhe respektimin e normave higjieno-sanitare nga subjektet që merren me tregtinë e mallrave ushqimore. Tashmë nga Bashkia e Tiranës është ngritur dhe Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit. “Kjo strukturë që ka shfrytëzuar atë që ligji me kohë ia jepte si autoritet dhe mundësi pushtetit vendor për ta ushtruar në funksion të qytetarit të tij, sot konkretizohet në një strukturë institucionale, e cila bashkëvepron dhe me strukturat e pushtetit vendor”, tha Genc Ruli, ministër i Bujqësisë.
ZIRINA LLAMBRO











