Ditët e fundit, Himara, njëra nga qendrat e banuara më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, ishte mbushur me parulla kundër komunitetit çam dhe që e shpallnin këtë tokë kreshnike të kombit shqiptar si “pjesë e Greqisë”. Si kryetar i PDIU, nuk do të merresha me këto inskenime elektorale, nëse ato nuk do parapriheshin nga një takim midis autoriteteve tona dhe atyre greke, ku pala greke kishte shprehur shqetësim për “festimin nga ana e këtij komuniteti të gjenocidit grek në Igumenicë”. Këto dy ngjarje kanë të përbashkët ndjenjën e kriminalizimit të një komuniteti të tërë si komuniteti çam. Ngjarja e Himarës synon ndërkaq krijimin e një klime tensioni në Shqipëri, nxitjen e urrejtjes midis krahinave të ndryshme etj.
Po i marr me radhë dy ngjarjet.
Parullat e Himarës, të frymëzuara nga qarqe ekstremiste të politikës greke, që në Shqipëri kanë përfaqësues Bollanon, na thonë shumë sesa duhet të bëjë shoqëria greke për t’u çliruar nga djajtë e së shkuarës. Pse e vë gishtin tek ekstremistët grekë? Pse ne e dimë se himariotët e vërtetë nuk urrejnë askënd, aq më shumë një popullsi martire si popullsia çame. Ne e dimë se Himara, vend që ka prodhuar figura të shquara të historisë sonë kombëtare dhe asaj të Greqisë, të revolucionit grek etj, Himara me standarde të larta intelektuale, prej disa vitesh është shndërruar në një terren eksperimental të qarqeve ekstremiste greke. Përveç lëmoshave të pensioneve të gjyshërve të tyre, nëpërmjet individëve të paguar, të drejtuar nga një personazh tragjikomik si renegati Vasil Bollano, këto qarqe duan të provokojnë ndjenjat e shqiptarëve dhe në veçanti të popullsisë çame. Ky njeri që ka bërë shumë abuzime me pronat e himariotëve, që e ka lënë të pazhvilluar qytetin e vet, që do ta shkëpusë nga territori shqiptar, e ndien se ora e llogarisë para zgjedhësve, bashkëqytetarëve të vet, për abuzimet e tij po vjen, ndaj po luan kartën e gjoja nacionalizmit grek. Në këtë lojë ai është dhe burracak, pasi i përfshirë në fushatë, nuk preferon të luajë vetë me këtë kartë. Atij i duhen dhe votat e atyre që ndihen shqiptarë, ndaj aktivizon “zogjtë e natës”, njerëz të paguar, që artikulojnë kaq shëmtuar mesazhet e egra të qarqeve nacionaliste të vendit fqinj. Ne besojmë se këto qëndrime të egra kundër komunitetit çam, shkruar në greqisht në Himarë, nuk janë të himariotëve, por dhe as nuk shprehin mendimet e të gjithë shoqërisë greke, sepse nuk pranojmë kështu që vendi fqinj, me histori të madhe qytetërimi është rob i mentaliteteve përjashtuese të së shkuarës. Këto mentalitete kanë prodhuar veprime gjenocidale, që e kanë regjistruar Greqinë në historinë e përbotshme si vendi që i ka spastruar me gjak të gjithë minoritetet nga territori i vet.
Ne i bëjmë thirrje partive politike të pranishme në Himarë, të distancohen nga akte të tilla, nga mesazhe si këto që duan të nxisin urrejtje dhe të provokojnë ndjeshmërinë e komunitetit tonë. Ne s’biem pre e provokimeve të ulëta si këto. Ky është qëllimi i lojës së atyre që i kanë nxitur mjeranët e natës të shkruajnë parulla. Ne duam që zgjedhjet në Himarë të zhvillohen të qeta, si kudo në Shqipëri, të fitojë më i miri, dhe jo ai që i fshehur pas sloganeve nacionaliste greke, po abuzon me pronat e himariotëve.
Ne i bëjmë thirrje partive më të mëdha të zvogëlojnë retorikën kundërvënëse në Himarë dhe pse jo, të shkojnë tek një kandidat i përbashkët. Në Himarë, duhet të fitojë ai që mban flamurin kombëtar, i cili duhet të ngrihet mbi flamujt e partive.
Ne vlerësojmë shumë angazhimin e qeverisë qendrore, e cila, megjithëse me vonesë, ka ndërtuar një rrugë e cila i jep zhvillim gjithë Bregut, nëpërmjet turizmit. Turizmi do t’i japë mirëqenie himariotëve dhe gjithë zonës së Bregut, do të rrisë komunikimin e kësaj zone me shqiptarët e Veriut, të Kosovës, të Maqedonisë, duke zvogëluar terrenin për ideatorët e tensionit në Himarë, të cilët rrinë prapa Bollanos. Kështu, të gjithë shqiptarët do ndihen shqiptarë dhe s’kanë nevojë të ndihen grekë.
Takimi i Janinës
Dhe diçka në lidhje me takimin sekret midis autoriteteve tona policore dhe atyre greke, që ne e mësuam nga mediat. Për sa kohë ky takim nuk është përgënjeshtruar zyrtarisht, duhet të supozojmë se ai ka ndodhur dhe çfarë kanë raportuar mediat është e vërtetë.
Ne nuk shohim ndonjë problem në këtë takim, apo në idenë e takimeve, edhe jashtë vëmendjes së mediave. Ajo që na bën përshtypje nga deklarimet greke në këtë takim, është ai që lidhet me çamët. Sipas medias, një zyrtar i lartë grek paska thënë se “I ashtuquajturi festim i gjenocidit çam në Igumenicë është provokues”. Në lidhje me këtë deklarim, ne si PDIU duam të sqarojmë se ky është një manipulim i madh me një mesazh që kemi dhënë ne jo vetëm gjatë fushatës, por dhe më parë se “një grup pleqsh, të rinjsh, do të vizitojnë Igumenicën në përvjetorin e gjenocidit grek”. Kjo vizitë për të cilën ne kemi folur, nuk është festim. Ne s’kemi çfarë të festojmë, festën e kanë bërë kriminelët që pastruan etnikisht territorin ku shqiptarët kanë qenë banues autoktonë.
Iniciativa jonë është thellësisht njerëzore, jo-politike, me natyrë përkujtimore, dhe ne s’dimë ndonjë provokim që mund të vijë prej përkujtimit të të vdekurve, gra, pleq e fëmijë që humbën jetën prej gjenocidit të trupave paramilitare greke. Me moslejimin e këtij përkujtimi, autoritetet zyrtare greke do ta shpallnin këtë gjenocid jo si vepër e këtyre grupeve, por si qëndrim të gjithë shoqërisë dhe shtetit grek. Ne s’duam ta besojmë këtë.
Ne duam thjesht t’i japim mundësi disa pleqve, burra dhe gra që i kanë mbijetuar gjenocidit të shohin vendin e të parëve që e lanë nën kërcënimin e humbjes së jetës. Ne duam që ata të nderojnë të rënët, shumë prej të cilëve nuk patën lavdinë e të pasurit një varr si ushtarët grekë të rënë në Shqipëri. Me këtë vepër ata s’provokojnë asnjeri. Ata thjesht duan të shfrytëzojnë avantazhet e qarkullimit të lirë të njerëzve, një vlerë europiane e fituar tashmë dhe prej shqiptarëve.
Qarqet nacionaliste greke në pushtet duhet të qartësojnë nëse u referohen vlerave njerëzore europiane, apo parimeve që udhëhoqën veprimet gjenocidale të kriminelëve të komanduar nga Zerva, dhe që nuk spastruan vetëm shqiptarët, por dhe hebrenjtë dhe sllavo-maqedonasit e Greqisë.
Dhe një çështje tjetër. Greqia zyrtare s’ka asnjë të drejtë t’u bëjë presion autoriteteve zyrtare shqiptare të drejtësisë mbi çështje të caktuara, si ajo e shtetasit shqiptar Aristotel Guma, siç njoftuan mediat prej këtij takimi. Shqipëria s’ka guxuar të ngrejë zërin për asnjë çështje në morinë e qindra vrasjeve me sfond etnik të kryer në Greqi ndaj shtetasve të saj. Aq më shumë Greqia s’ka të drejtë të fusë hundët në veprimet hetimore që lidhen me vrasjen e një shtetasi shqiptar, me kombësi shqiptare, pavarësisht procesit të tentuar të blerjeve masive të kombësive në Shqipëri.












