“Hidrovorët “punojnë” si inceneratorët” – Meta reagon nga qelia për përmbytjet: Rama ia vuri fajin qametit dhe popullit për qeset plastike, po mbron korrupsionin e tij

Jan 10, 2026 | 14:43

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia për situatën e përmbytjeve në vend. Në një reagim në rrjete sociale, ai ironizon edhe kryeministrin Edi Rama për deklaratat e tij lidhur me përmbytjet.

ilir-meta
Meta, shprehet se, Rama, të cilit i referohet si “kreu i organizatës kriminale” u kujtua të mblidhet Komitetin e Emergjencave Civile ditë pas përmbytjeve, dhe se me atë që deklaroi “mori në mbrojtje korrupsionin e tij”.

Kreu i PL-së shton se kryeministri u tregua i pacipë, teksa tha se ai ia vuri fajin për përmbytjet “qametit dhe qytetarëve”, dhe se administrata e tij nuk ka asnjë faj.

“Edi Rama, në vend që të marrë masa në verë për të parandaluar përmbytjet në dimër, apo të përgatitet në dimër për të parandaluar zjarret në verë, ka vendosur të mbrojë pa i’u dridhur qerpiku korrupsionin e tij edhe me hidrovorët.”, shkruan Meta.

Më tutje, ai ironizoi teksa tha se hidrovorët “punojnë” aq mirë sa inceneratorët që nuk ekzistojnë. Me 19 milionë eurot që janë shpenzuar për hidrovorin e Durrësit, thotë Meta, mund të ishin bërë 5 hidrovorë funksionalë.

“Me 19 milionë euro mund të ishin bërë 5 hidrovorë efektive dhe funksionalë.
Megjithatë, rëndësi ka që hidrovorët “punojnë” si inceneratorët që nuk ekzistojnë.Këtu turpi nuk ka më turp nga turpi.”, përfundoi ai.

Reagimi i plotë i Metës:

Hidrovorët që “punojnë” si inceneratorët.

Kreu i Organizatës Kriminale, i cili u kujtua të mblidhte Komitetin e Emergjencës Civile vetëm 4 ditë pas përmbytjeve që shkaktoi korrupsioni skizofrenik i Qeverisë dhe bashkive të tij, mori në mbrojtje korrupsionin (hidrovorët) e tij.

Në kundërshtim me banorët e përmbytur dhe specialistët e hidrologjisë, ai me pacipësinë që e dallon, ia vuri fajin “qametit” por edhe popullit që flak qese plastike.
Ndërsa administrata e tij e dyfishuar nuk ka asnjë faj pse nuk pastron kanalet në verë apo jep leje ndërtimi mbi kolektorë.

Veçanërisht përmbytja e Gjirokastrës është një “arritje” historike që vetëm Edi Rama mund ta realizonte, ndërkohë që sasia e reshjeve ishte nën mesataren mujore.

Sepse Edi Rama, në vend që të marrë masa në verë për të parandaluar përmbytjet në dimër, apo të përgatitet në dimër për të parandaluar zjarret në verë, ka vendosur të mbrojë pa i’u dridhur qerpiku korrupsionin e tij edhe me hidrovorët.

Sepse për të, hidrovorët punojnë po aq mirë sa inceneratorët që nuk ekzistojnë, me të vetmin ndryshim që hidrovorët ekzistojnë për të na treguar që Edi Rama nuk bën vepra publike në shërbim të qytetarëve, por vetëm për të justifikuar grabitjen e fondeve publike.

Me 19 milionë euro mund të ishin bërë 5 hidrovorë efektive dhe funksionalë.
Megjithatë, rëndësi ka që hidrovorët “punojnë” si inceneratorët që nuk ekzistojnë.

Këtu turpi nuk ka më turp nga turpi.

© Panorama.al

Te lidhura