Komisioni hetimor për veprimtarinë e organeve drejtuese të Kuvendit zhvilloi dje mbledhjen e parë, ku maxhoranca dhe opozita debatuan lidhur me kohën në të cilën është shtrirë hetimi.Përfaqësuesit e PD-së në komision, Fatos Beja dhe anëtari Edmond Spaho kërkuan nga opozita që ta kufizojë hetimin në çështjet që ajo i shikon si më të rëndësishme. “Ne nga momenti që e miratuam në Kuvend, nuk kemi asnjë lloj frike, por komisioni do të dështojë nëse s’vini dorë në ato që ju interesojnë dhe të qëndrojmë në aq gjëra sa është e mundur që një komision hetimor të shikojë. Është mirë që komisioni të vijojë në përputhje me ligjin”, u shpreh Beja. Ndërsa Spaho theksoi se “Ndoshta s’ka nevojë të shikojmë të gjitha periudhat e kohës, por shikojmë ato periudha që ju mendoni se janë më problematike. Në këtë mënyrë, do arrijmë të administrojmë edhe kohën, edhe problemet dhe nxjerrjen e komisionit, ndryshe do hyjmë në një labirinth, ku nuk do jemi në gjendje që t’i nxjerrim fundin dhe do marrim përsipër diçka që asnjëri nga ne nuk është në gjendje që ta mbyllë tërësisht, ashtu siç pretendohet në program”. Në përgjigje të pretendimeve të përfaqësuesve të PD-së, kryetari i komisionit, Erion Braçe, tha se komisioni nuk ka për qëllim të hetojë individë të caktuar, por të propozojë ndryshimet ligjore, të evidentuara deri tani edhe nga raportet e Komisionit Europian. “Nuk ka ndërmend njeri të kontrollojë çdo lloj blerjeje apo çdo lloj prokurimi që ka bërë Kuvendi. Synojmë të shohim si funksionojnë organet drejtuese të këtij Kuvendi, veçanërisht Byroja dhe Sekretariati për Buxhetin, me qëllim që të kuptojmë si financohet funksionimi i Kuvendit, si financohet funksionimi i deputetit të Kuvendit”, u shpreh Braçe. Ai theksoi se do të hetohet mënyra e votimit, pasi sistemi i ri elektronik ka provuar se ka pasaktësi, teksa megjithëse janë dhënë shenjat e gishtave të deputetëve, ka ende raste ku një përfaqësues i një partie në Kuvend voton për kolegun e tij në krah.
Debati në komisionin hetimor
Fatos Beja: Unë e kuptoj fjalën e tij, ftesë nga ju për të vënë objektin atje ku keni më shumë interes. Ne, nga momenti që e miratuam në Kuvend, nuk kemi asnjë lloj frike, por komisioni do të dështojë nëse s’vini dorë në ato që ju interesojnë dhe të qëndrojmë në aq gjëra sa është e mundur që një komision hetimor të shikojë. Është mirë që komisioni të vijojë në përputhje me ligjin.
Edmond Spaho: Ndoshta s’ka nevojë të shikojmë të gjitha periudhat e kohës, por shikojmë ato periudha që ju mendoni se janë më problematike. Në këtë mënyrë do arrijmë të administrojmë edhe kohën edhe problemet dhe nxjerrjen e komisionit, ndryshe do hyjmë në një labirinth ku nuk do jemi në gjendje që t’i nxjerrim fundin dhe do marrim përsipër diçka që asnjëri nga ne nuk është në gjendje që ta mbyllë tërësisht, ashtu siç pretendohet në program.
Edi Paloka: Sinqerisht nuk e di se çfarë qëllimi politik keni, por edhe mua më duket sikur gjithçka është përgatitur që të mos arrihet asnjë konkluzion, ose ju mbase shpresoni që ne ta kundërshtojmë dhe të dilni të na thoni nuk na lejojnë.
Erion Braçe: Qëllimi, siç e kam thënë edhe në konferencën e kryetarëve, ky komision nuk ka për qëllim që të hetojë individë, punën e tyre apo të padisë penalisht ca njerëz, ky komision nuk ka qëllim të hetojë persona. Ky komision ka vetëm një qëllim, propozimin e ndryshimeve të nevojshme, me qëllim korrigjimin e mangësive të konstatuara jo vetëm nga ne, por edhe nga raportet e KE, në respekt të punës së funksionimit të Kuvendit. Nuk ka ndërmend njeri të kontrollojë çdo lloj blerjeje apo çdo lloj prokurimi që ka bërë Kuvendi. Synojmë të shohim si funksionojnë organet drejtuese të këtij Kuvendi, veçanërisht Byroja dhe Sekretariati për Buxhetin. Duam të hetojmë mënyrën se si propozohet dhe emërohen anëtarët e institucioneve kushtetuese dhe të pavarura, nën varësinë e Kuvendit për pjesën që i takon Kuvendit. Ka pasur një praktikë shumë të mirë që janë zgjedhur ndërmjet grupeve parlamentare, duke ruajtur raportet, por edhe detyrimet e ligjit për konflikt të interesit.
Reagimi i Kuvendit
Në mbledhjen e djeshme, kryetari i komisionit, Erjon Braçe, tha se vonesa për mbledhjen e parë erdhi për shkak se Kryeparlamentarja Topalli nuk vuri në dispozicion zyrën dhe stafin. Zyra e shtypit e Kuvendit reagoi duke publikuar letrën e sekretarit të përgjithshëm, e cila mban datën 1 prill ku thuhet se “Në përgjigje të shkresës Tuaj, më lejoni t’ju informoj se pretendimet e ngritura nuk i përgjigjen realitetit. Komisionit hetimor i janë vënë në dispozicion menjëherë ambientet e mbledhjeve dhe të punës, si edhe stafi i shërbimit juridik dhe sekretaria administrative. Më pak se 24 orë pas miratimit të Vendimit të Kuvendit nr.90, datë 24.3.2011, sipas të cilit jeni zgjedhur kryetar i komisionit hetimor janë siguruar kushtet e plota të punës edhe për kryetarin dhe zëvendësKryetarin e komisionit hetimor”.
Kuvendi, vetëm 1 seancë në 1 muaj
Kuvendi zyrtarizoi dje pezullimin e përkohshëm të seancave. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njoftoi se deri në datën 8 maj Kuvendi do të ketë vetëm një seancë plenare, pasi deputetët do të jenë në zonat e tyre elektorale për zgjedhjet. Më pas, seanca vijoi punimet me diskutimet e 5 projektligjeve, një projektvendimi dhe rezolutës për veprimtarinë e KQZ-së për vitin 2010, të cilat u miratuan pa debate. Kështu, me 70 vota pro u miratua ratifikimi i marrëveshjes së financimit të programit “Mbrojtja mjedisore e Liqenit të Ohrit, Kanalizimet Pogradec III”. Me nga 71 vota u miratuan 3 projektligje të tjera: Ratifikimi i marrëveshjes së huas “Mbrojtja Mjedisore e Liqenit të Ohrit, kanalizimet Pogradec III”; Ratifikimi i marrëveshjes së financimit të programit “Infrastruktura Bashkiake I”; “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”; projektligji “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











