
Memoria e kompjuterit qendror të sistemit të kamerave të sigurisë te Kryeministria është dërguar në SHBA, për shkak të hetimeve për ngjarjen e 21 janarit. Më tepër se një muaj më parë, pasi shtyu afatin hetimor të dosjes, Prokuroria dërgoi për ekspertim në SHBA, pajisjet e serverit të kamerave të Kryeministrisë. Serverat në fjalë ishin vënë në dispozicion të prokurorisë pak ditë pas ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit. Në reagimin e parë të tij për ngjarjen e ndodhur pranë godinës së qeverisë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kishte porositur sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave që kasetat filmike të kamerave të Kryeministrisë t’i dorëzoheshin prokurorisë për hetimin e ngjarjes. Prokuroria megjithatë pak ditë më pas shkoi vetë tek Kryeministria dhe për tri ditë, pasi këqyri vendin e ngjarjes, mblodhi provat e nevojshme materiale. Mes këtyre provave ishin edhe disqet apo kasetat ku ishin hedhur imazhet e filmuara nga sistemi i kamerave të vëzhgimit të Kryeministrisë. Grupi hetimor i 21 janarit i analizoi pamjet e dhëna nga Kryeministria, por pasi nuk gjeti skena për asnjë nga katër vrasjet, vendosi të verifikojë më tej. Anëtarë të grupit të hetimit të prokurorisë madje shkuan më tej, derisa pohuan dyshimet e tyre se imazhet ishin redaktuar para se t’i jepeshin prokurorisë. Me këtë pretendim organi i akuzës kërkoi pajisjen kompjuterike me të cilën ishte lidhur sistemi i kamerave vëzhguese të godinës së qeverisë. Një pajisje e tillë iu dha prokurorisë pak ditë pas kërkesës dhe përsëri prokuroria nuk gjeti skenat e vrasjeve në filmimet e memorizuara në server. Ndërkohë, teksa ndodhnin këto zhvillime me dosjen “21 janari”, një precedent ndodhi në dosjen e hapur pas video-përgjimit të Dritan Priftit, më 11 shkurt 2011 një ekspert amerikan lajmëroi Prokurorinë e Përgjithshme se në kompjuterin e Dritan Priftit kishte gjetur një video të dytë, e cila më parë kishte qenë e fshirë nga memoria e dukshme, por që teknikisht ishte rigjeneruar. Nisur nga ky precedent dhe nën dyshimin se serveri i Kryeministrisë ka pasur fshirje të regjistrimeve, Prokuroria e Tiranës i dërgoi pajisjet në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prej andej, memoria e serverit të kamerave të Kryeministrisë është dërguar në SHBA për ekspertizë. Një nga pyetjet që kanë bërë prokurorët në letrat e dërguara palës amerikane, është edhe nëse serveri ka materiale që janë fshirë më parë dhe nëse realizohet teknikisht rikuperimi i këtyre imazheve.
Hetimi i vrasjeve
Prokuroria shqiptare e mori në dorëzim serverin e Kryeministrisë, me ndërmjetësimin e një prokurori amerikan që asistoi hetimin e ngjarjeve të 21 janarit. Është pikërisht kjo ekspertizë e pajisjeve të serverit që po mban të hapur hetimin e katër vrasjeve të ndodhura më 21 janar. Prokuroria ka mundur të faktojë me ekspertizë vetëm vrasjen e shtetasit Ziver Veizi nga gardisti Agim Llupo që mbahet në arrest me burg, ndërsa për tri viktimat e tjera të ngjarjes, shtetasit Hekuran Deda, Faik Myrto dhe Aleks Nika, ende nuk ka autorë të akuzuar, të paktën zyrtarisht, ndërsa mësohet se ekspertizat e predhave (në rastin e Nikës dhe Myrtos, pasi Deda ka plagë tejshpuese) kanë dështuar në përcaktimin e armëve që kanë kryer vrasjet. Prokuroria ka bërë ballafaqimin e predhave të gjetura në trupat e viktimave, pasi bllokoi gjithë armët e Gardës menjëherë pas 21 janarit.
Dështoi edhe hetimi për urdhrin
Me anë të një deklarate publike, menjëherë pas ngjarjeve të 21 janarit, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se kishte nisur hetimet dhe se ngjarja do të zbardhej përtej presioneve apo interesave politikë. Organi i akuzës ka arrestuar një gardist, ka ngritur akuzë ndaj tetë të tjerëve, por nga dokumentet e paraqitura deri tani në gjykata, nuk ka rezultuar të jetë gjetur ndonjë provë që më 21 janar të ketë pasur një urdhër për të shtëna me armë zjarri në drejtim të demonstruesve të opozitës.
Serveri i qeverisë, shkak për shtyrjen e hetimeve
Pajisjet e serverit të kamerave të Kryeministrisë, të cilat u dërguan në SHBA, janë bërë shkak për shtyrjen e hetimit të dosjes “21 janari”. Fakti se përgjigjja nga pala amerikane po vonon, kjo e ka detyruar Prokurorinë ta mbajë hapur dosjen penale, në kushtet kur hetimet e deritanishme kanë provuar autorësinë e vetëm njërës nga katër vrasjet. Nëse dosja paraqitet aktualisht në gjykatë, organet e drejtësisë do të kishin prova për të fajësuar Gardën vetëm për një vrasje, pasi tri të tjerat nuk dalin dhe nuk përcaktohen as nga ekzaminimet që janë bërë në vendin e ngjarjes dhe, për më tepër, as nga ekspertizat balistike të kryera në laborator mbi armët, gëzhojat e mëdha edhe predhat e gjetura në trupat e dy viktimave Faik Myrto dhe Aleks Nika. Në këto kushte, Prokuroria ka vendosur ta mbajë të hapur dosjen penale në pritje të përgjigjes nga SHBA.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











