Hetimet ndaj Ballukut, BKH ushtron 19 kontrolle ndaj zyrtarëve dhe biznesmenëve që dalin në dosjen e zv.kryeministres (EMRAT)

Dec 26, 2025 | 16:33

Si pjesë e hetimeve që lidhen me zv.kryeministren Belinda Balluku dhe disa prej bashkëpunëtorëve të saj, Byroja Kombëtare e Hetimit ka zhvilluar një aksion të gjerë kontrollesh.

belinda balluku

Burime për gazetaren Klodiana Lala bëjnë me dije se janë kryer gjithsej 19 kontrolle në dy kompani ndërtimi, si edhe në ambientet e disa punonjësve të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe të Korporatës Elektroenergjetike.

Mësohet se Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer 19 kontrolle për zyrtarë e biznesmenë. Mësohet se është kontrolluar e banesa e Sajmir Kuçit, Marsel Hoxhës dhe Jonida Çeços. Mes personave që janë kryer kontrolle është edhe Sindi Dushku ish-vartësja e Ballukut. Kontrolle janë kryer edhe në zyrën e Bashkim Ulajt, Rrok Gjoka, Ilir Shtufi.

Ndërsa më herët janë kryer kontrolle në banesën e Viola Haxhiademi, ish sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtore e KESH-it, banesën e Gentian Gjyli ish drejtor i ARRSH-së, i pandehur dhe në arrest shtëpie, si edhe në banesën e Erald Elezi, ish drejtori i KESH-it, i pandehur dhe në arrest shtëpie

Dy kompanitë e ndërtimit të kontrolluara rezultojnë të jenë përfituese të shpeshta të tenderëve nga ARRSH dhe KESH, çka përbën edhe fokusin kryesor të hetimeve të nisura nga organet e drejtësisë.

Mësohet gjithashtu se kontrollet janë kryer ekskluzivisht nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pa praninë e punonjësve të Policisë së Shtetit. Të paktën tre prej kontrolleve janë zhvilluar në zonën nën juridiksionin e Komisariatit nr. 3, ku policia vendore nuk është lejuar të marrë pjesë në veprime.

© Panorama.al

Te lidhura