“Heshtja e Shqipërisë është tradhti!”- Ish luftëtari i UÇK-së: Deklarata e ministres serbe është thirrje për gjenocid, qeveria dhe Parlamenti heshtën! S’duam hakmarrje, por rezolutë

Jul 21, 2026 | 21:00

Ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj, ka reaguar ndaj mungesës së një qëndrimi zyrtar nga institucionet shqiptare pas deklaratave të ministres serbe, e cila tha në një intervistë se “po të isha në kohën e Millosheviçit, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët”.

Zotaj akuzoi qeverinë dhe Parlamentin shqiptar se kanë heshtur përballë deklaratave të ministres serbe, e cila sipas tij ka bërë thirrje të hapur për spastrim etnik. Sipas tij, kjo nuk duhet të konsiderohet si një deklaratë e momentit apo një rrëshqitje gjuhe.

“Është një thirrje e hapur për gjenocid. Kjo është një kërcënim ndaj ekzistencës së një populli autokton në Kosovë”, tha Zotja.

Më tej, ish-luftëtari i UÇK-së kërkoi që institucionet shqiptare të miratojnë një rezolutë kundër deklaratave të ministres serbe, duke theksuar se kërkesa e tij nuk lidhet me hakmarrje, por me një reagim zyrtar se kjo deklaratë është e papranueshme dhe Shqipëria e dënon atë.

“Heshtja e Shqipërisë është një fyerje e dyfishtë. Parlamenti nuk bëri asnjë rezolutë, qeveria, që pretendon se mbron interesat kombëtare, nuk bëri asnjë protestë zyrtare. Asnjë deklaratë të përbashkët, asnjë thirrje për dënim ndërkombëtar, as thirrje për tërheqjen e fjalëve. Një heshtje që nuk është maturi, nuk është strategji, por tradhti”, theksoi ai.

Ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj: Deklaratë mbi heshtjen kriminale të qeverisë dhe Parlamentit shqiptar përballë deklaratës gjenocidiale të ministres serbe.

Ministrja serbe foli publikisht pa drojë, pa turp. Ajo tha: “Po të isha në kohën e Millosheviçit, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët.”

Kjo nuk është një deklaratë rasti, kjo nuk është një rrëshqitje gjuhe, kjo deklaratë nuk është një mendim personal. Është një thirrje e hapur për gjenocid. Kjo është një kërcënim ndaj ekzistencës së një populli autokton në Kosovë.

Është një kthim i mendësisë që solli masakra, vrasje, zhvendosje dhe varreza masive në Kosovë. Dhe çfarë bëri Shqipëria? Heshti! Heshtja e Shqipërisë është një fyerje e dyfishtë. Parlamenti nuk bëri asnjë rezolutë, qeveria, që pretendon se mbron interesat kombëtare, nuk bëri asnjë protestë zyrtare. Asnjë deklaratë të përbashkët, asnjë thirrje për dënim ndërkombëtar, as thirrje për tërheqjen e fjalëve.

Një heshtje që nuk është maturi, nuk është strategji, por tradhti. Kushtetuta e thotë qartë që Republika e Shqipërisë mbron interesat e shqiptarëve. Ajo ka fyer çdo shqiptar. Po fyen viktimat e gjenocidit, të mbijetuarit. Ajo ka fyer çdo shqiptar. Po fyen viktimat e gjenocidit, të mbijetuarit dhe ju që uleni në Parlament, heshtni. Shqiptarët nuk janë të huaj në Kosovë. Kosova nuk është një krahinë, por është një shtet i pavarur.

Ne nuk kërkojmë hakmarrje, asgjë që cenon paqen, por një rezolutë, një fjalë zyrtare dhe një akt që thotë se kjo deklaratë është e papranueshme dhe Shqipëria e dënon atë. Rezoluta është një detyrë. Dhe nëse nuk jeni në gjendje të bëni as këtë, pranoni që nuk jeni në gjendje të mbani detyrën tuaj. Nëse nuk reagoni, atëherë dhe ju jeni bashkëfajtor, jo të gjenocidit, por të heshtjes para gjenocidit.

© Panorama.al

Te lidhura