Nga sheshi i protestës në ditën e 52-të të saj, qytetarët bënë thirrje për rrëzimin e qeverisë që po i përngjante dhe çdo ditë e më shumë sistemit komunist, kurse kryeministri Edi Rama ish-diktatorit Enver Hoxha.
Një nga protestuesit tha nga podiumi i protestës duke hedhur akuza të forta ndaj klasës politike, se qeveria ka vjedhur pasuritë e shqiptarëve.
Protestuesi deklaroi se, sipas tij, në vendet europiane pasuritë përdoren për zhvillimin e qytetarëve, ndërsa në Shqipëri ato po keqpërdoren.
“Gjithë Europa ia jep pasurinë popullit që të zhvillohet. Kryeministër, më kujton komunizmin. Je diktatori i dytë pas Enver Hoxhës”, u shpreh ai.
Më tej, qytetari akuzoi qeverinë se po dëmton interesat e banorëve të zonave rurale dhe bëri thirrje për një hetim më të gjerë ndaj klasës politike.
“I vjedhin pasuritë çdo ditë fshatarëve dhe qytetarëve. Klasa politike 35-vjeçare duhet të futet në sitën e krimit ekonomik. Kjo klasë politike nuk na jep të drejtë”, deklaroi protestuesi mes të tjerash.
© Panorama.al












