“Edi Rama, reflekto dhe jep dorëheqjen!”- Aktivisti Ilir Xhemalaj: Kemi 52 ditë protesta, asnjë reagim nga qeveria! E gjithë Shqipëria në shitje, kryeministri na bën sehir

Jul 21, 2026 | 20:18

Aktivisti Ilir Xhemalaj, nga sheshi para kryeministrisë, në ditën e 52-të të protestës, ka deklaruar se qeveria nuk ka dhënë asnjë përgjigje për shqetësimet e ngritura nga qytetarët.

Ai u ndal te deklaratat e kryeministrit Edi Rama për Paketën e Maleve, duke ngritur pikëpyetje mbi përfituesit e tokave në zonat rurale, në një kohë kur, sipas tij, shumë fshatra janë boshatisur.

“Sot kryeministri tha se nuk tërhiqet nga Paketa e Maleve, tha se do ta bëjë si Zvicra. Tha se shqiptarët do të marrin tokat e të parëve të tyre për 1 euro. Tani lind një pyetje, kush do t’i marrë këto toka? Ku janë këta qytetarë? Shqipëria është shpopulluar e gjitha”, tha ai.

Më tej, aktivisti akuzoi qeverinë se po lejon shitjen e pasurive të vendit, duke përmendur ligjin për tokat bujqësore, ndërsa shtoi se kryeministri nuk reagon, “por rri aty dhe na bën sehir”.

Ilir Xhemalaj: Sot u bënë 52 ditë protesta dhe ne nuk shikojmë asnjë reagim nga qeveria. Sot janë 52 ditë dhe kryeministri ynë sjelljen tonë paqësore dhe qytetare e merr për dobësi. Sot kryeministri tha se nuk tërhiqet nga Paketa e Maleve, tha se do ta bëjë si Zvicra. Tha se shqiptarët do të marrin tokat e të parëve të tyre për 1 euro. Tani lind një pyetje, kush do t’i marrë këto toka? Ku janë këta qytetarë? Shqipëria është shpopulluar e gjitha.

E sfidoj kryeministrin të shkojë atje, në fshatin tim, në krahinën e Tepelenës. Nuk ka rrugë për të vajtur, nuk ka drita, nuk ka ujë të pijshëm, nuk ka shërbime. Por mbi të gjitha, nuk ka njerëz. Atëherë, zoti kryeministër, kush do t’i marrë këto toka? Kush? Kush do të vijë këtu dhe të marrë tokat tona?

Mos të harrojmë se para disa ditësh u kalua edhe një ligj për shitjen e tokave bujqësore. Pra, tokat bujqësore po shiten, tokat në mal po shiten, deti po shitet. E gjithë Shqipëria është në shitje dhe kryeministri rri aty dhe na bën sehir. Ju zoti kryeministër, duhet të reflektoni dhe të jepni dorëheqjen.

© Panorama.al

Te lidhura