“Dorëheqje!”- Marshimi kilometrik i protestuesve nëpër rrugët e Tiranës, qytetarët të vendosur: Poshtë diktatura!

Jul 21, 2026 | 21:48

Pas 52 ditësh rezistencë në sheshin para Kryeministrisë, protestuesit vijuan tubimin e tyre me një marshim nëpër rrugët e Tiranës ashtu si çdo natë me radhë, duke e zhvendosur zërin e protestës përtej bulevardit kryesor.

Qindra qytetarë u nisën nga selia e qeverisë drejt Rrugës së Elbasanit, duke vijuar më pas në drejtim të zonës pranë stadiumit “Air Albania”, ndërsa gjatë gjithë rrugës përsëritën thirrjet që tashmë janë kthyer në refren të protestës.

“Rama, jep dorëheqjen!”, “Dorëheqje!”, “Poshtë diktatura!”, “Rama në burg, Berisha në burg!” ishin disa prej thirrjeve që shoqëruan marshimin e qytetarëve në kryeqytet.

Protestuesit kërkuan sërish ndryshim politik, duke deklaruar se do të vijojnë qëndrimin e tyre deri në plotësimin e kërkesave që kanë artikuluar prej nisjes së protestës.

Siç edhe ata kanë bërë të qartë, kërkesa e tyre kryesore është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

© Panorama.al

Te lidhura