HYQMET ZANE/ Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 është dita e shënuar në kalendarin historik mbarëkombëtar shqiptar. Si shqiptar ndjehem krenar për ata burra të nderuar që u bënë mbështetës të shpalljes së Pavarësisë nga gjithë trojet shqiptare që nga Mitrovica e Kosovës deri në Prevezë të Çamërisë. Jemi krenarë për një ditë të tillë që na jep mesazhin e madh se shqiptarët u bënë të zot për të bërë shtet dhe Ismail Bej Qemali Vlora mori përsipër të realizonte ngjarjen e madhe. Duhet të themi se një akt i tillë madhor nisi nga Elbasan me Aqif Pashë Biçakçiun Elbasani me burra të shquar të këtij qyteti. Më pas Pavarësia u shpall në çdo qytet, në Peqin më 26 nëntor e kështu deri më 28 nëntor në Vlorë. Historia ka folur edhe për prezencën e birit të Kosovës Isa Boletini që kur arriti në Vlorë u ul në gjunjë dhe puthi flamurin në prani të Ismail Qemalit. Historia ka folur se në atë Vlorën e historisë së Pavarësisë morën pjesë edhe personalitete nga Elbasani si Dervish Bej Biçaku, Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri, Qemal Karaosmani. Porse në historinë tonë kombëtare pothuajse nuk përmenden emrat e atyre burrave nga Çamëria që morën pjesë në Pavarësinë e kombit? Edhe pse me pak vonesë për shkaqe të pengesave që iu krijua nga Greqia këtyre burrave, ata kanë emër e mbiemër, por që të pyesësh një njeri sot se cilët ishin ata, zor se bëhet e mundur të dinë ata emra burrash të nderuar.

Çamët e Pavarësisë
Që në fillim dua të them se në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më
kanë shkuar:
- Veli Gërra, nga Gumenica
- Jakup Veseli, nga Margëllëçi
- Rexhep Demi, nga Filati
- Azis Tahir Ajdonati, nga Paramëthia
Vetëm thuhet se Ismail beu priste Muharrem Rushitin nga Koska e Çamërisë me trupat mbrojtëse të Vlorës, sepse dihet që lebërit dhe çamët kanë qenë bashkë për mbrojtjen e territoreve të tyre. Ndërkohë që thuhet se në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913, Ismail Bej Qemali dërgoi Mehmet Konicën, Filip Nokën dhe Rasih Dino nga Çamëria. Por burrat e Pavrësisë nga Çamëria që cilësova më sipër për ata asnjë fjalë, asnjë dijeni, asnjë vlerësim, sikur ata të ishin grekë e jo shqiptarë të vërtetë dhe trashëgimtarë që mbajnë mbi vete si trashëgimtarë të historisë e lashtësisë së Çamërisë. Një penë dhe një mendjeje çame shkruan “Sa herë është 28 Nëntori mos harroni që nga lashtësia para erës së re historia ka njohur Pirron e Epirit gjak shqiptar nga Ledhësi. Pirrua i Epirit me Olimbinë (Olimpia), nënën e Aleksandrit të Madh ishin nga fisi i Aiakidëve të Mollosisë. Pra, ishin kushërinj me diferencë disa brezash, gati njëqind vjet, që e bënte krenar Pirron që mburrej me kushërirën e tij paraardhëse dhe vetë bëri emër në histori. Për hir të së vërtetës Olimpia gruaja e Filipit II mbretit të Maqedonisë ishte nga Çamëria, së bashku ata lindën e rritën Aleksandrin e Madh. Pra, Aleksandri i Madh është çam nga nëna. Por edhe Ali Pashë Tepelena gjithashtu e kishte gruan e tij Vasilikën nga Çamëria, nuk patën fëmijë edhe pse Pashai ishte tmerrësisht i marrosur pas saj, aq sa fortesën në Porto Palermo e bëri në emër të saj. Edhe Ismail Qemali e kishte gruan e tij çame, të rritur nga një familje arvanitase së bashku me Kleonikin lindën e rritën 9 fëmijë. Të gjitha këto kanë lidhje me Çamërinë, me krahinën trashëgimtare të pellazgëve të lashtë që nuk kanë asnjë lidhje me Greqinë dhe historinë e manipuluar nga grekët si mashtrues të historisë dhe të vërtetave”.
E VËRTETA HISTORIKE
Edhe pse kjo është historia e të vërtetave historike, përse kaq shumë heshtje dhe harresë, përse kjo sjellje me dy standarde, përse historia e djeshme dhe e sotme sillet kaq keq më historinë e Çamërisë dhe personalitetet e saj? Jo sot, por që pas 1944-ës ata që shkruan historinë e Shqipërisë u treguan të padrejtë dhe për të mos thënë se ka pasur një tradhti të imponuar nga ideologjia internacionaliste dhe e frymëzuar nga urrejtja greke për shqiptarët në përgjithësi dhe çamët në veçanti. Edhe progrekët në strukturat e larta të qeverisjes që nga Nesti Kerëenxhi e deri tek Rita Marko apo të tjerë e kungonin Enver Hoxhën që të tregonte zellin e pashuar antiçame që tashmë njihet që nga mosdhënia e një ndihme ps 27 qershorit 1944 me gjenocidin grek, me internimet në Llozhan më 1949 pse çamët nuk pranuan të shkonin të luftonin në Greqi me flamurin grek, më pas më 1956 pas Konferencës së Tiranës dhe me tej më 1960-1961 me arrestimet dhe pushkatimet e çamëve që nga Teme Sejko e Tahir Demi me të tjerë. Vetëm pas 1991 nga studiues të pavarur u korrigjuan shumë të pavërteta. Por ajo që ka mbetur e pakorigjuar është fakti se Pavarësia e Shqipërisë ka qenë e kërcënuar nga Ligji i Luftës i Greqisë me Shqipërinë, që padrejtësisht është në fuqi edhe pse jemi dy shtet në NATO. Por më shumë se kaq ka një vëmendje të stërzgjatur që në programet që përpunohen për shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme nuk ka asnjë korrigjim të historisë, vazhdon të mos thuhen të vërtetët historike deri sa ka një marrëveshje të heshtur në mospërmendjen e fjalës Çamëri dhe të emrave të atyre burrave nga Çamëria që morën pjesë në Shpalljen e Pavarësisë.
KONTRIBUTI I ÇAMËVE
Brezat duhet të dinë se historia shqiptare ka kryekëput edhe gjakun dhe kontributin e krahinës sonë Çamërisë, kaq të bekuar, por vazhdohet ndër brez pas brezi të heshtet, por me shtrembërim për krahinën e Çamërisë dhe personalitetet e saj. Nga kush kanë frikë ata që bëjnë programet e shkollave, kush e këshillon kryeministrin dhe politikën shqiptare që të mos shprehet për historinë e Çamërisë? Kur themi “Gëzuar Pavarësinë” e Shqipërisë, duhet të thuhet se edhe Kosova u shpall e Pavarur, edhe Çamëria u shpall e Pavarur. Në Vlorë vjen Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, po nga Çamëria kush do vijë për Pavarësinë ? Kjo është e vërteta e madhe se historinë e shtrembëruar dhe të manipuluar na e kanë diktuar dhe shkruar të tjerët dhe ata historianë dinjitozë shqiptarë që shkruajnë të vërtetat, anashkalohen ose nuk përmenden. Vlora ka shumë shqiptarë trashëgimtarë nga Çamëria dhe ata kontribuojnë si në rastin me Ansamblin “Krahu i shqiponjës Taip Madani” që drejton i palodhuri Sali Nuredini. Por emrat e atyre burrave që sakrifikuan në kohëra të vështira për të ardhur në Vlorë në mbështetje të Pavarësisë dhe qeverisë së Ismail Bej Qemalit, ata nuk u përmendet emri dhe as që thuhet se erdhën nga Çamëria martire.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











