TIRANE – Prokuroria e Tiranës ka kërkuar zgjatjen e afatit të hetimeve për një shtetas të akuzuar si anëtar i një grupi personash që kanë kryer trafik heroine nga Shqipëria në Gjermani. Organi i akuzës mësohet se ka vendosur zgjatjen e afatit të hetimeve me tre muaj për shtetasin Alfred Qefalia, i arrestuar në Tiranë me një sasi prej 2.8 kilogramë heroinë. Aksioni policor për arrestimin e të dyshuarve është koduar me emrin “Triss” dhe ka vënë në pranga gjithsej 12 persona. Policia deklaroi se grupi ka vepruar në tri shtete ku është zhvilluar edhe aksioni. Kështu, gjatë veprimeve të policisë në Shqipëri, Gjermani dhe Kosovë, janë kryer arrestimet e para në muajin mars 2010. Arif Zelo, 53 vjeç, dhe Ermir Dalipaj, 32 vjeç, të dy nga qyteti i Lushnjës, u arrestuan në fillim të marsit të këtij viti, në një aksion ku forcat e policisë bllokuan dhe pesë armë të ndryshme dhe sasi municioni. Më pas, operacioni “Triss” ka vazhduar, dhe pas një javë janë arrestuar tre vëllezër me banim në Farkë. Artan dhe Alfred Qefalia, të dy të moshës 26 vjeç, si dhe vëllai tjetër i tyre, Kujtim Qefalia, 37 vjeç, të cilët banonin në një banesë private në komunën e Farkës, janë arrestuar më 10 mars 2010 dhe në shtëpinë e tyre policia sekuestroi rreth 2.8 kilogramë heroinë. Droga u sekuestrua në banesën e vëllezërve Qefalia, pas një kontrolli rutinë të kryer nga policia. Ata u ndaluan fillimisht ditën e arrestimit për një konflikt të ndodhur në Farkë midis vëllezërve dhe disa personave të tjerë. Vëllezërit u ndaluan si autorë të plagosjes së dy bashkëmoshatarëve të tyre, por gjatë kontrollit në shtëpinë e tyre policia gjeti dhe bllokoi heroinën.
Precedentet
Sipas policisë së kryeqytetit, personat e arrestuar me akuzën e trafikut të heroinës kanë pasur precedentë edhe në Gjermani. Mësohet se ata janë ndaluar disa herë në Gjermani me sasi të ndryshme lënde narkotike dhe disa prej tyre kanë qenë me shtetësi gjermane.











