
“Ma kishin prezantuar pretendentin vetëm disa ditë para se fejesa të shpallej”
Sa të vinte këmbën në Tiranë, një tufë ujqish, pedagogë e studentë, do t’i vërsuleshin të gjithë asaj. Një vajzë nga provinca nuk mund të rrinte e vetme në kryeqytet. Duhej me doemos të fejohej! Ky ishte shqetësimi që vuri në lëvizje gjithë fisin, si nga ana e Gushove, por edhe Bozgove. Të gjithë ishin si ndër ethe: Helena duhej fejuar! Në librin e saj me kujtime “Kohë e pamjaftueshme”, Helena Kadare tregon për fejesën e saj të parë. Si u stis lidhja e nxituar me një inxhinier, të cilin jo vetëm që nuk e donte, por as nuk mundi me kalimin e kohës. Ndërkaq, Ismailin nuk e kishte harruar dot, ndonëse ishte munduar ta bindte veten se tashmë i përkiste dikujt tjetër. Si vendosi t’i japë fund ditën kur varrosi gjyshin nga e ëma, të vetmin njeri që e kishte kuptuar dhimbjen e saj. “Këtë vajzë e morët më qafë!”, kishte thënë ai. al.mi
Gjithë atë periudhë, me një intensitet të pandërprerë mendoja për Tiranën. Isha gati të bëja gjithçka, të jepja çdo gjë vetëm ‘t’i fitoja ato katër vite lirie.
Por, pikërisht në atë kohë, edhe pse e shpërqendruar nga gjithçka tjetër që ndodhte rreth meje, vura re se në shtëpinë tonë diçka po ndodhte, diçka që më përkiste edhe mua. Dhe s’kaloi shumë që e mora vesh plotësisht përse ishte fjala. Njerëzit e mi po bënin plane fejese. Që unë të fejohesha! Gjithë ato hyrje e dalje, biseda me zë të ulët, kokë më kokë, s’kishin tjetër qëllim veç fejesës. Madje të ngutshme. Sipas gjykimit të babait, por edhe krejt farefisit, që nuk e di në ç’rrethana venin e vinin mes një etheje të madhe, një vajzë e re as që mund të mendohej të lihej vetëm për të bërë studime atje në Tiranë. Pedagogë e studentë bashkë mezi ç’i presin ato që vijnë nga provinca. Dhe të gjithë janë si ujqër për të përfituar nga padituria e tyre, dëgjova një mbrëmje dajën tim, që porsa kishte mbërritur me trenin e pasdites. Prandaj, shpëtimi i vetëm kishte për të qenë fejesa. Le t’i bëja studimet, por e qetë dhe e siguruar nga çdo anë. Edhe të tjerët do ta kishin mendjen e mbledhur. Nuk po u besoja veshëve. E gjithë dëshira ime për t’u larguar, dëshirë e mbajtur gjallë plot shpresë dhe aq fort e ëndërruar, tani po kthehej në një ankth të parrëfyer kundër meje. Si do të pranoja të lidhesha me dikë, vetëm për të qenë e mbrojtur atje në Tiranë? E gjithë kjo ishte një marrëzi e paparë! Ndërkaq, lëvizjet, hyrje-daljet e fisit u shpeshtuan si kurrë më parë. Secili prej tyre po sillte përpara prindërve emrin e ndonjë kandidati të ri. Së fundi, babai ma bëri të qartë: pa fejesë, nuk do kisha shkollë. E ndodhur midis një trysnie që për çdo ditë po merrte përmasa të paimagjinueshme, m’u bë e qartë se nga kafazi i shtëpisë sime nuk do të mund të ikja kurrë pa qenë e lidhur me vargoin e fejesës. Ata mesazherë mblesërie s’do më linin kurrë t’u ikja nga duart. Dhe ndodhi pikërisht ajo që deshën ata. Pas javësh të tëra të mbledhjeve të fisit, të diskutimeve të pafunda, të qarjeve dhe të protestave të mia, unë e pranova atë vargua që më lidhte e njëkohësisht më jepte lirinë!
![Kohe-e-pamjaftueshme_KOPERTINA[1]](https://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2011/10/Kohe-e-pamjaftueshme_KOPERTINA1-199x300.jpg)
Fejesa u bë sipas zakoneve të qytetit provincial. I fejuari erdhi me të afërmit e tij për “të pirë kafetë”. Ma kishin prezantuar pretendentin disa ditë para se fejesa të shpallej dhe nuk më ishte dukur aq i keq sa ç’po më dukej tani që fejesa qe bërë realitet. Ishte më se e qartë për mua, ky i fejuari s’po më hynte në zemër fare. Ishte i huaj dhe i tillë do mbetej derisa kjo marrëveshje e marrë të prishej. Por deri atëherë do të kalonin ca kohë.
Me rastin e ardhjes së tij nga Tirana u bë një darkë familjare. Unë nuk ftova asnjë nga shoqet apo shokët e mi të klasës, ngaqë, s’do mend, më vinte turp. Meri L. në letrat e saj tregohej e përmbajtur. “Meqenëse kjo është mënyra e vetme për të qenë bashkë në universitet, atëherë le ta pranojmë”, shkruante ajo, thua se fejesën e kishim bërë të dyja bashkë.
Por më e gëzuar nga të gjithë ishte mblesa. Ajo ngadhënjente nëpër shtëpi. Jo vetëm atëherë, por deri tani vonë s’ia kam harruar kësaj gruaje mërinë që do të më ngjallte përherë prania e saj.
Kam përshtypjen se të gjithë hiqeshin si më të gëzuar sesa ishin në të vërtetë. Vetëm gjyshi im i mençur, Taq (Kristaq) Bozdo, më i kthjellëti nga të gjithë, prish buzët: Gjynah, e çuat dëm këtë vajzë! I tha tezes sime të madhe, Lenit.
Gjatë muajve të verës, ndërsa bëhesha gati si në ethe për në universitet, përfytyrimi i Tiranës ishte i vetmi ngushëllim që më mbante. I fejuari vinte të dielave nga Tirana dhe unë me trishtim vija re se zemra s’më ngrohej e s’më ngrohej për të. Nuk ishte njeri i keq, por s’kishte asgjë nga ato që kisha përfytyruar unë për burrin tim të ardhshëm. Një njeri i rëndomtë. Ja, vetëm kaq mund të thuhej për të.
Ndërkaq, Is përpiqesha të mos e mendoja më. Çdo lexim, çdo fjalë që lidhej me të, më shkaktonte brengë të madhe në shpirt. Por përsëri, kërkoja të mos e lëndoja veten. Ardhja në universitet duhej të më mjaftonte për të gjitha.
Një mbrëmje fillim shtatori më solli vetë babai me tren në Tiranë. Atë natë vajtëm e fjetëm tek gjyshi, që e kishte shtëpinë tek Pazari i Ri. Meri L. ndërkaq kishte mbërritur para meje. Mua më kishte dalë e drejta e studimit për letërsi, por pa bursë. Kështu do të më mbante babai me shpenzimet e tij, një barrë e rëndë kjo për kushtet e tij. Meri L. i kishte dalë për gjuhë e letërsi angleze. Kryesorja ishte se do të ishim në një konvikt dhe një pjesë të leksioneve do t’i bënim së bashku në të njëjtin auditor.
Në konvikt u vendosëm në një dhomë me Merin, një vajzë nga Shkodra dhe një studente kineze me emrin Su, që e kishin sjellë midis nesh për të mësuar shqipen.
Kur babai u nis për të ikur, unë dhe Meri L. u hodhëm si të çmendura në krahët e njëra-tjetrës. Më në fund ishim të lira dhe… bashkë. Asgjë në botë s’mund të na ndante më…
Te grila e hekurt e rrethojës së konviktit ishte bërë një lloj zakoni që të vinte e të kërkonte njeriu yt, i fejuari apo i dashuri, që priste derisa njëra nga vajzat lajmëronte me zë të lartë në korridor: Luigjina apo Flora, është për ty! Të gjitha vajzat konviktore, pa përjashtim, e ëndërronin një thirrje të tillë. Ishte, si të thuash, një lloj konkursi. Por jo të gjitha merrnin gëzimin që prisnin. Natyrisht që edhe unë e kisha pasur këtë ëndërr. Sikur dikush të më thoshte më parë se do të isha studente në Tiranë dhe te grila e errët poshtë pemëve do të më priste i fejuari, mendja do të më vinte rrotull nga lumturia. Mirëpo ja, kjo kishte ndodhur vërtet dhe unë jo vetëm s’ndieja kurrfarë gëzimi, por, përkundrazi, një trishtim i errët sa vinte e më rritej. Zemrën e kisha akull për të. Dhe çdo ditë, në vend që diçka të shkrihej, ngrinte edhe më fort…
Siç thashë, Is nuk guxoja ta mendoja më. Nuk isha e sigurt nëse ai ishte kthyer apo jo nga Moska. Por edhe sikur të ishte kthyer, tani unë nuk isha më për të. Isha larg tij, e fejuar me dikë tjetër, madje dhe ta mendoja, nuk kisha më të drejtë. Dhjetëra herë e kapja veten në të njëjtën pyetje: çdo të thoshte vallë, ai kur të dëgjonte se isha fejuar? Do t’i bënte ndonjë përshtypje? A do t’i vinte sadopak keq për mua? Apo aq do t’i bënte.
Kështu kalonin ditët…
Takimi me Is do të ndodhte shumë javë më pas. Po ecja vetëm në Rrugën e Barrikadave dhe në udhëkryq, atje ku ajo pritej me rrugën “Qemal Stafa”, befas njoha fytyrën që e kisha parë veç nëpër fotografi. Po vinte përballë meje, mbi trotuar, bashkë me tim kushëri, shkrimtarin Nasho Jorgaqi. Ecnin duke qeshur të dy. Mua m’u duk më simpatik se në fotografi. Kishte një xhaketë me kokrriza dhe mbante një pulovër të zi me jakë golf, që sapo kishin dalë në modë në atë kohë. M’u duk po aq i zbehtë në fytyrë, sa ç’e kisha përfytyruar në ëndërrimet e mia. U turbullova aq shumë, sa m’u duk se po më merreshin këmbët.
Nasho Jorgaqi u ndal për të më takuar, pastaj më njohu me të.
-Kjo është kushërira ime, Helena Gushi, tha.
U skuqa, veshët më buçitnin dhe belbëzova ca fjalë, gati si përçart. “Ju njoh. E di që jeni një poet mendjemadh. Nuk i jeni përgjigjur letrës sime”. Këto ishin pak a shumë fjalët, siç m’i kujtoi Is më pas, sepse unë s’mbaja mend gjë prej gjëje. Ai seç m’u përgjigj gjysmë me të qeshur, ndërsa im kushëri shprehu habinë që paskemi këmbyer letra. Is pyeti:
– Ju jeni tani në Tiranë?
Pas pohimit tim, pa m’i hequr sytë, ai vazhdoi:
– Ju pëlqen të shikoni filma të xhiruar prej meje?
Mezi e mora vesh ku e kishte fjalën. Ishte shqiptari i parë që kishte sjellë nga jashtë një kinoaparat 8 mm, bashkë me laboratorin për larjen e filmave.
– Më pëlqen shumë, u përgjigja, e çliruar ngaqë biseda mori një drejtim gazmor.
Kushëriri im u vrenjt nga kjo mënyrë e pacipë ftese në shtëpi. Unë u skuqa prapë dhe s’dija ç’të përgjigjesha. Pa çarë kryet për fytyrën e ngrysur e qortuese të kushëririt, Is nxori një copë letër nga xhepi dhe shkroi në të.
-Ky është telefoni im. Më merrni ndonjë ditë.
Krejt e turbulluar e mora letrën dhe Is shtoi:
-Po e humbët këtë pusullë, mbani mend këtë: dy numrat e parë janë viti i vdekjes së Stalinit dhe… (tani nuk më kujtohet ç’ishte ngjarja tjetër, ngaqë e vendosur ta ruaja si floririn atë letër, s’i dhashë rëndësi përcaktimit).
Im kushëri ishte ngrysur dhe më fort. Kur më takoi më pas, ai më hoqi vërejtjen me shumë seriozitet. Kishte dashur ta bënte këtë gjë edhe me Is, por, ngaqë atij ishte e vështirë t’i bëje vërejtje të kësaj natyre, i kishte kujtuar se unë isha e fejuar dhe s’ishte mirë që në sytë e tij, domethënë të kushëririt, ai më kishte bërë haptas një propozim për takim.
Më pas mora vesh hollësira të takimit të tyre. E fejuar? E çfarë pastaj? Kishte thënë Is, gjë që e kishte pezmatuar edhe më fort kushëririn tim.
Asnjëherë nuk e mora vesh nëse ishte vërtet fare mospërfillës për të fejuarin apo ashtu shtirej. E vërteta është se as atëherë, as më pas nuk më ka pyetur kurrë për të, sikur ai të mos kishte ekzistuar ndonjëherë. Kjo shmangie e të fejuarit ndikoi, me sa duket, që edhe tek unë të ndodhte e njëjta gjë, me të njëjtën lehtësi.
Disa ditë radhazi, pas këtij takimi fatlum, isha si e dehur nga tronditja… Ndërkaq, mendja më punonte veç aty. Aq shumë isha magjepsur pas tij, sa s’u përmbajta dhe i fola edhe të fejuarit për të. Mbaj mend se, tek i flisja me entuziazëm se sa i jashtëzakonshëm më qe dukur Is, sytë e të fejuarit u pikëlluan. Ai s’foli asnjë fjalë dhe, me sa duket, për të më dhënë të kuptoja pakënaqësinë e tij, disa ditë nuk erdhi fare në konvikt. Por unë, e dalldisur siç isha, as nuk e vura re fare këtë mungesë dhe vetëm kur ai erdhi më në fund dhe, me fjalë të matura më shprehu qejfmbetjen e tij për këtë admirim të tepruar, mbeta me të vërtetë e habitur. Për mua ishte fare e pakuptueshme që dikush mund të mbetej indiferent para ekzistencës së një mrekullie të atij lloji, siç ishte në vetvete Is. Por në atë kohë isha shumë e re dhe nuk e njihja mirë se çfarë ishte xhelozia dhe ç’forcë shkatërrimtare kishte ajo në jetët e njerëzve…
**
Lëkundjet për t’i dhënë fund fejesës sime u bënë gjithnjë e më të forta. Në këtë kohë vdiq gjyshi im Taq Bozgo, pas të cilit isha shumë e dhënë. Ishte pikërisht ai që i pari kishte thënë për fejesën time: “Gjynah, ajo vajzë vajti dëm”. Humbja e këtij njeriu të dashur ishte kontakti im i parë me vdekjen. Kurrë s’më kishte qëlluar deri atëherë të merrja pjesë apo të kisha të bëja me një ceremoni mortore. E shikoja trupin e pajetë të gjyshit, shtrirë në mes të dhomës, nënën dhe tezet e mia që qanin rreth tij dhe në shpirt ndieja një shtrëngim të padurueshëm. Domethënë, një ditë kështu do të jetë edhe për mua! Mendoja. Sepse deri atëherë vdekja më qe dukur diçka abstrakte, që kishte punë me njerëz të tjerë të panjohur, por kurrsesi me mua. Kur qenka kështu, kur “vdekja në rrinte te supi”, siç shprehej shpesh gjyshi, atëherë përse duhej të vazhdoja të mbaja një lidhje të pakuptimtë me dikë që nuk e doja dhe, me sa duket s’kisha për ta dashur asnjëherë, në kundërshtim me atë frazë idiote që më thoshin kushërirat se dashuria vjen vetiu me kalimin e kohës. Kurrë s’kishte për të ardhur ajo dashuri. Dhe pikërisht aty, pranë trupit të gjyshit të vdekur mora vendimin e parë të rëndësishëm të jetës sime. Do të shkëputesha një herë e mirë nga ai njeri.
Dy ditë më vonë, kur prindërit e mi ishin kthyer në Elbasan, u ula dhe iu shkrova një letër të gjatë prej tetë faqesh. Shpjegoja në të se fejesa ime ishte krejtësisht e gabuar, se isha fatkeqe, etj., etj. Së fundi u kërkoja ndjesë për këtë shqetësim të pamerituar, por këmbëngulja se s’kisha rrugë tjetër.
Të nesërmen e letrës, në orën katër të mëngjesit, portieri i konviktit më lajmëron se dikush më kërkonte tek porta. Ishte babai. Kishte udhëtuar me taksi për tërë natën. I verdhë dyllë në fytyrë, sapo më pa, më hodhi duart në qafë dhe u shkreh në vaj. S’e kisha parë ndonjëherë të qante dhe kjo gjë më tronditi pa masë. Më shpjegoi më vonë se dhe ai me nënën e kishin kuptuar se ajo lidhje nuk shkonte, por nuk kishin pasur guxim ta thoshin. Por tani që unë po e thosha vetë, ata ndiheshin më të lehtësuar dhe do të gjenin forcë ta përballonin këtë “turp para botës”. Veç, shtoi babai, këtej e tutje unë duhej të tregoja një kujdes të jashtëzakonshëm në sjelljet e mia. Të shikoja mësimet dhe, në asnjë mënyrë të mos dilja vend e pa kohë nga konvikti. Me këtë rast, ai më përmendi edhe një herë rreziqet e shumta që më kanoseshin, si vajzë e re në mes të kryeqytetit.
U ndjeva e çliruar si asnjëherë nga kjo peshë e rëndë dhe atë çast isha gati të pranoja çdo kusht që do të më diktonte ai. I dhashë fjalën për këtë. O Zot, si ishte e mundur që kisha duruar aq shumë, pyesja veten, kur puna kishte qenë aq e thjeshtë?
HELENA KADARE
© Panorama.al











