Harasani thyen vendimin e Grupit të PS

Apr 26, 2011 | 11:57

Parlamenti votoi dje dekretin e presidentit Topi për emërimin e Bujar Nishanit ministër i Brendshëm.Seanca e djeshme zgjati vetëm 20 minuta dhe ishte thirrur jashtë radhe, enkas për votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës. Sapo nisi procedura e votimit, Grupi Parlamentar i PS-së, pasi bëri prezencën, u largua nga salla dhe nuk mori pjesë në votimin e ministrit të ri. Nishani mori 73 votat pro të maxhorancës dhe një votë kundër të deputetit socialist Andis Harasani. U votuan tre dekrete për të emëruar ministrin e ri. Fillimisht Kuvendi miratoi dekretin për shkarkimin e Lulzim Bashës nga ministër i Brendshëm. Më pas miratoi shkarkimin e Bujar Nishanit nga ministër i Drejtësisë dhe në fund u votua për ministrin e ri të Brendshëm. I pyetur rreth votimit të tij në Kuvend, kur Grupi Parlamentar socialist ishte larguar nga salla, deputeti Harasani u shpreh se ushtroi detyrën e tij si opozitar. “Unë votova kundër qeverisë. Është detyra ime si opozitar që të votoj kundër qeverisë. Nuk e kuptoj se pse deputetët e Partisë Socialiste largohen nga salla dhe nuk shprehen me votë kundër qeverisë, kundër buxhetit apo ligjeve që ajo sjell në Kuvend. Vlerësoj se nuk po bëjmë detyrimin tonë si opozitarë para elektoratit që na ka zgjedhur”, u shpreh për gazetën “Panorama” deputeti Andis Harasani. Deputeti socialist ka qenë vazhdimisht kritik ndaj strategjisë së Grupit socialist që të mos marrë pjesë në votim. Madje ai ishte ndër ata deputetë që ishin kundër bojkotit të Parlamentit pas zgjedhjeve të 2009-s, kur PS vazhdoi të mbetej në opozitë. Por Harasani paralajmëron se do të vazhdojë të votojë kundër qeverisë, pavarësisht se çfarë qëndrimi do të mbajë Grupi Parlamentar. “Për sa kohë jam në opozitë, do të votoj gjithnjë kundër qeverisë. Kjo është e drejta ime dhe fuqia ime”, u shpreh Harasani. Deputeti socialist, anëtar i Komisionit të Ligjeve, bashkë me kolegun e tij ish-ministër i Financave, Arben Malaj, kanë thyer vendimin politik në Grupit dhjetorin e kaluar, gjatë miratimit në Kuvend të buxhetit vjetor. Dy deputetët propozuan disa amendamente në ligjin për buxhetin, nga të cilat maxhoranca pranoi dy prej tyre. Pas votimit kundër të nenit të parë të buxhetit, dy deputetët e PS-së u larguan nga salla, ndërsa Grupi socialist e kishte braktisur atë që në nisje të votimit në parim.

 

Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura