
Situata që po kalon shumica e eurozonës dhe shteti ynë fqinj Greqia, kanë rritur alarmin për një borxh publik të kontrolluar. Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, në një intervistë për gazetën një ditë më parë, hodhi edhe idenë e sanksionimit të kufirit të borxhit në Kushtetutë. Aktualisht, ky kufi përcaktohet me ligjin organik të buxhetit dhe niveli maksimal i lejuar është 60 për qind. Për deputetin Blushi, vendosja në Kushtetutë e kufirit të borxhit do të ishte në të njëjtin ritëm masash që po merr edhe shumica e vendeve të BE-së. “Ky do të ishte i famshmi “Golden Rule”, pra rregulli i artë, i kufizimit të borxhit me ligj. Sikur Greqia ta kishte kontrolluar me Kushtetutë nivelin e kredimarrjes publike, ndoshta nuk do ishte në këtë situatë të dorëzimit të sovranitetit financiar”. Në thelb, kjo është vetëm një ide, por jo të gjithë mendojnë se borxhin e Shqipërisë do ta kontrollonte vendosja e kufirit në Kushtetutë. Gazeta kontaktoi edhe me tre deputetë të Komisionit të Ekonomisë, të cilët kanë shprehur “pro”-të dhe “jo”-të ndaj kësaj ideje. Sipas tyre, ka dy variante për kontrollin e borxhit.
Mimi Kodheli PS
Kjo është një ide që ka kohë që qarkullon në Europë. Franca është një prej vendeve që e ka artikuluar këtë ide prej kohësh. Kuptohet që në kushtet e krizës serioze financiare e të thellimit të borxhit publik, ideja merr një rëndësi të veçantë. S’jam kundër vendosjes së kufirit në Kushtetutë, por kërkon konsultim me FMN dhe ekspertët vendës.
Andis Harasani PS
Jam kundër përcaktimit të borxhit në Kushtetutë, sepse është shumë e lehtë që gjërat të hyjnë në Kushtetutë, por shumë e vështirë që t’i nxjerrësh prej andej. Përcaktimi i borxhit në Kushtetutë i lidh duart qeverisë të ndërmarrë investime të guximshme, përmes të cilave bëhen ndryshimet e mëdha. Nëse sot përfshijmë në Kushtetutë diçka që i shërben kontrollit, nesër mund të na kthehet në bumerang dhe do të përdoret politikisht.
Sybi Hida PD
Kufiri i borxhit është i sanksionuar në një ligj që është ligji organik i buxhetit. Vendosjet e kushteve të tilla si ky janë të parapëlqyeshme teorikisht, por praktikisht kanë problemet e tyre. Më e dobishme do ishte dakordësia për një rregull të nënkuptuar për kufirin e borxhit, i cili nuk duhet kaluar dhe që politika e gjithë ta zbatonte. Janë shembuj të tjerë që kanë treguar se përcaktime me numra në Kushtetutë nuk funksionojnë. Një përcaktim i tillë është i bukur teorikisht, por jo praktikisht, pasi shfaq probleme. E rëndësishme është të mbash qeverinë nën kontroll, për të ndjekur një politikë transparente dhe të qëndrueshme dhe këtë duhet ta bëjë Parlamenti.
60 për qind
është niveli maksimal i borxhit të Shqipërisë, i sanksionuar në ligjin organik të buxhetit. Vendit tonë nuk i lejohet të kalojë këtë nivel huamarrjeje, madje i është sugjeruar që të ulë nivelin aktual.
NERTILA MAHO/ ARISTIR LUMEZI











