Bashkia: Vendqëndrimet për autobusët dhe si do lëvizet në kryqëzime
Është hartuar itinerari i ri i trafikut për kalimin e makinave. Ato që vijnë nga rrugët kryesore si Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, ajo e Dibrës, do të futen në shesh me një korsi dhe dalin nga sheshi ”Skënderbej” me dy korsi dhe menaxhohen me semaforë. Do të ketë dhe disa ndryshime të stacioneve të linjave urbane. Autobusët e linjës Kinostudio-Kombinat dhe ish-uzina Dinamo-Sharrë do të qëndrojnë tek stacioni përballë Teatrit të Kukullave. ”Linja Tirana e re qëndron në krah të 15-katëshit dhe Muzeut Kombëtar. Linja e Laprakës dhe instituti bujqësor do të qëndrojnë përpara Muzeut Kombëtar, ndërsa për linjat e tjera nuk ka ndryshuar vendqëndrimi”, sqarojnë specialistët e Bashkisë së Tiranës. Ndonëse do të lejohet qarkullimi i automjeteve, sipas Bashkisë punimet do të vazhdojnë me ndriçimin e sheshit “Skënderbej” dhe vendosjen e spoteve në trotuare, përfundimin e veshjeve të shkallëve tek Muzeu Kombëtar dhe Pallati i Kulturës. Sipas skemës së re të trafikut, kryqëzimi te blv “Zog I” me rrugën “Ded Gjo Luli”, hyrja në shesh me 1 korsi dhe dalje nga sheshi me 2 korsi, do të menaxhohet me semaforë. Kryqëzimi te Rruga e Durrësit me rrugën “Ded Gjo Luli”, hyrja në shesh me 1 korsi dhe dalje nga sheshi me 2 korsi vetëm drejt dhe do të menaxhohet me semaforë. Kryqëzimi te Rruga e Kavajës me rrugën “Ded Gjo Luli”, hyrja në shesh me 1 korsi dhe dalje nga sheshi me 2 korsi vetëm drejt dhe do të menaxhohet me semaforë. Kryqëzimi te rruga “Luigj Gurakuqi” me rrugën “George W. Bush”, hyrja në shesh me 1 korsi dhe dalje nga sheshi me 2 korsi vetëm drejt dhe do të menaxhohet me semaforë. Kryqëzimi te Rruga e Dibrës me rrugën “Bardhok Biba”, hyrja në shesh do të bëhet nga rruga Urani Pani me 2 korsi deri në blv “Zog I” dhe do të menaxhohet me semaforë.
Shirat, nis ndërhyrja në kolektorët e Tiranës
Nisin ndërhyrjet për sistemimin e kolektorëve të Tiranës. Do të punohet për largimin e ujërave të shiut, në mënyrë që t’i jepet zgjidhje një problemi shqetësues për qytetaret. Drejtori i Përgjithshëm i Menaxhimit të Shërbimeve, Taulant Zeneli dhe drejtoresha e ndërmarrjes nr. 2, Luzhiana Abazi, shpjeguan masat që janë marrë dhe ato që parashikohen për t’u ndërmarrë në bashkëpunim me ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, mes të cilave është adresuar edhe zgjidhja që do t’u jepet përmbytjeve që shkaktoheshin edhe nga reshje të vogla shiu në rrugën “Don Bosko”, e kthyer prej kohësh në shqetësim për qytetarët dhe përdoruesit e mjeteve. Zeneli tha se në buxhetin e vitit 2012 janë parashikuar fondet e domosdoshme në kolektorët e rrugëve. “Sot ndodhemi në zonën e “Don Boskos”, e cila është një zonë problematike për sa i përket largimit të ujërave të bardha apo të shiut. Pavarësisht investimeve të bëra më parë, problematika vazhdon”, tha Zeneli. Sipas tij, në bashkëpunim të ngushtë edhe me Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila ka përgatitur një projekt, do mundësohet fillimi i punimeve për zgjidhjen e këtij problemi në zonë dhe kjo do të vazhdojë më tej me kompletimin e gjithë zonës nga ana e Bashkisë së Tiranës. Nga ana e saj, Luzhiana Abazi u shpreh se falë ndërhyrjeve të deritanishme është bërë i mundur sistemimi i kolektorëve në zonën e “Komunës së Parisit”, në bashkëpunim me Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës. “Në këtë moment, mund të themi se është zgjidhur problemi shqetësues i rrugës “Komuna e Parisit”, edhe falë ndihmës së Ujësjellës-Kanalizimeve dhe po ashtu do vazhdojmë edhe në rrugën “Don Bosko”, ku do të ndërhyhet në kolektorin e kësaj zone, i cili me vendndodhjen aktuale nuk u jep zgjidhje ujërave të bardha të kësaj zone”, tha Abazi.











