Hamilton ndal Fetel, i pari në Kinë

Apr 18, 2011 | 13:07

Luis Hamilton ka fituar Çmimin e Madh të Kinës, i treti në Botërorin e Formula 1. Piloti anglez i McLaren ka triumfuar në cirkuitin e Shangait, duke fiksuar kështu suksesin e 15-të në karrierë. Hamilton ka lënë të dytin në podium Sebastian Fetel të Red Bullit, pas një parakalimi të bukur katër xhiro nga fundi i garës. Një provë e jashtëzakonshme edhe për pilotin tjetër të kampionëve të botës, australianin Mark Veber. I nisur nga radha e nëntë, Veber ka qenë protagonisti i një përmbysjeje spektakolare dhe ngjitet i treti në podin aziatik përpara britanikut të McLaren-it, Xhenson Baton, dhe gjermanit të Mercedesit, Niko Rosberg. Vendi i gjashtë dhe i shtatë për Ferrarin e brazilianit Felipe Masa dhe spanjollit Fernando Alonso, gjithmonë e më larg triumfit të parë të sezonit. Mundën të hynë në zonën e pikëve gjithashtu edhe gjermani Mikael Shumaker (Mercedes), rusi Vitali Petrov (Lotus Renault) dhe japonezi Kamui Kobaiashi (Sauber). “Ndoqëm një strategji perfekte, gjithashtu dhe makina rezultoi fantastike”. Luis Hamilton tregoi “recetën” që i mundësoi atij suksesin e parë në Çmimin e Madh të Kinës. “Na ndihmoi mjaft strategjia e tri pit-stopeve. Realisht ishte një nga garat më të bukura që mund të kem bërë deri tani. Çdo gjë në total shkoi për mrekulli. Si tri pit-stopet dhe makina ishin fantastike”, – theksoi Hamilton, i cili rrëfen se për një moment rrezikoi edhe nisjen. “Pata një problem të vogël para se të fillonte gara, ndonëse saktësisht nuk e mora vesh se çfarë ka ndodhur”, – shtoi piloti i McLaren, duke iu referuar rrjedhjes së karburantit. “Për fat të mirë, djemtë në bokse ishin në gjendje të rikuperonin gjithçka në kohë, kështu që unë mund të rrija i qetë. Dhe në fakt atë bëra, qëndrova i qetë e më pas çdo gjë vijoi normalisht”.

© Panorama.al

Te lidhura