
Hamdi Salihi do largohet nga skuadra austriake e Rapidit në merkaton e janarit. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë lojtari në një intervistë për “Panorama Sport”. “Po, me shumë gjasë po, unë nuk do të rinovoj kontratën me këtë klub dhe në janar, ose në verën e ardhshme, do të largohem. Ka disa arsye që po largohem. Së pari, është fakti që kontrata e tyre nuk më ka bindur dhe mendoj se nuk është as logjike. Unë jam një sulmues që e kam treguar veten, kam dhënë një kontribut të madh në ekip dhe jam treguar gjithnjë profesionist. Klubi nga ana tjetër ka ndryshuar politikat financiare. OK, dakord, unë e respektoj vendimin e tyre, por nuk jam i detyruar ta pranoj patjetër ofertën e tyre, pra nuk jam i detyruar të sakrifikoj. Unë kam të drejtë zgjedhjeje. Nuk jam mërzitur nga oferta jobindëse që më kanë bërë, por as ata nuk kanë pse mërziten se unë e refuzova atë. Kjo ka krijuar deri tani edhe një lloj hendeku mes meje dhe klubit. Një tjetër faktor pastaj është edhe trajneri. Ai ka një filozofi të tijën dhe po e mbështet skuadrën vetëm te lojtarët austriakë”, ka pohuar sulmuesi i Kombëtares shqiptare.











