Halimi: Dokle me dy vila në bregdet

May 18, 2012 | 13:06

Gjate seances se djeshme ne Parlament

Deputeti socialist akuzon Qeverinë për shitjen e pronave në bregdet, përgjigjet ministri i Drejtësisë.

Deputeti i PS: Ngatërron delet me ujqërit, është pronë e familjes.

Interpelanca e kërkuar nga nënkryetari i Partisë Socialiste Erjon Braçe për abuzimet me tokat e fshatrave turistike, ka përplasur ashpër dje në Parlament ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi dhe nënkryetarin e Kuvendit, Namik Dokle.
Akuzave të Braçes për abuzimet me tokat e bregdetit, ministri i Drejtësisë iu përgjigj me kundërakuza, duke thënë se në kohën e qeverisjes së socialistëve janë shitur dhe hipotekuar në zyrat e regjistrimit të pasurive 17 fshatra turistike në zonat bregdetare. Ministri i Drejtësisë theksoi se në Parlament janë gjashtë deputetë, të cilët janë përfitues të ndarjes së tokës në zonat bregdetare në vitet 2000-2005. Debati u ashpërsua teksa ministri theksoi se deputeti Namik Dokle ishte një ndër pronarët e tokave në zonën bregdetare. “Ju thatë që ky ligj, nga dita e hyrjes në fuqi, paska pasur klientë të Sali Berishës. Ky ligj ka pasur me të vërtetë disa fitues, dhe unë thashë që nuk do t’jua bëj të ditur emrat, por të atyre që kanë fituar realisht dhe që janë të pranishëm në këtë sallë. Ma ndalon e drejta si ministër. Mund të them që janë 6 deputetë të krahut të majtë të ulur në Kuvend. Në qoftë se më autorizoni, jua them emrat. Janë dy deputetë të rreshtit të gjashtë dhe një deputet i rreshtit të katërt që ka dy vila. Më autorizon zoti Dokle dhe i them emrat. Është dhe zoti Dokle. Një vilë e ka në emrin e vet dhe një e ka në emër të dikujt tjetër. Janë dy deputetë të rreshtit të katërt. Një deputet ka përfituar një fshat të tërë turistik. Nuk ka deputetë nga krahu i djathtë. Këta janë klientët që ju i quani të Sali Berishës”, deklaroi ministri Halimi.
Replika
Nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle, njëherësh deputet i PS-së, është përfshirë në debat gjatë interpelancës me ministrin Halimi, duke e quajtur këtë të fundit si mbrojtës të interesave klienteliste të qeverisë. Dokle ka folur në Parlament pa mikrofon për shkak se nuk ishte ai kërkuesi i interpelancës dhe si i tillë replika ishte jashtë rregullores. “Përpjekja abuzive për të më përzierë mua në aferat e qeverisë me pronat e shqiptarëve ngjan me përpjekjen idiote për të krahasuar delet me grupin e ujqërve. Ajo copëz prone e blerë me kredi bankare që ju përmendët është 49.1 herë më e vogël se prona e familjes sime 470 metra larg vijës së detit në Durrës. Sepse ministri nuk mund ta dijë këtë sepse ka ardhur deputet në Durrës 67 vjet pas blerjes së kësaj prone nga prindërit e mi dhe 63 vjet pas lindjes sime në atë qytet. Unë e kuptoj qëndrimin e ministrit që të mbrojë tufën e ujqërve të qeverisë, por nuk e kuptoj nëse e mbron si ujk apo si zagar”, deklaroi Namik Dokle në sallën e Kuvendit. Ndërkaq, deputeti Erjon Braçe e akuzoi ministrin për abuzime me pronat e bregdetit. “Zoti ministër, pavarësisht se nuk e meriton këtë term, sepse deri dje të kanë thënë gjitholog, po sot je tamam atë që të tha Namiku (zagar). Për çështjen në fjalë je një abuzues, por fare, fare nga ata të rëndomtit”, deklaroi Braçe.

Dade: Ti Halim që s’di këndim…
Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, është përfshirë dje në debatin e zhvilluar midis deputetit Namik Dokle dhe ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi. “Kështu do venë interpelancat që nuk i shërbejnë punës. Më lejoni të kujtoj disa vargje të një njeriu shumë të mençur: Ti Halim që s’di këndim/ je vezir për arsim”, ironizoi Arta Dade.

Interpelanca
Ruçi: Berisha shkel Rregulloren

Kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, e ka akuzuar dje Kryeministrin Sali Berisha se po shkel Rregulloren e Kuvendit duke mos iu përgjigjur kërkesave urgjente të opozitës për interpelancë në Kuvend. Ruçi, ashtu si në Konferencën e Kryetarëve, të zhvilluar në Kuvend para seancës, kërkoi llogari për mospranimin e Kryeministrit për të raportuar para deputetëve për çështjen e minierave dhe të kromit. “Përsëri Kryeministri është kërkuar për një interpelancë të dytë, sipas Rregullores. Dua të di pse një Kryeministër nuk zbaton Rregulloren e Kuvendit dhe ju si kryetare jeni në shkelje të kësaj rregulloreje?”, theksoi Ruçi. Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit ka sqaruar se Kryeministri ndodhej jashtë vendit, por sipas saj, kërkesës së opozitës Kryeministri i është përgjigjur disa herë me radhë në interpelanca.

Shalsi e akuzon për Gërdecin, Mediu: Vetëm dhimbje morale

Mediu dje gjatë fjalës

Parlamenti është përfshirë në debate të ashpra midis nënkryetarit të Grupit të PS-së Eduard Shalsi dhe ministrit Fatmir Mediu për çështjen e Gërdecit. Zanafilla e sherrit midis dy deputetëve u bë ligji i pronave dhe kërkesa e Shalsit në adresë të ministrit Mediu për të kërkuar falje për moszgjidhjen e kësaj çështjeje. Gjatë replikave, deputeti i Partisë Socialiste e akuzoi ministrin si fajtor të vrasjes së 26 banorëve në Gërdec. “26 veta janë vrarë dhe ke kurajë të më tregosh mua për 20 vjet apo për të kaluarën. Turp të kesh!”, theksoi Shalsi. Në këtë debat ka ndërhyrë dhe kryetarja e Kuvendit, e cila i akuzoi të majtët se janë në krizë morali, pasi këta të fundit propozuan avokatin e çështjes “Gërdeci” për postin e nënkryetarit të KLD-së. “Zotëri, ju që propozuat për nënkryetar të KLD-së avokatin e Gërdecit. Kërko të falur një herë, neve këtu dhe gjithë shqiptarëve. Kriza morale që ka kapur politika në këto 20 vite. Dhe pastaj ikni se nuk jeni burra”, theksoi Topalli. Ministri Mediu theksoi se deputetët e PS për qëllime politike hedhin akuza për një çështje që gjykata e ka shpallur të pafajshëm. “As e kam fshehur dhe as e fsheh ndonjëherë vetën, por ju jeni kthyer në aktorë absurdë, karagjozë dhe komedianë në këtë Kuvend dhe e bëni vetëm për interes politik, pozicionin tim për Gërdecin e kam bërë të qartë, dhe kam vetëm dhimbje morale dhe jo ligjore”, theksoi Mediu.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura