Kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar sot pas marrjes të pandehur të zv/kryeministres Belinda Balluku nga Prokuroria e Posaçme.
Edhe pse me një postim të shkurtër në rrjetin social Facebook, ish-kryeministri e cilëson atë si hajduten më të madhe, ndërsa e shoqëron edhe me videon e vajtjes dhe daljes së ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës nga godina e SPAK.
“Hajdutja më e madhe e kohërave!”, shkruan lideri i selisë blu në postim.
Balluku qëndroi për gati një orë në institucion e shoqëruar nga avokatja e saj, njëkohësisht e motra dhe ish-kryetare e KLP-së.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka bërë të ditur sot se zv.kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku është marrë zyrtarisht si e pandehur. Hetimet i ndjek prokurori i posaçëm, Dritan Prençi.
Në një njoftim për mediat, SPAK ka sqaruar se Belinda Balluku është marrë e pandehur për procedurat e tenderit të Llogarasë.
SPAK konfirmon se Balluku ishte nën hetim për shkelje të barazisë në tendera për një kallëzim të vitit 2024, ndërkohë që ka bashkuar dhe një tjetër çështje, në vitin 2025.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal”, thuhet ne reagimin e SPAK mes të tjerash.
© Panorama.al













