“Gymyshi”, show shqip te Kënga Magjike, fiton Redon Makashi!

Nov 20, 2011 | 12:50

Redon Makashi rrëmben çmimin e parë të festivalit “Kënga Magjike 2011” pas 22 viteve karrierë muzikore. Kënga e tij, “Më lër të fle”, arriti të marrë numrin më të madh të votave.

Në një vlerësim unik, ku të gjithë këngëtarët, në mënyrë të hapur, votuan për njëritjetrin, kënga e Makashit arriti të mblidhte 148 vota më shumë se sa vendi i dytë. Duke kursyer fjalimet e gjata, por duke mos fshehur emocionet, Redon Makashi, gjatë marrjes së trofeut, theksoi se ky çmim ishte vërtet i rëndësishëm dhe një vlerësim i madh për të pas 22 viteve karrierë artistike në skenat shqiptare. Gjatë natës së djeshme finale u ndanë plot 21 çmime të tjera vlerësuese, për kategoritë respektive, ndërsa pas Redon Makashit, çmimi i dytë i festivalit shkoi për bashkëpunimin muzikor mes Pirro Çakos & Vedat Ademit, ndërsa i treti për Besa Kokëdhimën, me hitin “Ti botën ma ndryshove”. Për t’u dhënë fund hamendësimeve apo dyshimeve në lidhje me mënyrën e votimit të këngëtarëve përgjatë gjithë edicioneve të Këngës Magjike, prezantuesi Ardit Gjebrea zgjodhi që këtë herë votimi i konkurrentëve për këngët e preferuara të njëri-tjetrit të bëhej publik e transparent edhe përmes ekranit. Fitorja e Makashit pas 22 vitesh nuk ishte surpriza e vetme e spektaklit të djeshëm. Në të vërtetë, i gjithë show i drejtuar për rreth katër orë me mjeshtëri nga Ardit Gjebrea, ishte i mbushur me surpriza. Mes interesit të përligjur për të mësuar fituesin e çmimit të parë të Edicionit të 13-të të Këngës Magjike, po kaq e ethshme dukej të ishte edhe pritja për protagonisten aq shumë të përfolur të telenovelës “Gymysh”. Aktorja bukuroshe turke, fama e së cilës ka bërë jehonë në shumë prej shtëpive shqiptare, u shfaq përkrah prezantuesit Gjebrea. E prezantuar bashkë me humorin e Agron Llakajt, Songul Oden iu bashkua Ardit Gjebresë dhe deri në fund u bë pjesë e spektaklit, duke prezantuar një pas një të gjithë këngëtarët dhe çmimet. Dhe e gjitha kjo në shqip. Në përpjekjet e saj për të komunikuar herë në gjuhën turke të origjinës e herë në shqip, ajo e përforcoi simpatinë e admiruesve shqiptarë në radhët e spektatorëve të pranishëm në sallë që shpeshherë e ndërprisnin me duartrokitjet e zjarrta. “Jam shumë e lumtur që jam këtu mes jush. U ndjeva si në shtëpinë time dhe ju falënderoj për gjithçka”, u shpreh ajo. Mes spektatorëve të shumtë të pranishëm në Pallatin e Kongreseve ra në sy prania e personaliteteve VIP, mes tyre: Kryeministri Sali Berisha me zonjën e tij, ministri Aldo Bumçi dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha me bashkëshortet e tyre. Por, me gjithë protagonizmin e artistëve pjesëmarrës dhe surprizave të mbrëmjes, Redon Makashi ishte surpriza e fundit e natës finale të Këngës Magjike 2011, si fitues i çmimit të parë të këtij evenimenti muzikor.  Ermira Isufaj

TRI VENDET E PARA

Çmimi i parë:
Redon Makashi me këngën “Më lër të fle”
Çmimi i dytë:
Pirro Çako & Vedat Ademi me hitin “Bujë, bujë”
Çmimi i tretë:
Besa Kokëdhima me këngën “Ti botën ma ndryshove”

Çmimet

Çmimi honorifik për kontributin ndër vite në Këngën Magjike: Albërie Hadërgjonaj me hitin “Vetëm me ty”
Çmimi i “Performancës më të mirë”: Rezarta Shkurta me “Të jesh e mirë s’mjafton”
Çmimi i “Baladës më të mirë”: Devis Xherahu me këngën “Akoma s’e besoj”
Çmimi i “Bashkëpunimit më të mirë”: Ronela Hajati ft. Visar (Skillz) me hitin “Nelës”
Çmimi televiziv: Era Rusi me këngën “Një lamtumirë”
Çmimi diskografik: Rozana Radi & Mc.Kresha me hitin “Jaba daba du”
Çmimi “Magjia e parë”: Adelina Tahiri me këngën “Ti mos u kthe”
Çmimi i Internetit: Noizy me hitin “Shooting Star”
Çmimi “Best Dance”: Ermal Mamaqi me këngën “Vetëm beso”
Çmimi “Çesk Zadeja”: Jonida Maliqi me “Thesar pa emër”
Çmimi “Best Hip- Hop”: Big Basta & Anxhelo me këngën “Si melodi”
Çmimi i interpretimit”: Greta Koçi me hitin “Pyes veten”
Çmimi “Kënga hit”: Dr.Flori me “S’ma ndjen”
Çmimi i kritikës: Besa me këngën “Ti botën ma ndryshove”
Çmimi “Poezia më e mirë”: Rosela Gjylbegu, “Sikur të isha ti”
Çmimi “Vokali më i mirë”: Kejsi Tola me këngën “Më jeto”
Çmimi “Kantautori më i mirë”: Redon Makashi me hitin “Më lër të fle”
Çmimi “Produksioni më i mirë”: Leonora Jakupi, “Këngë e pakënduar”
Çmimi “Sponsorit të festivalit”: Olta Boka me hitin “Ana”
Çmimi “Tendencë”: Eranda Libohova & Aldo me këngën “Pa problem”
Çmimi “Kënga Stil”: Pirro Çako & Vedat Ademi, me këngën “Bujë, bujë”

© Panorama.al

Te lidhura