Guvernatori, Berisha zbulon 3 emra

Oct 27, 2011 | 10:48

Qeveria miratoi dje emrat e tre kandidatëve për anëtarë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Në mbledhjen e kabinetit, Kryeministri Berisha tha se si propozime të Ekzekutivit edhe për një mandat tjetër do t’i propozohen Parlamentit, Guvernatori aktual i Bankës, Ardian Fullani, drejtoresha e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Elisabeta Gjoni dhe këshilltari i kreut të qeverisë për ekonominë, Petraq Milo. Në pjesën e parë të mbledhjes, ku ishin të pranishme edhe mediat, Berisha paraqiti secilën prej kandidaturave duke thënë se “guvernatori aktual, zoti Adrian Fullani, një bankier me një eksperiencë të gjatë pune në sistemin bankar dhe drejtues i Bankës së Shqipërisë, në një nga kohërat më të vështira për financat europiane dhe botërore. Zonja Elisabeta Gjoni, drejtuese e AMF, e cila ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në krijimin dhe drejtimin e këtij institucioni dhe në tërësi në reforma të rëndësishme financiare të vendit. Zoti Petraq Milo, edhe ky një nga personalitetet e shquara të financave të vendit, specialist i shquar në këtë fushë, doktor i shkencave në fushën e financave. Këto janë kandidaturat që propozon Këshilli i Ministrave. Tri të tjerat nuk janë nomenklaturë e Këshillit të Ministrave, por janë e Parlamentit dhe një prej tyre është e vetë Bordit të Bankës”.
Ligji për Bankën
Ligji për përbërjen e Bankës së Shqipërisë është hartuar në vitin 1997, dhe nga ajo kohë ka pësuar pak ndryshime. Në nenin 44 të tij thuhet se Këshilli Mbikëqyrës kanë nëntë anëtarë, ku njëri është Guvernatori që është edhe kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, zv.guvernatori i parë, zv.guvernatori i dytë dhe gjashtë anëtarë. Në pikën 2 të këtij neni thuhet se tre anëtarë të Këshillit propozohen nga qeveria, pesë nga Parlamenti dhe një nga vetë Këshilli. Më pas është Presidenti që i dërgon Parlamentit si dekret njërin prej emrave të nëntë anëtarëve për guvernator të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit të Bankës, rezulton se në këtë periudhë u përfundon mandati shtatë prej nëntë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Konkretisht, Ardian Fullani, Fatos Ibrahimi, Tefta Çuçi dhe Ksenofon Krisafi, pas dy ditësh do të jenë pa mandat, ndërsa muajin e ardhshëm i përfundon mandati edhe Limos Malajt. Në të njëjtën kohë u ka përfunduar mandati edhe Benet Becit, i cili e ka mbajtur këtë pozicion pasi zëvendësoi Elisabeta Gjonin dhe Ardian Civicit, i cili në 2005-n zëvendësoi Andis Harasanin. Në pikën 3 të nenit 48 për Bankën e Shqipërisë thuhet se “Çdo vend vakant në Këshillin Mbikëqyrës do të plotësohet me emërimin e anëtarit të ri të Këshillit Mbikëqyrës, sipas dispozitave të nenit 44 të këtij ligji, i cili e ushtron këtë funksion brenda afatit të mbetur të anëtarit që ka zëvendësuar”. Sipas procedurave të Parlamentit, tre kandidatët e propozuar dje nga qeveria do të kalojnë fillimisht në një seancë në Komisionin e Ekonomisë, më pas do të shkojnë në Kuvend për t’u votuar.

Ardian Fullani
Fillimi i punës së z. Ardian Fullani në fushën e bankingut qendror i takon vitit 1992, në funksionin e zëvendësguvernatorit të Bankës së Shqipërisë e në vijim në periudhën 1993-1996, si drejtor i Departamentit të Jashtëm. Ka punuar si koordinator i projekteve të investimeve nga financimet e huaja (përfshi FEFAD, Fondacionin për Financimin dhe Zhvillimin e Ndërmarrjeve dhe KfW, Kreditanstalt für Wiederaufbau); koordinator shqiptar për krijimin dhe licencimin e bankave të para me kapital të përbashkët (Bankës Italo-Shqiptare dhe Bankës Islamike Arabo-Shqiptare). Fullani është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës dhe guvernator i Bankës së Shqipërisë që prej muajit tetor të vitit 2004.

Elisabeta Gjoni
Propozimi i dytë i Kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë për anëtare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ishte Elisabeta Gjoni. Nëse ajo do të marrë miratimin nga Kuvendi në një nga seancat e ardhshme, nuk do të jetë hera e parë në këtë pozicion për shkak se edhe me parë ka qenë anëtare e Këshillit Mbikëqyrës. E zgjatur nga Parlamenti në vitin 2004, ajo dha dorëheqjen në vitin 2008 nga pozicioni i anëtares së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe vendin e saj e zuri Benet Beci. Më 10 maj të vitit 2001 ajo u zgjodh nga qeveria e asaj kohe si anëtare e Komisionit të Letrave me Vlerë, ndërkohë që nga 27 shtatori i vitit 2006 ajo është kryetare e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Petraq Milo
Këshilltari i Kryeministrit për ekonominë ka bërë doktoraturën në Francë, ndërkohë që është diplomuar në politikën e administrimit publik. Nga viti 2008 e në vazhdim është asistent-profesor i Universitetit të Biznesit dhe Teknologjisë. Në periudhën 2005-2008 ka qenë drejtues i kompanisë konsulente “EUROCONSULTING – Group” i licencuar në Prishtinë, Kosovë. Për 11 muaj, në vitin 2005, ka qenë drejtues i projektit “Përmirësimi i sistemit të planifikimit të integruar”, Komuniteti Europian Programi CARDS, Delegacioni Europian, Tiranë. Milo ka qenë gjithashtu konsulent në Bankën Botërore për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura