Mbledhja e djeshme e Grupit Parlamentar socialist u zhvillua pa praninë e kryetarit socialist, Edi Rama, i cili nuk ka munguar në mbledhjet e fundit. Gjatë mbledhjes që drejtohej nga kreu i grupit Gramoz Ruçi, është vendosur që deputeti Taulant Balla të thërrasë në interpelancë ministrin e Inovacionit, Genc Pollo, lidhur me koncesionin e fibrave optike dhënë nga Ministria e Transportit. Interpelanca pritet të zhvillohet të enjten, ndërsa seancën e kaluar ishte në interpelancë ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i thirrur nga deputeti Erion Braçe për koston e rrugës Durrës-Kukës. Gjatë mbledhjes, deputetët socialistë kanë diskutuar dhe lidhur me ligjin për importin e plehrave, të cilin Presidenti i Republikës e rikthehu sërish në Kuvend për ripunim. Burime pranë selisë rozë thanë se deputetët e PS do të kërkojnë që ligji të amendohet në mënyrë të tillë që të mos shkaktojë dëme mjedisore për vendin. Në rast të kundërt, sipas të njëjtave burime, deputetët socialistë do të ndërmarrin nismën për organizimin e një referendumi kombëtar për çështjen e plehrave. Për ta bërë të suksesshme këtë iniciativë, nuk është e nevojshme mbledhja e firmave nga populli, por ai mund të organizohet me firmat e 1/5 së deputetëve të Kuvendit me miratimin nga Presidenti i Republikës. Ditën e enjte, deputetët socialistë do të marrin pjesë në votim për dy çështje. Ata do të votojnë pro miratimit të marrëveshjes me qeverinë e Austrisë, për ndërtimin e ujësjellësit të Bilishtit në shumën 7.5 milionë euro. Gjithashtu, ata do të japin votën e tyre pro ndryshimit të ligjit për shoqëritë tregtare. Ligji parashikon rritjen e masës së kapitalit fillestar të një shoqërie tregtare, nga 20 milionë në 35 milionë lekë të vjetër. Gjithashtu, mbledhja ka përcaktuar dhe deputetët që do të flasin gjatë 60-minutëshit.











