Përcillet me lule vokalisti i “Djemve të Detit”

Jan 28, 2015 | 12:40

Moment gjate homazheve per Genti Demaliajn

Nisin homazhet ne ambientet e TVSH-se per te percjelle per ne banesen e fundit Genti Demaliajn, vokalistin e njohur te grupit “Djemte e Detit”. 

Qindra qytetare, miq e te njohur te tij po vendosin buqeta me lule prane arkivolit ku prehet trupi i 40 vjeçarit. 

Mësohet se ai vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërsa të shumtë janë fansat dhe miqtë e tij që kanë shprehur ngushëllime edhe në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.

Genti u diagnostikua me kancer thuajse dy vite më parë, kohë kur Këshilli i Ministrave mori vendimin për t’i akorduar një shumë prej 35 milionë lekësh për t’u kuruar jashtë vendit.

Prej atëherë e deri në largimin e tij, vijonte luftën me sëmundjen që sot po e çon në tjetër botë. Demaliaj ishte i martuar dhe ka një vajzë, Edean, që talenti e bëri të ecë në rrugën e të atit e të bëhet këngëtare.

Grupi “Djemtë e Detit” është krijuar në Lezhë, qyteti prej nga ishin të gjithë anëtarët e tij, por shumë shpejt do t’i kalonte kufijtë e qytetit të vogël. “Djemtë e detit” ishin të të gjithëve.

Ata goditën në shenjë qysh me pjesëmarrjen e parë në Festivalin e Këngës në RTSH, “Ëndrrat që për ty i thura”, me të cilën fituan edhe vendin e dytë.

Po të njëjtin çmim do të merrnin edhe katër vite më vonë, në vitin 1995 në festivalin e parë të Rrokut Shqiptar. Ndërsa, vetëm një vit më vonë, në po të njëjtin festival, do të merrnin çmimin e parë.

Në Festivalin e dhjetorit do të riktheheshin sërish në vitin 1996 me këngën “Baladë për Jakup Ferrin” e një vit më vonë me hitin tjetër që ende sot e ndofta gjithmonë do të këndohet, “Mos qaj”. Vetëm se sot, Gent Demaliaj, nga atje ku është, nuk mund të mos i shohë duke qarë të gjithë të dashurit e fansat e muzikës së tij.

Në një kohë të paqëndrueshme për vendin, vitin 1997, grupi do të afirmohej edhe më duke nxjerrë në treg albumin e tyre të parë, “Izolimi vdes”. Në të vërtetë, thuajse në çdo pjesë- marrje të tyre në festivale, sado që jo me çmime të para zyrtare, ata janë vlerësuar gjithnjë si interpretuesit apo grupi më i mirë.

“Kohë pa ty”, “Lamtumirë” apo “Jo tani”, janë të tjerë tituj që shtrinë edhe më suksesin e grupit edhe pse, për shkak ndoshta të një tërheqjeje të liderit, pas vitit 2009 kur doli edhe albumi tjetër “Epos”, fama e rrokerëve pati mbetur nga sukseset e shkuara. Është pak të thuhet që do të vijojë të mbetet e kujtohet nga të gjithë ata që e duan muzikën, ndër vite e vite të tjera.

Sepse zëri i Gent Demaliajt i tillë ishte, i paharrueshëm, njësoj si energjia e tij në skenë. Deri sa e papritura e dhimbshme e bëri të tërhiqej. Ëndrrat që për vete i thuri, dje, u larguan bashkë me të, por kënga e tij e parë do të vazhdojë të jetë motiv i të gjithëve. 

 NGUSHËLLIMET E KOLEGËVE

ELTON DEDA
Një mik i shtrenjtë i gjeneratës së rock-ut shkoi sot pranë engjëjve. Lamtumirë Gent Demaliaj. S’po di c’të shkruaj….

AURELA GAÇE

Mos qaj, mos qaj Mos qaj për vdekjen o njeri… Genti i “Djemve të Detit”. Kështu të thërrisnim…I paharruar qofsh për familjen, miqtë e gjithë fansat e tu. Luftove gjatë me sëmundjen, por tani shpirti yt u prehtë në paqe e të qoftë dheu i lehtë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes!

GENTI RRUSHI
Një zë që nuk do të më hiqet nga mendja! Shoku ynë që dinte të ishte i vërtetë për gjithçka! RIP Gent Demalija!

GENTIAN ZENELAJ Më trishtove sot, o mik… Më trishtove sot, vëllai i shoqes sime… Më trishtove sot, o djali i mikut tim. Më trishtove sot, o miku im rebel. Më trishtove, o miku i bisedave të gjata rreth artit në shëtitoren e shkurtër të qytetit tonë të vogël. Më trishtove, o idhulli im i viteve të para të Rock n’Roll. Do mbetesh gjithmonë Rebeli Fisnik. R.I.P o mik… Tashmë dhimbja për ty mbaroi.

BESA KOKËDHIMA
U prehsh në paqe, i dashur mik! Ishe një artist i jashtëzakonshëm, një zemërluan! Gjithnjë i fisëm e pozitiv, një artist nga ata të rrallët! Trashëgimia jote artistike nuk do të shuhet kurrë! Sot është një ditë e trishtë për artin shqiptar! Ngushëllimet më të ndjera familjes!

JULIAN DEDA
Lajm i keq për artin në veçanti, për muzikën tonë. Gent Demaliaj ndërroi jetë. Më vjen vërtet keq që jam i detyruar të bëj një shkrim të tillë për një artist të madh. Gent, do ngelesh pa diskutim një nga zërat më të mirë që ka pasur kjo tokë. Vendi yt do të ngelet vërtet bosh, për shumë gjatë e mbase përgjithmonë. Lamtumirë artist Bio!

SIDRIT BEJLERI
Sapo doli nga skena e kësaj jete një mik i mirë… Nuk është kollaj të shkruash rreshta të tillë për një artist që i dha muzikës shqiptare këngët që i dimë të gjithë dhe do i këndojmë gjithmonë… Lamtumirë Gent! Zoti të mëshiroftë!

© Panorama.al

Te lidhura