Gruaja e Konomit: Unë e fëmijët, xhiro në makinën me eksploziv

Oct 2, 2011 | 12:28
Skerdilajd Konomi me bashkëshorten Enkelejda dhe dy prindërit e tij, në ditën e dasmës

Ka qenë vrasje pa paralajmërim. Pa konflikte, pa kërcënime, pa asnjë shenjë. E bindur vetë për këtë, bashkëshortja e Skerdilajd Konomit kërkon që të bindë edhe të tjerët. Për këtë, Enkelejda Konomi ia nis një rrëfimi për gazetën “Panorama” herët në kohë. Që 12 vjet më parë, kur ata u dashuruan në Qytetin Studenti, në besimin ndaj njëri-tjetrit, duke ndarë çdo sekret, në lidhjen që u bë edhe më e fortë me lindjen e vajzës, Sibora dhe djalit, Fatjon, e deri në minutat para vrasjes, ndërsa ndalet gjatë në ditët e fundit të krimit makabër.

Këtu, rrëfimi i Enkelejda Konomit bëhet sa i vështirë, aq dhe i pabesueshëm. Eksplozivi ka qëndruar për tre net në makinën e Skerdit, para se të shpërthente. Dhe pikërisht me këtë automjet ata kanë dalë xhiro nëpër qytet, duke blerë pije dhe disa ëmbëlsira të vogla për një festë të madhe: kishin vitin e gjashtë të martesës. Një përvjetor që për disa orë nuk e arriti dot numrin gjashtë. Ashtu siç nuk arriti dot të mbaronte kurrë pikturën që e kishte nisur së bashku me vogëlushen e tij të preferuar, Borën, së cilës i kishte premtuar se do ta përfundonin pas pune, atë të premte. Një sirenë shumëngjyrëshe që vajza 5-vjeçare e pikturoi të gjithën para disa ditësh dhe tashmë kërkon që t’ia tregojë gjithë krenari babait të saj, edhe pse e thërret vazhdimisht dhe nuk e gjen gjëkund. Mami Enka i ka thënë që ai ka ikur në qiell dhe sa herë të ketë nevojë për babin, duhet të dalë jashtë dhe të flasë me yjet, sepse ai është njëri prej tyre. Ashtu bëri, veçse… u kthye brenda duke qarë. Koha ishte e vrenjtur dhe nuk kishte asnjë yll në qiell. Babi i saj nuk ishte atje. Babi i saj nuk është më as në shtëpi. Babi i saj nuk dihet më se ku është, ashtu si edhe autorët e ekzekutimit të tij, për të cilët të gjithë thonë se janë shumë, por nuk flet asnjë…
Si jeni njohur me Skerdin?
Ka qenë një nga ato njohjet që ndodhnin shpesh në Qytetin Studenti. Unë sapo kisha filluar vitin e parë në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, në vitin 1999, ndërsa ai studionte për Juridik. Kisha vetëm pak ditë që isha në Qytetin Studenti kur më thotë një shoqja ime se një djalë nga Vlora, me emrin Skerdi, më kishte parë, pëlqyer dhe dëshironte të dilte me mua. Kështu nisi pak a shumë dhe pas disa muajsh u lidhëm…
Pra, kishit 12 vite bashkë?

Skerdilajd Konomi me bashkëshorten, Enkelejda

Po, janë 12 vite, por do të theksoja 12 vite shumë të lumtura. Nga viti 1999 është hera e parë që jam pa Skerdin, sepse dy vitet e para të lidhjes jetonim në Qytetin Studenti, aty pranë e pranë. Në vitin 2001, pra pas dy vitesh, ne u fejuam zyrtarisht dhe morëm një shtëpi me qira në Tiranë, derisa unë përfundova universitetin dhe ai Magjistraturën. Më pas ai vijoi punë si stazhier për një vit e gjysmë në Fier dhe e bënte çdo ditë vajtja-ardhje nga shtëpia e tij në Vlorë. Paralelisht unë nisa punë në Kuçovë, por më merrte në shtëpinë e tij që të enjten dhe më kthente në punë të hënën në mëngjes. Pastaj gjente sërish mundësi dhe shkëputej nga puna në Fier e vinte më takonte gjatë javës në Kuçovë. Pra, sërish ishim shumicën e kohës bashkë. Në vitin 2005 u martuam dhe, për ironinë e fatit të keq, e kemi varrosur në 6-vjetorin e dasmës. Ishim përgatitur për të bërë një festë të vogël së bashku, blemë ca ëmbëlsira për vajzën, tortën e tij të preferuar, disa pije, pa e ditur që në të vërtetë, pa vetëdije, po përgatisnim lamtumirën e fundit.
Mbase ai e dinte?
Ai nuk ka ditur asgjë.
Pse jeni kaq e sigurt?
Jo më kot ju fola për lidhjen tonë. Ne u rritëm bashkë. Në ato 12 vjet u dashuruam, u miqësuam, u maturuam së bashku. Nuk kishte sekrete mes nesh. Nuk fshihnim telefonat, e-mail-et apo të largoheshim gjëkundi pa e ditur destinacionin. Më mirë sesa unë, nuk e njeh asnjeri Skerdin dhe ju garantoj 100 për qind që ai nuk ka ditur asgjë. Kam lexuar kohët e fundit në internet gjithçka është thënë për Skerdin nga mediat dhe ja ku po ju them se nuk janë të vërteta.
Cila pjesë e tyre nuk është e vërtetë?
Që është paralajmëruar, që është kërcënuar, që është zënë me palën kundërshtare për rihapjen e çështjes së pronave etj.
Atëherë, si është e vërteta për secilën prej këtyre?

Gjyqtari i vrare me eksploziv me telekomande ne Vlore, Skerdilajd Konomi me bashkeshorten e tij, Enkelejda Konomi

Do të përpiqem t’i argumentoj secilën prej tyre, duke ju sjellë faktet përkatëse. E para, mbase po e përsëris shpesh, por ishim aq të lidhur me Skerdin, sa ai më tregonte çdo gjë. Mbase nuk më shpjegonte saktë procedurat ligjore apo veprimet juridike se unë nuk i kuptoja shumë mirë dhe ai ishte bërë ekspert me kalimin e viteve, por nëse do të kishte pasur kërcënimin më të vogël, ai do të më kishte thënë. Jo për faktin “për të spiunuar te gruaja”, por për të na mbrojtur si familje. Ai ishte i çmendur pas vajzës, Siborës, dhe te ajo nuk duronte dot as mizën, e jo më presionet. Si mund ta pranoj që Skerdi ka qenë i kërcënuar, i paralajmëruar për jetën dhe, nga ana tjetër, ai nuk e hiqte vajzën nga makina?! Dilte në çdo lloj orari dhe shpesh më këmbë për të ecur pak, shkonte për peshkim natën, pas orës 22:00, sepse e kishte shumë pasion dhe kthehej në orët e para të mëngjesit. Në një nga peshkimet e javës së fundit isha dhe unë me Borën madje, ku kaluam një natë të mrekullueshme, edhe pse nuk ndenjëm deri në fund. Pra, nëse do të ishte i kërcënuar, ai nuk do të na ekspozonte. Kurrë, e them me bindje këtë. Kurrë. Edhe sikur ta marrim të mirëqenë faktin që s’më ka treguar gjë mua, minimalisht ai do të na largonte gjëkundi për të na mbrojtur, dhe jo të na çonte drejt rrezikut. Pas 12 vitesh me Skerdin di të them me bindje se ai nuk ka ditur asnjë gjë për kërcënimet. Nëse do të kishte qenë i paralajmëruar, do të kishte lënë çdo gjë, do të kishte dhënë çdo gjë për Borën.
Edhe 2900 hektarët tokë në zonën bregdetare, që ndodhen në fshatin Rrushkull, Hamallaj dhe te Gjiri i Lalëzit?
Më e pakta, pronat. Unë nuk di të them se sa hektarë janë e çfarë vlere kanë, sepse vazhdimisht është marrë Skerdi me këtë gjë. Veç ju siguroj që Skerdi as e ka ditur fare që çështja ishte rikthyer prapë dhe pala kundërshtare kishte arritur të bllokonte regjistrimin e një pjese të kësaj prone në Hipotekë. Ai është larguar nga kjo botë pa e marrë vesh këtë e, madje, gjatë gjithë verës ishte i lumtur për fitimin e çështjes në Gjykatë gjatë qershorit. Ndërsa ne e kemi marrë vesh këtë gjë pas vdekjes së Skerdit, nëpërmjet mediave, dhe më pas na sollën letrat zyrtare për gjyqin që është të hënën, më 3 tetor.
Informacionet e deritanishme që kanë dalë nga hetimet flasin ndryshe. Ai është parë ditët e fundit para vrasjes edhe në Durrës, në Hipotekën e këtij qyteti.
Absolutisht jo. Nga data 7 gusht, kur Skerdi mori lejen e zakonshme, ai nuk ka lëvizur nga Vlora. Kemi qenë çdo ditë së bashku në plazh dhe kemi kaluar mrekullisht. Nuk është shkëputur nga shtëpia veçse 1 ose 2 orë për ndonjë kafe me shokët, ose vetëm gjatë natës, kur dilte për peshkim. Nuk largohej dot nga qyteti, pasi edhe prindërit e tij ishin në Greqi për pushime dhe mua më duhej ndihmë për fëmijët. Unë merresha me djalin e vogël, që në atë periudhë ishte 3 muajsh, ndërsa ai më së shumti me Borën, vajza e preferuar e babit. Madje ajo ka qenë periudha më e qetë për Skerdin, pas disa vitesh zvarritjesh nëpër procese gjyqësore dhe kishim filluar të bënim ndonjë plan të vogël.
Për shembull, çfarë planesh?
Të ndërtonim një shtëpi.
Vetëm kaq? Po ndonjë plan për biznes, duke qenë se prisnit të merrnit të gjitha pronat pas vendimit të qershorit?
Atij ende nuk po i besohej që e mori vërtet atë trashëgimi. Gjithnjë thoshte: “Vetëm të marr çfarë më takon me të drejtë, pastaj ka kohë për çdo gjë”. Për ne ishte e rëndësishme që të bënim në shtëpi të bollshme për të gjithë. Siç e sheh, ne jetonim së bashku me prindërit në këtë shtëpi modeste, me shumë pak hapësirë dhe vetëm 2 muaj para vrasjes kishim marrë një apartament me qira, këtu përballë (është një pallat i papërfunduar, gjysmë i banuar, i palyer, vetëm 20 metra larg shtëpisë së prindërve). E morëm vetëm për shkak të djalit të vogël, që të ishte më freskët dhe për qetësi gjatë kohës së gjumit. Vetëm sa flinim atje, pasi sërish jetonim me prindërit e Skerdit.
Zakonisht nuset bezdisen nga kjo gjë…
Është e çuditshme, Skerdi ishte i paparë për marrëdhëniet njerëzore, ndaj, siç e sheh, jam ende me prindërit e tij, të cilët sot janë prindërit e mi më shumë se kurrë. Dinte t’i jepte secilit dashurinë që i takonte dhe në këtë shtëpi jetonim të harmoni të plotë e shumë të lumtur; aq të lumtur, saqë nuk e besoj dot që ai nuk është më me ne.
Si ishte Skerdi si baba?
Mos më prek fare aty, të lutem… (shpërthen në lot)
Ishte i dhënë më shumë pas vajzës, apo pas djalit?
Si baba, normal që i donte të dy. I fliste djalit sikur të ishte burrë i madh dhe i thoshte: “Çohu se do shkojmë të lozim futboll”, ose “erdhi ora e peshkimit, rritu të më mbash rrjetat se le nam”, e të tilla gjëra për të qeshur. Ndërsa pas Borës bëhej si fëmijë për vete. Ishin shumë të lidhur që të dy. Gjatë javëve të fundit, në plazh, pata bërë qindra shkrepje fotografish dhe sapo t’i shohësh e kupton që ata nuk janë të zakonshëm. Ishte i çmendur pas saj dhe dëshirat e Borës ishin urdhra për t’u zbatuar nga të gjithë. Bora ka qenë gëzimi i jetës së tij nga lindja e derisa vdiq. Një ditë para vrasjes, të enjten, kur doli për punë, kishte dëshirë që ta merrte Borën me vete në zyrë. Nuk ishte hera e parë që e bënte këtë gjë.
E mori?
Jo, sepse nuk ia lashë unë. Lozi pak minuta me Borën dhe së bashku i dhanë dorën e fundit një pikture, duke lënë vetëm një pjesë të vogël pa mbushur. Ishte një sirenë dhe kishin disa ditë që po merreshin me të. I premtoi që do ta mbaronin pas pune dhe më pas do t’i blinin një kornizë. Pasditen e së enjtes sërish nuk e përfunduan pikturën, sepse dolëm si familje, kështu që e lanë për të premten, që sa të kthehej nga puna ta mbaronin… Fatkeqësisht Bora e mbaroi atë pikturë ditë më vonë, por pa të atin.
Cilat kanë qenë veprimet dhe fjalët e fundit mëngjesin e së premtes, kur dhe ndodhi vrasja?
Si çdo ditë, higjiena personale, pak bisedë familjare dhe iku paksa shpejt se ishte me vonesë. Kërkoi që të puthte djalin, por unë nuk e lashë, pasi po flinte gjumë dhe s’doja që ta zgjonte. Mori makinën dhe doli.
Meqë dolëm te makina, ditën e vrasjes a i kishte Skerdi të shpuara gomat e makinës së tij?
Jo. Goma është gjetur e shpuar dy ditë më parë. Pra, të mërkurën. Atë ditë në mëngjes ai po shkonte në punë dhe mori edhe mamanë tim për ta lënë në qytet. As e kemi parë fare brenda në shtëpi se ka qenë goma e shpuar, por pasi ka dalë nga avllia e shtëpisë, duke ecur rrugës, poshtë, ka parë që diçka nuk shkonte. Siç më tregoi mami më pas, ai ka dalë nga makina dhe i ka vënë gomën rezervë. Atë ditë ka shkuar në punë me makinën e tij.
Po të premten, pra ditën e vrasjes, pse mori makinën tuaj duke qenë se makina e tij paska qenë në rregull?
E merrte shpesh makinën time, duke qenë se unë nuk lëvizja shumë kohët e fundit. As në punë nuk shkoja se isha dhe jam me leje lindje. Duke qenë se makina ime konsumonte më pak, atëherë brenda qytetit përdorte makinën time. Për më tepër, ditën e shpimit të gomës makinën time e kishim te mekaniku për ta rregulluar dhe pas kthimit, të mërkurën, ai donte ta shikonte se si funksiononte.
Çfarë problemi kishte makina?
Jo ndonjë gjë të madhe, një defekt të vogël në filtrin e naftës, të cilin e ndërroi. Jam e bindur se kur makina ka shkuar te mekaniku për t’u rregulluar, të mërkurën, eksplozivi ka qenë i vendosur. Pra, që të martën në darkë ai ka qenë aty.
Na sqaroni diçka… Pra, Skerdi e ka përdorur edhe të enjten makinën tuaj?
Po, edhe të enjten.
Nëse është kështu, si ka mundësi që eksplozivi nuk është aktivizuar që gjatë ditës së enjte, por të premten?
Sepse ekzekutorët nuk kanë gjetur momentin e përshtatshëm. Të mërkurën, siç thashë, ishte në servis. Ndërsa të enjten, siç duket, Skerdi ose ka qenë me ne në makinë, ose të afërm apo miq, ose gjatë kohës së ecjes ka pasur shumë makina pranë, duke marrë parasysh se ishte sezon plazhi, ku automjetet ishin ngjitur me me dhjetëra. Pra, nuk kanë pasur rrethanat e duhura.
Në këto dy ditë, a keni qenë edhe ju në makinën me eksploziv?
Të mërkurën jo, sepse më duhet t’jua përsëris që u përdor makina tjetër, ajo e Skerdit. Ndërsa të enjten po, ishim në makinën me eksploziv gjatë gjithë pasdites, deri në mbrëmje. Ju tregova që dolëm për të blerë disa gjëra, meqë kishim dhe përvjetorin e gjashtë të martesës.
Vutë re ndonjë gjë të dyshimtë?
Përveçse kaluam një pasdite dhe mbrëmje fantastike, asgjë tjetër.
Po lajmin e vrasjes, si e morët vesh?
Ne ishim mësuar që flisnim shpesh në telefon. Një moment e mora dhe më dilte i fikur. Nisa të shqetësohesha sepse ai nuk e fikte telefonin dhe flisnim shumë shpesh gjatë ditës. Më pas më merr një kushëri i imi dhe më pyeti vetëm se ku isha. Më pyeti 2-3 herë dhe nisa të dyshoja. Duke qenë se telefoni i Skerdit vijonte të dilte i fikur, mendova se mos ai kishte bërë aksident. Më pas erdhën disa njerëz në shtëpi dhe nuk mbaj mend se kush ma tha i pari, vetëm kam shtangur për disa minuta dhe m’u mor fryma. Është vështirë t’i përshkruash me fjalë ato çaste, edhe vetë kur e kujtoj më duket sikur shoh veten në një film pa zë.
Pas gjithë këtij rrëfimi, a keni ndonjë ide se kush ka gisht në këtë ngjarje?
Nuk dua të bëj hamendësime, duke qenë se nuk di asnjë lloj konflikti konkret. Veç, për nga mënyra se si u krye vrasja, di të them që të tjerë janë urdhëruesit dhe të tjerë janë ekzekutorët.
Thoni se nuk dini as urdhëruesit, as ekzekutorët. Po motivin e vrasjes, e dini?
E para, përjashtoj konfliktet personale, sepse Skerdi ndër vite nuk është konfrontuar me njeri. Ishte nga ata persona që e bënte të ndihej mirë edhe rojën, edhe pastruesen, edhe të proceduarit, edhe funksionarët. Gjithçka e kalonte me batuta, ndërsa nuk merrej me takime përballë për çështje të ndryshme profesionale, por vetëm nëpërmjet dokumentacioneve. Në kaq vite përvojë si gjyqtar e dinte më së miri që vetëm letrat kishin vlerë dhe jo fjalët. Pra e përjashtoj motivin e vrasjes për motive banale dhe për shkak të detyrës. Për mendimin tim, tim shoq u vranë për të drejtën e pronës së tij dhe të trashëgimtarëve.
Për një të drejtë prone disa milionë euro?
Nuk më pëlqen fakti që të bëhen llogaritjet të hamendësuara për atë pronë nëpër gazeta kur nuk dihet absolutisht vlera e 1/5-tës së asaj prone që na takon. Edhe ne si trashëgimtarë nuk e dimë akoma.
A ju kanë thirrur në Prokurori për të dëshmuar?
Kam dhënë dëshminë time në shtëpi për Prokurorinë.
Sa herë jeni thirrur në Prokurori?
Nuk jam thirrur atje, grupi hetimor ishte në shtëpinë tonë, ku na pyeti të gjithëve se çfarë dinim si familjarë.
Dhe çfarë dini ju si familjarë?
As më shumë e as më pak nga kjo çfarë ju rrëfeva deri tani. Edhe prindërit e Skerdit nuk dinë asgjë më tepër.
Po nga grupi hetimor, ju kanë treguar ndonjë gjë, ndonjë pistë dyshimi etj?
Jo, asgjë. Ne presim tashmë vetëm prej tyre, ndaj u shkruam të gjithë funksionarëve më të lartë të shtetit dhe ndërkombëtarëve. Nuk është diçka që mund ta zgjidhim individualisht, por vetëm ligjërisht.
Nëpër media flitet për emra ish-deputetësh dhe shtetarësh të interesuar për të njëjtat prona. Mendoni se shteti ka dorë në vrasjen e tij, ashtu siç pretendohet në disa media?
As po pretendoj dhe as po akuzoj. Jo vetëm unë, por si familje, i kërkojmë shtetit si forcë madhore që të gjejë autorët e kësaj vrasjeje mafioze dhe t’i dënojë sipas ligjeve të shtetit, të mos lejojë që padrejtësia të triumfojë mbi të drejtën.
Keni besim se do të zbardhet kjo ngjarje?
Besimi më i madh më vjen nga kolegët e Skerdit. Besoj te dashamirësia dhe dëshira e tyre për të zbuluar ekzekutorët, si një mënyrë për të respektuar kujtimin e tij. Ata na kanë qëndruar pranë dhe shpresoj të qëndrojnë deri në fund. Megjithatë, unë po u jap të gjithë besimin institucioneve shtetërore për të gjetur autorët. U kam dërguar një letër dhe peticion të gjithëve, që nga Presidenti, Kryeministri, disa titullarëve të tjerë të rëndësishëm, si dhe organizmave ndërkombëtare në Shqipëri e më gjerë. Po e nis këtë betejë për të gjetur fajtorët, pa paragjykim, por ama edhe me shumë frikë.
Pse me frikë?
Kush më garanton se ajo që i ndodhi Skerdit nuk më ndodh edhe mua? Ai nuk u paralajmërua, vetëm u ekzekutua me një plan aq të ftohtë, sa do t’ia ndiej dridhmat gjithë jetën. Kam frikë për vete, për fëmijët, për prindërit e Skerdit. Tashmë jemi vetëm.
Personalisht, çfarë planesh keni këtej e tutje?
Plani im i vetëm është të rris fëmijët, sa më të sigurt. Vetëm se kam një problem, ende nuk e kam pranuar se Skerdi ka vdekur. Kur vjen mbrëmja, çdo natë, marr telefonin dhe i bie numrit të tij. Dëgjoj zërin e sekretarisë që më thotë se “abonenti ka fikur telefonin, ju lutem provojeni më vonë…”. Në atë çast më duket sikur ai zë më jep kurajë dhe pa vetëdije e provoj prapë, e prapë, e prapë, me shpresën se do ta hapë telefonin dhe do t’ia dëgjoj sërish zërin. Sikur gjithçka ishte një ëndërr e keqe…
Po kur zgjohesh?
Zgjimi është me këmbë në tokë për mua, por shumë i dhimbshëm për vajzën. Bora e kërkon çdo ditë. Kam biseduar me një psikologe dhe ajo më këshilloi që t’ia shpjegoja pak nga pak.
Dhe si ia keni shpjeguar?
Sikur babai i saj është larguar drejt qiellit dhe atje është bërë një yll. Por ajo mund t’i flasë çdo natë dhe ai e dëgjon për çdo gjë. Pas këtij shpjegimi ajo u mërzit shumë një natë, kur koha ishte e vrenjtur. Doli jashtë dhe kërkonte yjet, sepse mbushi atë pikturën që babai i saj ia kishte premtuar që do ta përfundonin së bashku dhe dëshironte që t’ia tregonte. Por sapo ngriti sytë nga qielli, nuk kishte më yje prej kohës me shi, ndaj filloi të qante dhe tha që: “Si t’ia bëj sonte? Babi nuk është në qiell”. Janë biseda që ngec shumë keq, pasi nga njëra anë përpiqem të mbaj lotët e mi dhe, nga ana tjetër, t’i argumentoj diçka Borës.
Këtë rast, si ia argumentuat?
Te dhoma e pritjes kemi fotografinë e madhe të Skerdit. I thashë që sa herë nuk janë yjet, ai vjen këtu brenda te kjo fotografia dhe mund t’i flasë aty, pasi është njësoj. Më pyeti se për sa kohë do  të jetë kështu dhe kur do të vijë dita që babi t’i kthehet. Ngeca sërish… Nuk e di nëse bëra mirë apo keq, por i thashë se kur të bëhet në moshën time, atëherë do të kthehet. Tani është vetëm 5 vjeçe dhe mendova që deri atëherë do të jetë e gatshme që të mësojë të vërtetën e dhimbshme, edhe pse nuk e di se si do t’i përballojë gjithë këto vite. Po ashtu, nuk e di se sa do ta mbajë mend marrëdhënien aq të afërt që pati me Skerdin, a do ta kujtojë ndjesinë e babait. Shpresoj që mos t’i harrojë ajo të paktën, sepse djali, fatkeqësisht, nuk arriti dot as të hidhte hapat e parë me babanë e tij.

Konomi, tërhiqet dosja e padisë për falsifikim

Skerdilajd Konomi

Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestron padinë e bërë nga ish-gjyqtari i Vlorës, Skerdilajd Konomi, për falsifikim dokumentesh nga pala kundërshtare në konfliktin e pronësisë për truallin në bregdetin e Durrësit. Gjyqtari i Vlorës Skerdilajd Konomi, pas vitit 2007 kishte bërë një padi për falsifikim dokumentesh ndaj disa personave që pretendonin ta përjashtonin atë nga e drejta e trashëgimtarit për një sipërfaqe toke prej 157 hektarësh në Gjirin e Lalëzit. Konomi pretendonte në padinë e tij se me dokumente false (regjistri i pronave), babai i tij Fotaq Konomi ishte përjashtuar nga statusi i trashëgimtarit, me vendimin e Agjencisë Qendrore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë, pasi Komisioni i Durrësit ia kishte dhënë Konomëve pasurinë. Padia e gjyqtarit Konomi, bërë në Prokurorinë e Durrësit, është transferuar në Tiranë ku po hetohet, ndërkohë që menjëherë pas vrasjes më 9 shtator 2011, grupi hetimor i Krimeve të Rënda ka kërkuar materialet e kësaj çështje nga Prokuroria e Tiranës. Kjo e fundit ka fotokopjuar dokumentet në fjalë dhe i ka përcjellë te grupi hetimor i vrasjes së gjyqtarit, i cili tashmë ka një evidencë më të qartë të personave që kishin konflikt me magjistratin 33-vjeçar. Pala kundërshtare, nga ana e saj kishte paditur në Prokurorinë e Durrësit gjyqtarin Konomi, duke e akuzuar se me një vendim fals kishte tentuar të regjistronte pronën në Hipotekë në emrin e tij si trashëgimtar i saj. Krahas veprimeve të tjera hetimore, mësohet se Prokuroria ka marrë edhe letrat që familja e gjyqtarit i ka dërguar së fundi Presidentit, Kryeministrit dhe ambasadave të huaja. Në këto letra theksohet se konflikti i pronave është shkaku kryesor i vrasjes së gjyqtarit, që humbi jetën nga shpërthimi me telekomandë në Vlorë, më 9 shtator.

prona
Prona “Çifliku Rrushkull ose Çifliku i Ri” në vitin 1919 i përkiste Miltiadh Shallvarit. Ai vdiq më 17 maj 1933,  por më 8 maj 1929,  i ka lënë trashëgimi pasurinë e tij,  me testament,  zonjës  Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo. Kalimi i pronësisë me testament te gruaja në fjalë u shoqërua në vitin 1940,  kur në zyrën e Hipotekës së Durrësit u regjistrua me dokumente fakti se shtetasit Edita Shallvari,  e bija e trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari dhe Nikolo Shallvari,  vëllai i trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari, kanë hequr dorë nga çdo e drejtë që mund t’u takojë për efekt trashëgimie.

Nga e derguara jone ne Vlore/ ELISABETA ILNICA

 

© Panorama.al

Te lidhura