
FUSHE-KRUJE- Në burgun e sigurisë së lartë të Fushë-Krujës, vijon dita e pestë e grevës së urisë. Të burgosurit, të dënuar për vepra të rënda penale, kanë refuzuar edhe dje të marrin ushqim duke kërkuar përmbushjen e kërkesave të tyre, tashmë të bëra publike nëpërmjet avokatëve të tyre. Pesë ditë pas refuzimit të ushqimit, dje reagoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila bëri të ditur disa pika që do të përmbusheshin në lidhje me kërkesat e të dënuarve. “Me qëllim marrjen e masave për reduktimin e shpenzimeve operative të institucionit dhe rritjen e elementeve të sigurisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ndërmori një sërë masash që konstatojnë në: përcaktimin e një norme ushqimore që do lejohej të futej në regjimin e brendshëm nga familjarët për personat me liri të kufizuar, lejimin e një mjeti të komunikimit, 1 televizor, 1 magnetofon, 1 digital, për çdo qeli dhe jo më shumë, si dhe lejimin e një pajisjeje freskuese dhe ngrohëse për dhomë”, thuhej në njoftimin e burgjeve, nga ku theksohej më pas se marrja e këtyre masave nuk u mirëprit nga disa persona me liri të kufizuar të IEVP Fushë-Krujë, të cilët prej dy ditësh refuzuan të merrnin vaktet e ushqimit të ofruara nga institucioni dhe, ndërkohë, konsumonin ushqimet e sjella nga familjarët. Në fakt, numri i personave që kanë refuzuar të marrin ushqimin, është ulur ndjeshëm, ndërsa mësohet se gjendja është drejt përmirësimit. Ata ishin ankuar për mosfunksionimin e dusheve, si dhe sistemin e ngrohjes nëpër dhoma. Gjithashtu, kërkonin vendosjen e rrobave për tharje në dritare, në një kohë që nëpër dhoma ka shumë lagështirë. Po kështu, dyqani i brendshëm i burgut nuk është korrekt, pasi shumë artikuj mungojnë dhe çmimet janë më të shtrenjta se jashtë burgut. Të dënuarit u ankuan edhe për mbipopullimin, si dhe për ushqimin që u vjen nga familjarët, nga i cili nuk lejohet më shumë se 5 kg për njeri në 7 ditë. Sipas tyre, ushqimi i burgut nuk është higjienik dhe i shëndetshëm. r.n











