Greva e urisë, dy gra paraplegjike në spital

Apr 20, 2011 | 11:06

Përkeqësohet ndjeshëm gjendja shëndetësore në ditën e gjashtë të  grevës së personave me aftësi të kufizuara. Dy gra janë dërguar për në spital paradite, pasi kishin probleme me zemrën e tensionin si dhe kontraksione në gjymtyrë. Pasi kanë marrë asistencën mjekësore, njëra prej tyre i është rikthyer grevës, ndërsa tjetra është ende në gjendje jo të mirë shëndetësore, ndonëse ka lënë spitalin. Edhe pse situata është kritike, para dhe tetraplegjikët kanë deklaruar se nuk do të dalin nga greva deri në plotësimin e kërkesave të tyre. “Gjendja shëndetësore sa vjen dhe rëndohet, për arsye të tensionit, të kontraktimeve, të ritmit të zemrës. I bëj apel qeverisë që të marrë një vendim për ne. Kemi tre vjet që kërkojmë këto pika dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim, pra gënjejnë”, është shprehur kryetarja e shoqatës, Mybere Prizreni. Dje për situatën e grevistëve kanë reaguar edhe Këshilli i Personave me Aftësi të Kufizuara si dhe Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut. Kryetari i Këshillit të Personave me Aftësi të Kufizuar, Sinan Tafai, tha se pritet që të ketë një reagim brenda pak ditësh nga strukturat e qeverisë mbi problemet ekonomike të para dhe tetraplegjikëve. “Nga kontaktet që unë po mbaj me Ministrinë e Punës, na është bërë me dije se është duke  u shqyrtuar çështja dhe do të mbahet një qëndrim, shpresoj sot ose nesër maksimumi dhe do të kthehet një përgjigje se çfarë do të ofrohet nga kërkesat e tyre. Ata kanë përgjegjësinë që këto kërkesa duhet t’i kishin shqyrtuar me kohë dhe të ndërtohet një bashkëpunim real institucional”, theksoi Tafai. GSHDNJ-ja përmes përfaqësuesve të tij vizitoi grevistët në ambientet përkatëse dhe u njoh nga afër me problemet dhe kërkesat që ata parashtronin lidhur me këtë çështje. “GSHDNJ-ja, duke marrë shkas nga kjo situatë, mendon se nuk është e nevojshme që të detyrohet kjo shtresë e marxhinalizuar e shoqërisë për të ndërmarrë veprime ekstreme për realizimin e të drejtave të tyre, në një kohë që është detyrim i shtetit për të garantuar plotësimin e kushteve për këta persona. Disa here me radhë, ky komunitet përpiqet të fitojë të drejtat e veta, duke u futur në grevë urie”, thuhet në deklaratën e këtij grupimi. Përfaqësuesit e tij shprehin shqetësimin për gjëndjen shëndetësore të grevistëve dhe e quan shkelje të rëndë nga ana e qeverisë mungesën e vëmendjes dhe reagimin e saj të vonuar për t’iu asistuar këtij komuniteti. GSHDNJ-ja i kërkon Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale që të marrë masat e nevojshme për të plotësuar kërkesat e invalidëve para dhe tetraplegjikë, në mënyrë që të eliminohet çdo formë pabarazie në raport me shtresat e tjera të shoqërisë”,bënë me dije përfaqësuesit e këtij institucioni. Sipas deklaratës, këto veprime të institucioneve të shtetit shqiptar duhet të aplikohen në një kohë sa më të shpejtë, për të minimizuar çdo pasojë të mundshme që do të dëmtonte shëndetin e grevistëve.

© Panorama.al

Te lidhura