
Qeveria greke pranoi zyrtarisht se nuk mund t’i arrijë synimet e saj për riparimin e deficitit buxhetor, me gjithë masat super të ashpra të kursimit në buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili u miratua të dielën. Deklarata e qeverisë greke solli reagimin e menjëhershëm të tregjeve, ku euro pësoi rënie të ndejshme në të gjitha bursat e botës. Llogaritjet treguan se Greqia nuk mundi ta kapërcejë hendekun e madh të borxhit, me gjithë buxhetin e ashpër të miratuar një natë më parë dhe me gjithë shkurtimet e mijëra nëpunësve, edhe pse Kushtetuta e vendit e ndalon këtë. Deklarata e fundit nga qeveria Papandreu hedh dyshime edhe mbi marrjen e këstit të ri të ndihmës nga BE-ja, BQE-ja dhe FMN-ja, vëzhguesit e të cilëve ishin në Athinë për të vendosur mbi këtë këst 8 miliardë eurosh, bazuar në parashikimet fiskale pas masave të fundit të kursimit. Vendi i mbytur në borxh ka deklaruar se, nëse nuk i merr këto para, do të falimentojë brenda pak javësh dhe kjo do të shkaktonte kaos financiar. Drafti i buxhetit, i cili u dorëzua mbrëmë në Parlament për të hapur një debat urgjent mbi miratimin përfundimtar të tij, përmban masa të reja të egra kursimi, përfshirë aplikimin e një sistemi pagash për nëpunësit civilë, uljen e pensioneve dhe rritjen e çmimit të gazit për ngrohje në të njëjtin nivel si ai i karburantit të makinave, një masë që hyn në fuqi nga tetori i ardhshëm. Plani fiskal për vitin e ardhshëm në Greqi parashikon borxhin publik në sasinë e më shumë se 391 miliardë eurove, nga 181.8 për qind e GDP-së së projektuar të këtij vendi. Papunësia do të rritet me 16.4 për qind. Investimet do të bien më tej me katër për qind, ndërsa konsumi privat do të bjerë me 3.8 për qind. Ministri i Financave, Evangelos Venizelos, ka lëshuar një deklaratë ku sugjeron se masat në draft-buxhet do të sigurojnë realizimin e synimeve fiskale për 2012-n dhe do të kompletojnë një përpjekje të ashpër e të dendur mbi riparimin fiskal.
Rritet deficiti
Me gjithë llogaritjet, deficiti buxhetor në Greqi do të jetë 8,5 për qind, larg nga synimi që kishte për të arritur qeveria greke dhe parashikimet nga FMN-ja dhe BE-ja, se deficiti grek brenda vitit të ardhshëm do të arrinte në 7,6 për qind.
Takimi
Ndërkohë që Greqia diskutonte masat e reja, në Bruksel ministrat e Financave të eurozonës u mblodhën në një samit, ku temë kryesore ishte ekonomia greke dhe falimentimi i këtij vendi. Sipas kryefinancierëve të eurozonës, rreziku i falimentimit të Greqisë përbën një presion të madh ndaj saj, BQE-së dhe ekonomisë botërore në përgjithësi.











