Për herë të parë në Greqi është anuluar, për shkak të fyerjeve dhe protestave, një paradë ushtarake, në të cilën merrte pjesë edhe Presidenti i vendit, Karolos Papulias. Turma e njerëzve të pakënaqur nga kushtet e rënda të krijuara për shkak të krizës ekonomike ka bërë thirrje fyese kundrejt Presidentit të vendit dhe politikanëve të tjerë që ishin të ftuar në paradë, duke krijuar tension në bulevardin e Selanikut. Parada ushtarake do të zhvillohej paraditen e së premtes, por si rezultat i protestave, ajo është shtyrë dhe më pas, anuluar. Qindra njerëz tentonin t’i afroheshin podiumit ku qëndronte Presidenti grek, i cili është rrethuar nga policia, që megjithëse kishte marrë masa të rrepta sigurie, nuk mundi t’i bënte ballë presionit të njerëzve dhe zemërimit të protestuesve. Bulevardi u bllokua dhe parada u anulua. Presidenti Papulias shprehu keqardhjen dhe pakënaqësinë e tij në lidhje me reagimet e popullit. “Është turp të më quajnë ‘tradhtar’, kur unë kam luftuar që 15 vjeç kundër nazizmit për vendin tim”, tha Papulias. 28 Tetori shënoi këtë vit 71-vjetorin e fillimit të luftës italo-greke.











