
Qeveria e re e përkohshme e Greqisë u betua dje në një ceremoni në pallatin presidencial, duke zëvendësuar qeverinë teknokrate dhe duke udhëhequr vendin deri në zgjedhjet e 17 qershorit. Qeveria ndryshoi pasi lideri i Syriza, Alexis Psipras, refuzoi që të mbështesë zgjatjen e mandatit të Kryeministrit teknokrat Lukas Papademos. Kështu, gjykatësi i njohur Panajotis Pikramenos, i cili do të jetë kryeministri i ri, paraqiti ministrat e tij njëmujorë. Jorgo Zanias, i cili ka shërbyer si kryeekonomist në Ministrinë e Financave që nga nisja e krizës, u betua si ministër Finance. Sipas Pikramenos, ministri i ri i Jashtëm, Petros Moliviatis, do të përfaqësojë Greqinë në samitin e NATO-s. Janë gjithsej 16 ministra, (pa zëvendës), kryesisht profesorë universiteti, ish-ministra dhe diplomatë. Më pas u zhvillua ceremonia e betimit të deputetëve për Parlamentin e zgjedhjeve të 6 majit, i cili do të shpërndahet përsëri sot duke i hapur udhë fushatës zgjedhore. Kabineti i ri ka pranuar të heqë dorë nga pagesat qeveritare përgjatë periudhës deri në zgjedhje, ndërsa Pikramenos u kërkoi atyre të shërbenin me moralin dhe standardet etike që kërkon koha. Një ditë pasi ia kaloi pushtetin Pikramenos, i cili vetë u betua të mërkurën, ishkryeministri teknokrat Lukas Papademos ka paralajmëruar se dalja e Greqisë nga eurozona do të ishte një shkatërrim ekonomik dhe humbje strategjike për vendin, duke u bërë thirrje grekëve të pranojnë reformat e dhimbshme. Ndërkohë presidentja e FMN-së, Kristine Legarde, deklaroi publikisht qëndrimin e organizmit që drejton, se udhëheqësit politikë në Greqi duhet të tregojnë gatishmërinë e tyre për të qëndruar në eurozonë. Ajo argumentoi se “dalja eventuale e Greqisë nga euro do të jetë jashtëzakonisht e shtrenjtë dhe e vështirë, dhe jo vetëm për Greqinë”. Legarde tha gjithashtu se “duhet të shohim skenarin më të mirë, ku vendi ka vullnetin politik të respektojë angazhimet e tij dhe të mbetet në eurozonë, gjë që duket të jetë dëshira e popullit. Kjo është e lidhur në mënyrë rigoroze me përpjekjet që të përmbushet programi për të cilin është rënë dakord me partnerët europianë”.
“Greqia si Argjentina”, analistët sugjerojnë të shpallë falimentimin
Në analizat e “Observer” të prestigjiozes britanike, “The Guardian”, Greqisë i sugjerohet të dalë nga eurozona, si zgjidhja më e mirë për vendin, duke e paralelizuar atë me rastin e Argjentinës, që pasi doli nga monedha e përbashkët konvertuese me SHBA, dollari peg, dhe pasi shpalli falimentimin, rinisi rimëkëmbjen ekonomike. Analisti Larry Elliot shkruan në artikullin e tij me titull “Greqia duhet të ndjekë shembullin e Argjentinës”, si më poshtë: “Siç ka treguar eksperienca e Argjentinës pas vitit 2002, kur një krizë ekonomike godet, mënyra më e mirë është ta kalosh vetëm. Papunësia në Greqi qëndron në një nivel rekord prej 21.7 për qind. Më shumë se një në dy të rinj mes moshës 18 dhe 24 vjeç janë të papunë. Ekonomia në fund të vitit 2012 do të jetë 20 për qind më e vogël se sa ishte pesë vjet më parë, dhe nuk tregon se do të ketë përmirësime. Prandaj, kur klithjet shkojnë deri atje sa tregojnë se shkëputja e Greqisë nga eurozona do të jetë katastrofë për Greqinë, kundërpërgjigja logjike do të ishte: sa më keq akoma mund të shkojë? Grekët e kuptojnë plotësisht se jeta jashtë monedhës së përbashkët do të jetë e ashpër. Ata e dinë se falimentimi mbi borxhet dhe zhvlerësimi i monedhës do të kenë kosto, përfshirë rënien në prodhim, një rënie tjetër në standardet e jetesës dhje rreziku i një inflacioni shumë më të madh. Por alternativa – vit pas viti depresioni ekonomik, ndërsa Greqia përpiqet ta bëjë veten më konkurruese – nuk duhet as kjo një zgjidhje komode. Teorikisht, Greqia do të dëshironte të qëndronte në euro pa nivelin aktual të masave të kursimit, por në qoftë se këto objektiva do të rezultojnë të papajtueshme ajo përfundimisht do të duhet të zgjedhë në mes dy opsioneve”, shkruhet mes të tjerash në artikull.
© Panorama.alZBUTET MERKEL
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të mërkurën se ajo ishte gati të diskutonte programe stimulimi për të rritur sërish ekonominë greke dhe tha se ajo është e angazhuar ta mbajë Greqinë në eurozonë, duke sinjalizuar një qëndrim më të butë drejt vendit në krizë. Nëse zyrtarët grekë janë duke kërkuar “stimulim që do t’i çojë drejt rritjes në eurozonë, që ne mund ta ushtrojmë në interes të Greqisë, ne jemi të hapur për ta bërë këtë”, tha Merkel.











