Grabitjet e kazinove, Apeli: Burg studentes “politikane”

Oct 9, 2011 | 12:43

Gjykata e Apelit në Tiranë la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Jonida Çurajn, studenten e Shkencave Politike, e dyshuar si bashkëpunëtore e një grupi grabitësish me armë të kazinove në kryeqytet. Studentja Çuraj ishte një nga personat e arrestuar mbrëmjen e 14 shtatorit pranë sheshit “Avni Rustemi”, në një operacion policor, ku nga shkëmbimi i zjarrit u plagosën tre veta, një nga të cilët polic. Sipas Gjykatës së Apelit, në “arrest me burg” do të vijojë të qëndrojë edhe i dyshuari Ani Rrapa, i arrestuar në të njëjtin operacion. Lajmi për vendimet e shpallura dy ditë më parë nga Gjykata e Apelit u konfirmuar nga burime zyrtare pranë këtij institucioni. Sipas burimeve, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se nuk ekzistonin kushte apo prova të reja, sipas të cilave të dyshuarve Çuraj dhe Rrapa mund t’u lehtësohej masa e sigurisë.
“VEZHGUESIT”
Sipas organit të akuzës, dy të akuzuarit, Jonida Çuraj dhe Ani Rrapa, janë bashkëpunëtorë në grupin i cili dyshohet të ketë kryer mbi 19 grabitje. Referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës të 17 shtatorit, që caktoi “arrest me burg” ndaj tyre, mbrëmjen e arrestimit ata kanë mbajtur në dijeni pjesën tjetër të grupit në lidhje me lëvizjen e rojës së kazinosë. “Ky mjet ka lëvizur disa herë në rrugën pas Prokurorisë së Përgjithshme dhe në rrugën ‘Luigj Gurakuqi’. Shtetasit Jonida Çuraj e Ani Rrapa kanë zbritur nga mjeti dhe janë ulur jashtë në një lokal përballë kazinosë, ndërsa mjeti ka vazhduar lëvizjen. Gjatë kësaj kohe, shtetasi Ani Rrapa është parë vazhdimisht të komunikonte me telefon celular. Në momentin që roja i kazinosë është futur brenda, menjëherë nga tuneli që lidh rrugicën e Prokurorisë së Përgjithshme me rrugën ‘Luigj Gurakuqi’ kanë dalë shtetasit Bejo Pasha e Niklovan Çuraj dhe kanë hyrë brenda ambienteve të kazinosë, ku edhe kanë realizuar vjedhjen me armë. Shtetasit Ani Rrapa e Jonida Çuraj kanë tentuar menjëherë të largohem me një taksi, por janë kapur nga punonjësit e policisë”, thuhej në vendimin e Gjykatës.
GJURMIMI
Mbrëmjen e 14 shtatorit 2011, një pikë lojërash fati pranë sheshit “Avni Rustemi” në Tiranë ishte “shënjestruar” për t’u grabitur. Por, në anën tjetër, të dyshuarit si grabitës nuk e dinin se prej disa muajsh ishin nën vëzhgimin e policisë. Kështu, këtë mbrëmje, sapo realizuan “goditjen” e radhës, ata u gjendën përpara forcave të policisë, të cilët vepruan për arrestimin e tyre. Në të njëjtin operacion u arrestuan edhe Niklovan Çuraj dhe Bejo Pasha. “Menjëherë pasi kanë realizuar vjedhjen, autorët janë prangosur nga punonjësit e policisë në momentin që po largoheshin. Gjatë prangosjes, shtetasit Niklovan Çuraj dhe Bejo Pasha kanë përdorur armë zjarri ndaj forcave të policisë. Gjatë ndërhyrjes, nga shkëmbimi i zjarrit janë plagosur të dy këta shtetas, si dhe një punonjës policie”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Tiranës.

19 grabitje
dyshohet se janë kryer nga të akuzuarit në kryeqytet, në një hark kohor prej më pak se një viti. Seriali i vjedhjeve u zbulua nga kamerat e sigurisë së disa kazinove

Përplasja me policinë
Grupi i grabitësve të kazinove është përleshur me forcat e policisë gjatë tentativës së fundit për kryerjen e një grabitje në afërsi të qendrës së Tiranës. Në momentin që po tentonin të kryenin vjedhjen e një kazinoje pranë 9-katësheve në Tiranë, autorët e krimit janë pikasur nga policia, e cila ka vendosur të ndërhyjë. Si pasojë, ka pasur shkëmbim zjarri dhe dy nga grabitësit janë plagosur, kurse lëndime ka marrë edhe një efektiv i Policisë së Tiranës.

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura