Grabitje masive në një bankë në Gjermani: Hapën mijëra kasaforta, dëmi deri në 30 milionë euro

Dec 30, 2025 | 16:41

Persona të panjohur kanë depërtuar në një degë banke në zonën e Gelsenkirchen-it, në landin e Nordrhein-Westfalenit në Gjermani, duke përfituar nga pushimet e Krishtlindjeve.

gjermani

Sipas mediave gjermane, autorët përdorën metodën e njohur si “rififi”: me një shpues profesional kaluan nga një parking ngjitur dhe arritën të futen në ambientet e bankës, ku hapën një numër shumë të madh kasafortash të sigurisë.

Pas grabitjes, ata dyshohet se u larguan me automjet. Ngjarja shkaktoi tronditje të madhe te klientët e bankës. Pasi lajmi u bë publik, rreth 200 persona u mblodhën jashtë degës bankare; disa shpërthyen në lot, ndërsa të tjerë bërtisnin duke kërkuar të hynin në ndërtesë. Policia u detyrua të ndërhyjë për të qetësuar situatën dhe për të nisur dokumentimin dhe sigurimin e provave.

Mes të dëmtuarve ka familje që deklarojnë se në kasafortat e bankës kishin ruajtur kursimet e një jete të tërë. “Të gjitha paratë tona ishin aty”, tha një familje, duke përshkruar shokun e përjetuar.

Sipas Agjencisë Gjermane të Lajmeve (dpa) dhe mediave të tjera, janë thyer rreth 3.200 kasaforta sigurie, duke prekur mbi 2.500 persona, ndërsa vlera e sendit të vjedhur vlerësohet se arrin deri në 30 milionë euro.

Në një deklaratë për shtyp, policia bëri të ditur se janë hapur me dhunë disa mijëra kasaforta, ndërsa vlerësimet fillestare flasin për dëme që kapin dhjetëra milionë euro.

Nga ana e saj, banka njoftoi se ndodhet tashmë në bisedime me kompaninë e sigurimeve. “Duam të ndihmojmë klientët që të kuptojnë se cilat dokumente duhet të dorëzojnë”, thuhet në deklaratë.

© Panorama.al

Te lidhura