Grabitja e Muzeut të Luvrit në pak minuta, prokuroria franceze: Vjedhja e bizhuterive u krye nga kriminelë të vegjël, janë banorë të zonës! Mes të dyshuarve edhe një grua

Nov 2, 2025 | 19:19

Grabitja e bizhuterive muajin e kaluar në Muzeun e Luvrit në Paris nuk ishte vepër e një organizate të mirëstrukturuar kriminale, por e disa kriminelëve të zakonshëm, ka deklaruar prokurorja e Parisit, Laure Beccuau.

Luver

“Nuk bëhet fjalë për delikuencë të përditshme… por është një lloj kriminaliteti që zakonisht nuk e lidhim me nivelet e larta të krimit të organizuar,” tha Beccuau për radion franceinfo.

Ajo sqaroi se katër personat e arrestuar dhe të akuzuar deri tani për vjedhjen që tronditi Francën dhe botën janë banorë lokalë nga Seine-Saint-Denis, një zonë e varfër në veri të Parisit.

Më 19 tetor, nga muzeu më i vizituar në botë u vodhën bizhuteri me vlerë 88 milionë euro. Sipas Beccuau, katër të arrestuarit, tre burra dhe një grua, “jetojnë të gjithë, më shumë a më pak, në Seine-Saint-Denis”.

Dy prej burrave të dyshuar janë persona të njohur për policinë, pasi kanë disa dënime të mëparshme për vjedhje.

Të shtunën, një grua 38-vjeçare u akuzua për bashkëpunim në vjedhje të organizuar dhe komplot kriminal me qëllim kryerjen e një krimi. Një burrë 37-vjeçar, i arrestuar më vete, u akuzua për vjedhje dhe komplot kriminal.

Të dy kanë mohuar çdo përfshirje në ngjarje. Prokurorja shtoi se ata janë në një lidhje dhe kanë fëmijë së bashku, pa dhënë hollësi të tjera.

Dy burra të tjerë të arrestuar më herët janë tashmë të akuzuar për vjedhje dhe komplot kriminal, pasi sipas autoriteteve “kanë pranuar pjesërisht” përfshirjen e tyre në grabitje. Hetuesit besojnë se katër persona morën pjesë në vjedhjen e zhvilluar në mes të ditës, ndërsa njëri prej tyre vijon të jetë në arrati.

stoli luver grabitje  (6)

Tre persona të tjerë, të ndaluar në fillim të javës, janë liruar pa akuza.

Sipas Beccuau, më 19 tetor, autorët mbërritën në orën 09:30 me orën lokale, menjëherë pas hapjes së muzeut për vizitorët. Ata përdorën një vinç mekanik të vjedhur për t’u ngjitur në Galerinë e Apolonit (Galerie d’Apollon) përmes një ballkoni pranë lumit Senë. Më pas, përdorën një prerëse metalike për të çarë vitrinat ku ekspozoheshin bizhuteritë.

Prokuroria theksoi se hajdutët qëndruan brenda vetëm katër minuta, duke u larguar në orën 09:38 me dy motorrë që i prisnin jashtë, përpara se të ndërronin mjetet dhe të arratiseshin me makina.

Një nga objektet e vjedhura, një kurorë, u rrëzua gjatë arratisjes, ndërsa shtatë bizhuteri të tjera ende nuk janë gjetur. Autoritetet dyshojnë se mund të jenë trafikuar jashtë vendit, por prokurorja Beccuau tha se “ende ka shpresë që ato të rikuperohen të paprekura”.

Pas ngjarjes, masat e sigurisë janë forcuar në të gjitha institucionet kulturore të Francës. Muzeu i Luvrit ka zhvendosur disa nga bizhuteritë e tij më të çmuara në Bankën e Francës për ruajtje të sigurt.

Bizhuteritë e vjedhura

Kurorë nga seti i bizhuterive të mbretëreshës Maria Amalia dhe mbretëreshës Hortense

louvre kurore stolite grabitja (8)

Gjerdani nga seti i safirëve të Mbretëreshës Maria Amalia dhe Mbretëreshës Hortense:

louvre kurore stolite grabitja (7)

Vathë nga seti me safirë i Mbretëreshës Maria Amalia dhe Mbretëreshës Hortense

louvre kurore stolite grabitja (6)

Varëse smeraldi nga koleksioni i perandoreshës Maria Luiza

louvre kurore stolite grabitja (5)

Një palë vathë smeraldi nga i njëjti set

louvre kurore stolite grabitja (1)

Karficë me relike 

louvre kurore stolite grabitja (4)

Kurora e perandoreshës Eugenia

louvre kurore stolite grabitja (3)

Karficë në formë fjongoje e perandoreshës Eugenia, një objekt unik me 2,634 diamantë, i blerë nga Luvri në vitin 2008 për 6.72 milionë euro, pasi kishte qenë më parë në një koleksion privat në SHBA.

louvre kurore stolite grabitja (2)

© Panorama.al

Te lidhura