Grabitja e bankës, policia: Autorët drejt identifikimit

Apr 28, 2011 | 10:19

VLORE- Grabitja e 700 milionë lekëve në bankën ProCredit mbetet ende pa autor, ndonëse policia bëri të ditur se qytetarët kanë dhënë detaje që mund të ndihmojnë në identifikimin e tyre. Policia e Vlorës ende nuk pohon zyrtarisht nëse janë identifikuar tre personat të cilët u futën të maskuar dhe nën kërcënimin e armës detyruan punonjësit t’i dorëzonin shumën e parave që ndodheshin në arkë. Hetimi ka vijuar në mënyrë intensive edhe ditën e djeshme, ku policia e Vlorës ka shoqëruar në ambientet e saj personat që shoqëroi edhe ditën e ngjarjes, duke i rimarrë ata në pyetje. Burime të policisë bënë të ditur se janë rimarrë në pyetje persona të dyshuar për grabitjen, të cilët kanë qenë kontingjentë të mëparshëm për vepra të ngjashme. Gjithashtu, janë shoqëruar edhe punonjës të bankës dhe pronarë lokalesh pranë ProCredit. Gjithashtu, edhe roja civil i bankës, por pasi u është marrë edhe një herë versioni i tyre për ngjarjen, janë lënë të lirë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se nga dëshmia e personave të shoqëruar, por edhe qytetarë të ndryshëm, ka të dhëna që mund të sigurojnë identifikimin e autorëve të ngjarjes. Gjithashtu po punohet për ekspertimin e videove të kamerave të sigurisë së bankës, të cilat kanë regjistruar ngjarjen e ndodhur në bankë. Në lidhje me sasinë e parave të vjedhura, blutë theksuan se ajo është 700 mijë lekë, por gjithsesi, kjo shumë është paraprake, pasi punonjësit e bankës ende nuk i kanë bërë bilancet për të përcaktuar shumën e saktë. Banka ProCredit u grabit mesditën e së martës, kur persona të maskuar dhe të armatosur u futën në bankë dhe kërcënuan punonjësit se do t’i qëllonin nëse do të kryenin veprime dhe rezistencë. Ata u zhdukën në kohë rekord, pasi morën të gjithë shumën e parave që ndodhej në arkë. Dyshohet se mund të jenë edhe banorë të zonës, të cilët pasi kanë kryer grabitjen, kanë hequr pak metra më tej maskat dhe janë futur pa u vënë re nga askush në njërën prej banesave të lagjes ku ndodhi ngjarja.                  q.b

© Panorama.al

Te lidhura