
Grabitet për herë të dytë brenda vitit arka e Çez në Tiranë, ku paguhen faturat e energjisë elektrike, por edhe të ujit të pijshëm. Në një hark kohor prej rreth një viti, i njëjti filial pagesash, që ndodhet pranë Shkollës së Baletit, te Rruga e Elbasanit në Tiranë, është sulmuar dy herë me armë dhe autorët nuk kanë dalë duarbosh. Në korrik të vitit të kaluar, personat e armatosur që po grabisnin paratë e mbledhura nga pagesat e faturave, plagosën me armë zjarri punonjësen e postës, Vjollca Tobli. Burime nga Policia thanë se edhe grabitja që ndodhi dje rreth orës 13:40, u krye në të njëjtën postë të ÇEZ, por fatmirësisht kësaj herë nuk pati persona të plagosur. Autorët, sipas grupit hetimor, kanë qenë të armatosur por të pamaskuar, vetëm me kapele në kokë dhe kanë arritur të vjedhin rreth 100 mijë lekë të rinj. Të dyshuarit, pasi kanë marrë paratë, kanë nxituar të largohen nëpër rrugicat e zonës, ndërsa policia është njoftuar nga punonjësja e pikës së grabitur. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e Komisariatit nr.1 dhe oficerë të seksionit të vjedhjeve me dhunë dhe armë. Nga dëshmitë e para mësohet se kanë qenë dy persona në moshë të re, të armatosur dhe me kapele në kokë që kanë kryer grabitjen, duke kërcënuar me pistoletë punonjësen e kësaj pike, e cila nuk ka bërë rezistencë, në mënyrë që të mos e pësonte si kolegia e saj, që mbeti e plagosur vitin e kaluar në të njëjtin vend. Sipas disa dëshmitarëve, autorët e ngjarjes janë rreth 1.60-1.65 m të gjatë, të veshur me bluze me mëngë të shkurtra dhe xhinse. Burimet thanë se, nisur nga këto përshkrime, kanë shoqëruar dy persona si të dyshuar, të cilët janë transportuar për t’u marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Gjithashtu, pritet që të shoqërohet edhe punonjësja e arkës, e cila është kërcënuar nga autorët, e cila përveçse do të dëshmojë rreth ngjarjes, do t’i kërkohet edhe nëse mundet të identifikojë personat e shoqëruar, nëse janë apo jo autorët. Rreth një vit më parë, kur e njëjta arkë pagesash u grabit, pati edhe një reagim nga ÇEZ, duke qenë se u rrezikua edhe jeta e punonjëses Vjollca Tobli. Me atë të një njoftimi për shtyp, ÇEZ shprehej se këto akte kriminale më shumë se sulme kundër punonjësve, janë sulme kundër investitorëve të huaj dhe u bënte thirrje autoriteteve të rendit dhe klientëve për mbështetje.
Vodhi kasafortën, sërish në pranga Markelian Cungu
TIRANE – Përfundon sërish në pranga 15-vjeçari i ndaluar për një seri vjedhjesh në Tiranë, Markelian Cungu. Ai është riarrestuar për të njëjtën ngjarje për të cilën u ndalua dhe u la i lirë rreth 4 muaj më parë, por u lirua nga Gjykata e Apelit në Tiranë. Cungu akuzohet se është autor i grabitjes së një kasaforte me rreth 45 milionë lekë të vjetër, të një firme private, në afërsi të tregut “5 Maji”, në bashkëpunim edhe me Marildo Merjan e Oltion Nazarin, të cilët ndodhet në burg për të njëjtën akuzë. Arrestimi i 15-vjeçarit u krye nga efektivat e Komisariatit Nr.4, duke ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë. Burimet sqaruan se janë siguruar provat e nevojshme dhe dëshmi që vërtetojnë autorësinë e Cungut në grabitjen, për të cilën ai u arrestua dhe u lirua rreth 5 muaj më parë.
ETLEVA DELIA











