Grabitet kazinoja në mes të Shkodrës

Oct 10, 2011 | 10:36
Kazinoja e grabitur në Shkodër

Grabitet kazinoja me armë e maska, në momentin kur brenda saj lejohej vetëm personeli pasi nxirreshin paratë nga bankomati. Burime të Policisë së Shkodrës bënë të ditur se ngjarja ndodhi dje, rreth orës 06:30 në qendër të qytetit, në afërsi të sheshit “2 Prilli”. Grabitësi, pasi ka hyrë i vetëm në kazino, nën kërcënimin e armës ka lënë të shtangur të gjithë personelin, duke marrë paratë dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Nga hetimet dhe të dhënat e punonjësve të kazinosë, dyshohet që shuma e grabitur të jetë rreth 1 milion lekë të rinj. Policia bëri të ditur se pas sinjalizimit të dhënë është vënë në kërkim të autorit, por deri në orët e mbrëmjes arrestimi i tij nuk ishte bërë i mundur. “Grabitësi ka qenë i maskuar me një kapuç dhe i armatosur me një armë zjarri “Pistoletë”. Ai është futur i vetëm në kazinonë ‘APEX’ dhe, pasi ka marrë shumën e parave, është larguar”, bënë të ditur burime nga grupi i hetimit. Dyshohet se personi i cili ka kryer grabitjen, të ketë pasur informacione të bollshme në lidhje me orarin e veprimeve të punonjësve në ambientet e brendshme të kazinosë, si dhe të rojeve. Policia bëri të ditur se nga veprimet e deritanishme mendohet se jo rastësisht autori ka zgjedhur atë orar, pasi përkon me kohën kur kazinoja është pushim për klientët e saj nga ora 06:00-07:00. Gjatë kësaj kohe, nxirren paratë nga bankomatet dhe përgatiten për t’u dorëzuar. Njëkohësisht, gjatë këtij orari, në ambientet e kazinosë nuk lejohet të hyjë asnjë klient me përjashtim të personelit që nxjerr paratë dhe bën dorëzimin e tyre. Në të njëjtin orar bëhet edhe ndërrimi i turneve, si të personelit, ashtu edhe të rojeve të sigurisë. Bazuar në dëshminë e personave që janë ndodhur në atë moment brenda kazinosë, personi i cili ka kryer grabitjen ka hyrë me shpejtësi dhe, nën kërcënimin e armës, u ka kërkuar atyre që t’u dorëzonte të gjitha paratë e grumbulluara gjatë 24 orëve të fundit. Të gjendur në këto kushte, ata janë detyruar të dorëzojnë paratë pa pasur asnjë mundësi veprimi. Sipas tyre, ai është larguar më pas me shpejtësi në këmbë në drejtim të lagjes “Parrucë”. Burime të Policisë së Shkodrës bënë të ditur se nga hetimet e para, në kazino janë vjedhur rreth 1 milion lekë. Personat që ndodheshin në ato momente në kazino, i kanë pohuar policisë, gjatë marrjes në pyetje, se autori i grabitjes ishte i maskuar, me trup të hollë dhe të gjatë.

SHOQERIMET
Pas largimit të autorit, blutë mbërritën në vend dhe nisën hetimet. Personeli i kazinosë u shoqërua dhe dha dëshmitë në polici, por ende nuk ka të arrestuar dhe nuk konfirmohet nëse ndonjëri prej tyre është i implikuar

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura