
Një tregtar floriri u qëllua për vdekje mbrëmjen e djeshme në Tiranë, gjatë përleshjes me grabitësin që e kërcënonte me armë për t’i marrë paratë dhe bizhuteritë që kishte në dyqan. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, në rrugën “Ferit Xhajko”, në anë të Unazës, vetëm disa metra larg Stacionit të Trenit. Viktima Rrapo Sinanaj, 61 vjeç, ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi është qëlluar me një plumb në ballë. Në përleshje e sipër, për shkak të rezistencës, autori i ngjarjes e qëlloi 61-vjeçarin me pistoletë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat të shumta nga policia për shkak edhe të zonës mjaft të populluar ku ndodhi ngjarja dhe fluksit të lëvizjes së makinave. Sipas burimeve nga grupi hetimor, vrasja është kryer për shkak të rezistencës që ka bërë pronari i argjendarisë, i cili nuk i është bindur kërcënimit të autorit për të dorëzuar paratë dhe mallin. Dyshohet se autori i ngjarjes ka vepruar i vetëm dhe pas krimit ka lëvizur më këmbë nëpër rrugicat rreth zonës ku ndodhi ngjarja. Pavarësisht se zona është e populluar, burime nga Policia thanë se nuk ka shumë dëshmitarë që kanë arritur të shohin momentin e ngjarjes dhe mund të arrijnë të identifikojnë autorin. Pasi për shkak të fluksit të lëvizjes së automjeteve, autori ka arritur të manovrojë dhe të “zhduket” me shpejtësi nga vendi i krimit. Megjithatë, grupi hetimor ka pyetur disa persona që kanë bizneset e tyre pranë dhe përballë argjendarisë që kishte me qira viktima Rrapo Sinanaj, të cilët kanë dhënë disa përshkrime për autorin. Për disa minuta, një grup ekspertësh ka verifikuar kamerat e sigurisë së dyqanit, të cilat kanë rezultuar të kenë qenë të fikura, pasi sistemi i sigurisë kishte pësuar një defekt para disa ditësh.
Vrasja
Një person rreth të tridhjetave, ende i paidentifikuar, me pistoletë dhe i maskuar, është futur në një argjendari në rrugën “Ferit Xhajko” në Tiranë, me qëllim grabitjen e saj. Në momentin kur grabitësi është futur brenda, në dyqan ndodhej vetëm pronari i saj, Rrapo Sinanaj. Nisur nga dëshmitë e siguruara nga grupi hetimor, autori i ka drejtuar armën 61-vjeçarit Sinanaj, që ndodhej në pjesën e pasme të banakut, dhe e ka kërcënuar, sipas të dhënave, për t’i dhënë paratë dhe bizhuteritë e floririt që ndodheshin në banak. Por, pronari nuk është bindur nga kërcënimi dhe ka kundërshtuar që t’i dorëzojë ato që grabitësi kërkonte. Në këtë moment, i dyshuari ka kapërcyer banakun, në vendin ku ndodhej pronari, që ta kryente vetë vjedhjen për të cilën ishte nisur, por është kundërshtuar sërish nga Sinanaj dhe ka nisur përleshja mes tyre. Momenti fatal, sipas burimeve nga grupi hetimor, është koha kur argjendari i ka hequr maskën nga koka grabitësit, në mënyrë që ta identifikonte. Por, për shkak të heqjes së maskës, autori e ka shkrepur pistoletën duke e goditur 62-vjeçarin me një plumb në ballë. Pronari ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa autori ka arritur të largohet me nxitim, duke lëvizur më këmbë nëpër rrugicat e zonës.
Dëshmitari: Autori ishte rreth 30 vjeç
Një i moshuar, i cili banon përballë argjendarisë ku u vra Rrapo Sinanaj, nuk preferoi të identifikohej, por tha mbrëmë se e ka parë të gjithë skenën se si ka ndodhur ngjarja. Dëshmitari u shpreh se çdo ditë e pinte kafen te lokali përballë argjendarisë me Sinanajn dhe ajo që i ndodhi mikut të tij duhet të zbardhet sa më shpejt nga policia dhe autori të marrë dënimin e merituar. “Doja, nuk doja, unë rastësisht isha përballë argjendarisë dhe arrita të shoh se çfarë ndodhi, edhe pse në momentin kur autori ndodhej brenda nuk po e kuptoja se çfarë po bëhej aty. Pashë që Rapo u përlesh me të, pasi ai kishte një pistoletë në dorë dhe kapërceu nga ana tjetër e banakut. Më pas dëgjova një krismë të vetme dhe autori doli me nxitim nga dyqani. Mund të them se nga paraqitja ishte rreth 30 vjeç, rreth 1.75-1.80 metra i gjatë, i veshur me xhinse dhe xhup të zi. U largua me vrap dhe pistoletën e kishte ende në dorë. Eci me vrap përgjatë trotuarit në drejtim të Stacionit të Trenit, më pas u fut në një rrugicë që ndodhet përballë Rrugës së Barrikadave”, u shpreh mbrëmë një prej dëshmitarëve të ngjarjes.
Rama: Krimi e qeveria po bëjnë kërdinë
Ngjarja e ndodhur mbrëmë në Tiranë ku mbeti i vrarë pronari i një argjendarie, ka shkaktuar edhe reagimin e kryetarit të PS, Edi Rama. Disa orë pas krimit të rëndë, Edi Rama ka shkruar në faqen e tij në Twitter: Grabitje me vjedhje në argjendari? E pa ndodhur në Shqipërinë ku krimi po bën kërdinë teksa qeveria s’ka nge, se ka kërdinë e saj për të bërë!
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











