Politikani dhe shkrimtari i njohur, Sabri Godo, del hapur në krah të Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës. Në emisionin “Fakt”, të gazetarit Çlirim Peka, në UTV, Godo ka shpjeguar pse ka ardhur koha e Bashës.
A duhet të kandidonte Edi Rama në Tiranë, pasi ai drejton edhe opozitën?
Rama duhet të heqë dorë nga Tirana. Unë them se me të vërtetë janë krijuar probleme në Tiranë, të cilat kërkojnë zgjidhje. Janë arkitektët, ambientalistët që i kanë vënë më në dukje më mirë se unë se ku qëndrojnë problemet. Tirana ka probleme urbanistike që janë të rënda sot dhe që do të vijnë duke u bërë më të vështira në vitet që vijnë, në rast se nuk u dilet punëve përpara. Më duket se Rama nuk ka mundësi ta përballojë këtë edhe për shkak të ngatërresës që i ka bërë vetes me funksionet politike. Tani nuk dihet sa për qind është kryetar Bashkie dhe sa për qind është kryetar i PS-së. Secila nga këto dy funksione, veç e veç, do të kërkonte inpenjimin e plotë të një njeriu të aftë. Nëse i merr të dyja funksionet bashkë një njeri i vetëm, mua më duket se ai ngre një peshë më shumë se çdo burrë mund të mbajë. Qoftë edhe vetëm për këtë arsye, ai duhet të thotë mjaft me Tiranën se i bëri tre mandate. Tani nuk kemi nge ta hedhim vallen sipas daulles së Edi Ramës. Unë besoj se qytetarët e Tiranës kaq gjë e dinë. Ata duhet të shikojnë për veten e tyre si bëhet më mirë. Bindja ime e plotë është se më mirë bëhet me Lul Bashën.
Pse?
Tani unë nuk dua të numëroj gjithë ato gjëra që janë të njohura. Të kthehemi një çikë më përpara, se ka qenë tri herë ministër. Në Transport, në Ministrinë e Jashtme, në Ministrinë e Brendshme. Basha ka qenë një ministër i suksesshëm. Ai çoi përpara rrugën që ishte objektivi i parë i Transportit, rrugën Durrës-Kukës, e çoi përpara. Si ministër i Jashtëm, unë zakonisht nuk përdor kësi termash, por kësaj here them që vërtet shkëlqeu. Ndërtoi një punë mjaft të dobishme për integrimin e Shqipërisë. Mund ta them me plot gojën edhe pse do t’u ngelë pak qejfi ministrave të mëparshëm, se ky punën si ministër i Jashtëm e bëri më mirë se të gjithë. Kishte edhe një përgatitje për këtë. Punoi për një kohë të gjatë me këto organizmat ndërkombëtarë në Kosovë, domethënë kishte një përvojë. Kishte kulturën e duhur politike, bindjen e duhur dhe inteligjencën për ta çuar përpara Ministrinë e Jashtme. Tani si ministër i Brendshëm. Unë shikoj një polici që është e gatshme të jetë brenda 20 minutave e pranishme në vendin e krimit; unë shikoj që ka një organizim në pikat kufitare, që e kanë vlerësuar dhe të huajt dhe ka qenë një nga kushtet për vizat dhe ecjen në rrugën e integrimit. Unë shikoj që kudo ku ka shkuar ky njeri ka sjellë ndryshime pozitive dhe një njeri që ka përvojën administrative të tri dikastereve për të cilat ka nevojë një kryetar bashkie, se i takon në plan lokal të lidhet me secilën, qoftë me rendin, qoftë me infrastrukturën etj., etj., ka përgatitjen e duhur për t’i zgjidhur këto probleme në miniaturë në Tiranë.
Ju u shprehët qartë se jeni për Lulzim Bashën për të drejtuar Bashkinë e Tiranës. Mediat kanë publikuar se bashkëshortja e zotit Lulzim Basha ka lënë shtetësinë shqiptare para pak kohësh?
Unë, këtë Aurelën, të shoqen e Lulzim Bashës, e kam njohur personalisht që 15 vite më parë, që në kohën kur ishte ende çupë e re, që u fejua. Unë e pyeta ku e kishte burrin dhe ajo më tha se punon në Kosovë. Që në atë kohë e kam njohur si një vajzë shumë të shkathët, shumë të dashur, inteligjente, që punonte me holandezët. Me sa di unë, kjo puna e nënshtetësisë është një spekulim në të vërtetë. Në atë kohë ajo kishte blerë një shtëpi në Holandë, por ai vend ka ligje, nuk është si ne, që mund të ndërtosh si të duash dhe të bësh si të duash, dhe ta kthesh oxhakun nga të duash. Atje i thanë, që të blesh shtëpi këtu duhet nënshtetësia holandeze dhe ajo e mori nënshtetësinë holandeze. Dhe doli një ligj në vitin 2004 në Holandë, që thoshte se mund të marrësh nënshtetësi holandeze në rast se lë nënshtetësinë e vendit nga vjen. Unë rastësisht e bëra këtë bisedë, ajo e kishte këtë siklet në atë kohë, se është shqiptare, më duket se është vlonjate. Ajo e ka për gjë të madhe të afirmohet në çdo çast, është një flamurtare e kombit përsa i takon. Kjo është një ngjarje e vjetër më duket, e ’91-’92-shit. Tani ajo do ta rimarrë nënshtetësinë shqiptare dhe do të venë prapë ta pyesin gazetarët pse e bëre. Në rast se do të merremi tani të gërmojmë se sa qoshe ka në shtëpi Lul Basha, pa parë se ç’do të bëjë Lul Basha për Tiranën, neve merremi, për fat të keq, me gjëra të kota duke lënë atë që është kryesore.
Në mënyrë figurative, ju jeni pjesë e ekipit të Lul Bashës?
Do të më bëhej qejfi po të më thërriste dhe, kur të vijë në lagjen time, unë do ta pres. I kam zët manifestimet, nuk kam moshë për manifestime, por për Lulin do të bëj një farë mundimi. Nëse do të dojë ndihmën time.
Ju jeni i gatshëm ta prisni zotin Basha në rast se do të vijë te lagjja juaj?
Po. Një gjë është e sigurt: nëse gruaja ime më parë kishte votuar për Ramën, kësaj radhe do ta bëjë pa hezitim për zotin Basha. Vajzat e mia, nipat e mi, e gjithë familja ime do ta votojnë. Këtë i garantoj Lulit. Dhe do t’u them ndonjë fjalë edhe fqinjëve të mi, se shiko se po na troket fati në derë, kemi përpara një njeri që me të vërtetë do ta pastrojë më mirë Tiranën, do ta mbajë më mirë, do të na hapë perspektiva për më tej. Kaq i garantoj, nuk mund të bëj më tepër. Po të kisha para, do t’i jepja për fushatë.











