Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, ka marrë një “grusht” të ri të hënën, kur një prej deputetëve të besuar të partisë së tij, PASOK, dorëzoi mandatin për të kundërshtuar masat e kursimit të propozuara nga vetë kreu i partisë së tij. Deputeti i partisë në pushtet ka dorëzuar mandatin e tij, duke i dhënë një tjetër goditje përpjekjeve të Kryeministrit Papandreu për të marrë aprovimin e masave jopopullore të kursimit. Edhe pse dorëheqja e deputetit nuk ndryshon shumicën, ajo është një tregues negativ për masat e Papandreut. Greqia po goditet nga greva e përgjithshme 48-orëshe, e cila koincidon me votimin e paketës, një hap vendimtar për të marrë këstin e ri prej 8 miliardësh nga BE dhe FMN për të evituar falimentimin e shtetit. “Unë nuk mundem më të vazhdoj të votoj pa ditur se për çfarë po votoj … të votoj për masa të padrejta dhe jopopullore nën kërcënimin se do të rrëzohet qeveria”, tha deputeti i PASOK, Tomas Robopoulos, në letrën e dorëheqjes për Kryeministrin. Papandreu pak më parë kishte bërë thirrje për unitet, duke vlerësuar se këto ishin kohë kritike përpara Samitit të së dielës, ku liderët europianë po takohen për të gjetur një zgjidhje për krizën e borxhit grek që po trondit eurozonën. “Kjo mund të jetë java më thelbësore për Greqinë dhe Europën”, tha Papandreu në një takim me Presidentin grek, Karolos Papulias. “Është shumë e rëndësishme që nga ana jonë, si klasë politike greke të tregojmë një sens uniteti dhe përgjegjësie”, shtoi ai. Dy unionet më të mëdha të Greqisë që përfaqësojnë rreth gjysmën e katër milionë punëtorëve të Greqisë, po përgatiten për një nga protestat më të mëdha që kur nisi kriza, dy vjet më parë, me greva që do të prekin sektorin e furnizimit me ushqim dhe karburant, do të shkëpusin transportin dhe do të lënë spitalet me një ministaf. Greva është parashikuar për të mërkurën dhe të enjten, që koincidon me votimin në Parlament të paketës së re të ashpër të kursimit, e cila pritet të bëhet në dy faza. Incidente sporadike, si pjesë të protestave kundër masave të qeverisë greke, u regjistruan edhe të hënën. Me gjithë protestat e të gjitha formave, Papandreu është zotuar të vazhdojë përpara me reformat e tij të ashpra për të thyer deficitet e vendit, të cilat përfshijnë rritje të mëtejshme të taksave dhe shkurtime të pensioneve, rritje të papunësisë dhe ndryshime kolektive të sistemit të pagave. E ngecur në një recesion të thellë dhe e goditur nga një borxh i barabartë me 162 për qind të GDP-së së vendit, Greqia është “përjashtuar” nga tregjet e bonove dhe do të mbetet pa para brenda pak javëve, nëse nuk merr mbështetjen ndërkombëtare.
Frenat e Merkel
Deklarata e ardhur nga qeveria gjermane, tek e cila janë varur të gjitha shpresat e zgjidhjes së problemeve të eurozonës, ka shkaktuar mbylljen negative të bursave. Qeveria gjermane, në një deklaratë që u duk se i hodhi ende benzinë zjarrit, tha se nuk mund të pritet të zgjidhen të gjitha problemet në Samitin e së dielës, i cili ishte parashikuar si vendimtar për eurozonën dhe vendet e zhytura në borxhe, dhe ishte parashikuar si një lloj ultimatumi i vënë nga Banka Botërore. Gjermania nuk pret “zgjidhjen e të gjitha problemeve” nga bisedimet në Bruksel. Ato janë vetëm një “hap i rëndësishëm”, tha një zëdhënës i qeverisë në Berlin, Stefen Seibert.











