Goditje horror, Ujkani thyen katër dhëmbë

Oct 17, 2011 | 11:50
Ujkani pas përplasjes

Portieri i Kombëtares shqiptare, Samir Ujkani, u dëmtua rëndë dje gjatë ndeshjes së Novarës me Bolonjën në kampionatin italian, duke thyer katër dhëmbë e duke përfunduar në spital. Një fytyrë e larë në gjak dhe katër dhëmbë të thyer. Ky është portreti i portierit shqiptar të Novarës, Samir Ujkani, në minutën e 39-të të ndeshjes kundër Bolonjës. Gardiani i Kombëtares sonë u detyrua të lërë lojën, pas goditjes së tmerrshme në hundë dhe mollëz, për t’u zëvendësuar nga Alberto Fontana, pikërisht kur loja ishte 0-0. Gjithçka ndodhi pas një krosimi nga e djathta dhe një daljeje të portierit tonë, i cili u përplas ashpër me shokun e tij të skuadrës, Morganela. Ujkani doli me barrelë nga fusha, nën duartrokitjet e tifozëve të pranishëm në “Silvio Piola”, ndërkohë që portieri shqiptari mbante duart në fytyrë. Pamjet e dhëna e ridhëna disa herë nga mediat italiane tregonin sesi fluturoi të paktën një dhëmb i portierit në momentin kur ndodhi përplasja. Samiri u përcoll menjëherë me autoambulancë për të kryer një operacion urgjent në spitalin e qytetit të Novarës. Sipas mediave italiane, gjendja e lojtarit është e qëndrueshme, por ende nuk dihet sesa do të qëndrojë jashtë fushave portieri shqiptar, të cilit ndoshta do t’i duhet të mbajë edhe një maskë ashtu siç ndodhi edhe me Erjon Bogdanin, disa kohë më parë. Sakaq, kjo shihet edhe si një goditje për Novarën, skuadër kjo që e konsideronte Ujkanin si një nga lojtarët e formacionit bazë. Për sa i përket takimit, edhe pse bëri lojën dhe pati disa raste, Novara humbi 2-0 me Bolonjën (shënuan Ramirez dhe Akuafreska), ndërsa Çezena e Bogdanit (i dëmtuar) barazoi 0-0 me Fiorentinën, me rumunin Adrian Mutu të ndëshkuar me karton të kuq. Ndërkohë, pas këtij dëmtimi, me gjasa, lojtari nuk do të jetë pjesë e Kombëtares as për dy ndeshjet miqësore të muajit nëntor ndaj Azerbajxhanit, më 11, dhe Maqedonisë, më 15 nëntor.

LEONRAD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura