Regjimi mjekësor “jashtëzakonisht i kërkuar” që nevojitet për kujdesin 24 orë në ditë ndaj Mikael Shumakerit është bërë publik gjatë gjyqit ndaj pilotit australian Xhoi Mouson, i akuzuar për përdhunimin e një infermiereje në rezidencën zvicerane të ish-kampionit të Formula 1.
Sipas akuzës, më 23 nëntor 2019 infermierja u zgjua me njolla gjaku në çarçafë pasi dyshohet se ishte përdhunuar dy herë nga Mouson, i cili në atë kohë ishte mik i afërt i Mik Shumakerit, djalit të legjendës gjermane.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se në shtrat u gjetën gjurmë gjaku, ndërsa infermierja kishte lëndime që përputheshin me përdorimin e forcës fizike për ta imobilizuar.
Ndër provat e paraqitura në gjykatë janë edhe mesazhet që Mouson i dërgoi infermieres pas incidentit. Në një prej tyre ai shkruante: “Më vjen shumë keq. Më vjen keq për dhimbjen që po të shkaktoj”. Piloti australian ka pranuar se nuk e kishte kuptuar shkallën e dehjes së gruas në momentin e ngjarjes. “Nuk e kuptova sa e dehur ishte. Vetëm mëngjesin tjetër e kuptova gjendjen e saj”, deklaroi ai.
REGJIMI MJEKËSOR I SHUMAKERIT – Gjatë procesit gjyqësor dolën në dritë edhe detaje të reja mbi kujdesin intensiv që i ofrohet Mikael Shumaker, i cili pësoi aksidentin tragjik gjatë skijimit në vitin 2013. Avokati i infermieres përshkroi ngarkesën e madhe fizike dhe emocionale që kërkonte puna e saj në kujdesin e përhershëm të shtatë herë kampionit të botës. “Është një punë jashtëzakonisht e vështirë, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht”, u shpreh avokati. Ai theksoi gjithashtu presionin që krijon privatësia e rreptë që rrethon familjen Shumaker.
“Ka një heshtje të plotë rreth kësaj familjeje. Është e kuptueshme, por për punonjësit, të cilëve nuk u lejohet të flasin as me miqtë e tyre për jetën e përditshme, presioni është i jashtëzakonshëm”, shtoi ai. Sipas avokatit, infermierja kryente detyrat më të vështira dhe ishte një nga personat më të besuar të ekipit mjekësor.
“Ajo ndërhynte sa herë kishte mungesë personeli dhe mbulonte çdo nevojë. Kjo nuk është një punë e zakonshme. Ka pafund artikuj dhe spekulime mbi gjendjen e Mikael Shumakerit. Është një barrë e madhe, por ajo e përballonte në mënyrë të shkëlqyer. Edhe vetë familja Shumaker e konsideronte punën e saj të përsosur”, deklaroi avokati. Gjatë gjyqit u zbulua gjithashtu se infermierja u pushua nga puna rreth një vit më vonë nga ekipi mjekësor i Shumakerit, në një çështje që nuk kishte lidhje me akuzat për përdhunim. “Ishte një goditje e dyfishtë. Së pari u përdhunua dhe më pas u largua padrejtësisht nga puna”, deklaroi avokati i saj.
XHOI MOUSON SHPALLET I PAFAJSHËM – Ish-piloti australian është shpallur i pafajshëm nga gjykata zvicerane për akuzat se kishte përdhunuar një infermiere të Mikael Shumakerit. Mouson ka këmbëngulur se marrëdhënia kishte qenë me pëlqim të ndërsjellë. Gjykata vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta dënuar. Asnjë anëtar i familjes Shumaker nuk ishte i përfshirë në procesin gjyqësor apo i akuzuar për ndonjë shkelje.
© Panorama.al












