Gjykata Speciale në Hagë dënon me burg tre ish-luftëtarë të UÇK-së, ja për çfarë akuzohen

Feb 4, 2025 | 16:37

Gjykata Speciale në Hagë ka dënuar me tri vjet burgim Haxhi Shalën, dhe me nga dy vjet burgim, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtjarin.

Screenshot_1

Trupi gjykues ka vendosur që të miratojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë për tre të akuzuarit, ish ushtare te UÇK, lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me pengim të drejtësisë.

Në marrëveshjen mes prokurorisë dhe të akuzuarve për zhdëmtimin e viktimave, palët kanë rënë dakord që Haxhi Shala t’i paguajë 400 euro, Januzi 100, ndërsa Bahtjari asnjë cent.

Edhe marrëveshja për zhdëmtimin e viktimave është pranuar nga Gjykata, ku u është dhënë kohë deri të mërkurën.

Secili prej të akuzuarve pranoi se ishte pjesë e një grupi që tentoi të nxiste një person që të mos jepte dëshmi para Dhomave të Specializuara përmes premtimit të një përfitimi.

Konkretisht, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari – me udhëzim të Haxhi Shalës – kontaktuan personin në shtëpinë e tij, përkatësisht më 5 dhe 12 prill 2023.

“Në bazë të marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, Trupi Gjykues shqiptoi gjithashtu dënime kundër z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari si vijon: • Haxhi Shala u dënua me 3 vjet burgim. • Sabit Januzi u dënua me 2 vjet burgim. • Ismet Bahtijari u dënua me 2 vjet burgim. Trupi Gjykues zbriti nga dënimet e dhëna kohën e kaluar në paraburgim që prej arrestimit të të akuzuarve”, thuhet në njoftim.

Bahtijari dhe Januzi u arrestuan në tetor 2023, ndërsa Shala në dhjetor 2023. Koha e kaluar në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë prej atëherë, do t’iu llogaritet në vuajtjen e dënimit.

© Panorama.al

Te lidhura