Gjykata: Liri me kusht për Altin Lamajn

Oct 8, 2011 | 12:08

TIRANE – Gjykata e Tiranës në një njoftim shtypi deklaroi dje se ka pranuar kërkesën e të dënuarit Altin Lamaj për “lirim me kusht” nga burgu. Lamaj qëndronte në burg pas një vendimi të Gjykatës së Tiranës të korrikut 2010, sipas të cilit ai ishte dënuar me 14 vjet e 8 muaj burg. Për shkak se ky vendim është shpallur pas rigjykimit të dosjes ndaj Lamajt, ai e kishte kryer kohën më të madhe të qëndrimit në qeli. Pas disa seancash gjyqësore, gjykata vendosi lirimin e tij nga qelia për pjesën e mbetur të dënimit 2 vjet, 10 muaj e 3 ditë. Sipas Gjykatës, vuajtja e dënimit ka nisur më 20 nëntor 2003. “Gjykata vendosi lirimin me kusht të kërkuesit (të dënuarit), Altin Lamaj, duke urdhëruar pezullimin e ekzekutimit të mëtejshëm të dënimit të mbetur prej 2 vjet, 10 muaj e 3 ditë burgim të dhënë me vendimin penal nr. 1044, datë 09.07.2010, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke e vënë të dënuarin në provë për një periudhë kohe prej 3 vjetësh, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale, dhe duke urdhëruar që gjatë kësaj kohe të mbajë kontakte të vazhdueshme me Shërbimin e Provës Tiranë”, thuhej në diapozitivin e vendimit të Gjykatës. Në të njëjtin vendim, Gjykata urdhëronte lirimin e menjëhershëm të kërkuesit Lamaj nga Institucioni i Ekzekutimit të Veprave Penale nr.327 i Tiranës, në rast se ai nuk mbahej për ndonjë vepër tjetër penale, apo mase sigurimi personal “arrest me burg”. Lamaj ishte deklaruar i fajshëm një vit më parë për disa vepra, si autor i disa ngjarjeve në janar të vitit 2000.

© Panorama.al

Te lidhura