POGRADEC- Gjykata e Pogradecit la dje në burg babain, i cili vrau me sëpatë pak ditë më parë djalin e tij 33-vjeçar, gjatë një grindjeje. 72-vjeçari Njazi Kromollari u akuzua për vrasjen e djalit të tij Kudret Kromollari. Në seancën gjyqësore për vlerësim mase sigurie, akuza kërkoi qëndrimin në burg për të moshuarin, duke e cilësuar vrasjen e djalit të tij si një krim me dashje. Mbrojtja pretendoi se 72-vjeçari e kishte kryer krimin në kushtet e tronditjes psikike, për shkak të keqtrajtimit të vazhdueshëm fizik e psikologjik nga ana e viktimës. Njazi Kromollari, nga fshati Vërdovë i rrethit të Pogradecit, pak ditë më parë vrau duke qëlluar me sëpatë djalin e tij, Kudret Kromollari. Viktima ishte i martuar, priste edhe një fëmijë nga bashkëshortja e tij. Nga hetimet e Policisë për këtë ngjarje, ka rezultuar se babë e bir kishin konflikt të vazhdueshëm mes tyre për shkak të dhunës që ushtronte në familje 33-vjeçari, sidomos kur ndodhej në gjendje të dehur. Pikërisht në një situatë të tillë, kur kishte konsumuar pije alkoolike, ai është konfliktuar për herë të fundit me babain e tij dhe ka tentuar ta qëllojë me sëpatë, por ka qenë i ati që reagoi për vetëmbrojtje, duke e vrarë atë. Edhe gjatë marrjes në pyetje, në polici i moshuari ka pohuar se e kishte kryer krimin për vetëmbrojtje. dh.d











