Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pritet të jetë fizikisht i pranishëm në seancën e 31 tetorit në Gjykatën Kushtetuese, ku do të shqyrtohet kërkesa e tij për shfuqizimin e vendimit për shkarkimin nga detyra.
Moderatori Endri Xhafo, gjatë emisionit “Log.” në News24, ka deklaruar se nga një komunikimi me një prej avokatëve të Veliajt, ka mësuar se Veliaj pritet të marrë pjesë fizikisht në seancë.
“Sot kam komunikuar me një nga avokatët e zotit Veliaj, sepse ai ka një grup avokatësh që e ndihmojnë në këtë çështje. Më tha se Veliaj do të jetë i pranishëm në seancën e datës 31 tetor,” u shpreh Xhafo.
Ai sqaroi se pjesëmarrja e Veliajt në seancë është pjesë e një procesi të rregullt gjyqësor, dhe Gjykata Kushtetuese ka detyrimin ta sigurojë këtë praninë përmes bashkëpunimit me institucionet përkatëse.
“Është detyrim i Gjykatës Kushtetuese. Atë që ai e kërkoi në Këshillin Bashkiak dhe nuk ia dhanë, tani realizohet në mënyrë shumë praktike. Drejtoria e Burgjeve merr masat për transportin e personit të ndaluar me kërkesë të GJK,” shtoi Xhafo.
Kujtojmë se Veliaj ndodhet aktualisht nën masë sigurie, ndërsa po ndjek një betejë ligjore për të kundërshtuar shkarkimin e tij dhe për të bllokuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Tiranë.
© Panorama.al












