
Pretendimet e Emiliano Shullazit se pistoleta e gjetur pranë vendit ku u arrestua mbrëmjen e së martës nuk ishte e tij, nuk rezultuan bindëse për Gjykatën e Tiranës. Togat e zeza të kësaj Gjykate caktuan masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat, për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. E njëjta masë sigurie u caktua nga gjykata edhe për mikun e tij, të arrestuar në të njëjtin vend. Ndonëse i dyshuari Gilmando Dani pranoi para gjykatës pronësinë e pistoletës, ndaj tij u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”, për akuzën e “moskallëzimit të krimit” dhe të “dëshmisë së rreme”. Emiliano Shullazi dhe Gilmando Dani, pas arrestimit të të cilëve iu sekuestrua një pistoletë, një maskë e një makinë, u paraqitën dje para gjyqtarit të gatshëm në Gjykatën e Tiranës. Sipas prokurorit të çështjes, arma e sekuestruar në vendin ku u arrestuan Shullazi dhe Dani i përkiste të parit. Ndërkohë, para gjykatës Shullazi mohoi të ishte e tij arma, ndërsa Dani pranoi pronësinë e saj. Sipas Danit, armën e mbante me vete për vetëmbrojtje, për shkak të problemeve të tij personale. “Që në momentin që jemi arrestuar unë dhe Gilmando, jemi ndarë në dy makina policie të veçanta. Kur shkuam në rajon, shefi më tha: ‘Prapë me armë’. Tek arrestimi, kur një polic i nervozuar më drejtoi automatikun i thashë: ‘Ça ke o burrë! Jam unë, Emiliano Shullazi dhe nuk kam gjë me vete’. Ajo armë ka shenjë gishtash. Nuk kam si gënjej sy më sy. Unë këtu jam, nuk largohem. Edhe në 8 maj kështu ma bënë ‘burg pa afat’. Prokurori dhe gjykata nuk kishin si të më mbanin në burg, e pastaj më akuzuan për ‘armëmbajtje pa leje’, po unë prapë dola”, mësohet të jetë shprehur Shullazi para gjykatës. I dyshuari tjetër, Gilmandi Dani, ka pretenduar se arma e sekuestruar nga policia ishte pronë e tij. “Në kohën e marrjes në pyetje, e kam sqaruar oficerin që kam pistoletë. Kur e kam nxjerrë nga brezi, Emiliano ishte 2 metra larg dhe ishte me duart lart. Krehrin rezervë e kam në shtëpi. I thashë edhe prokurorit. Policia ka shkuar dhe e ka marrë. Kur i thashë shefit ‘është arma ime’, ai shkeli syrin e më tha ‘mirë, mirë, e di unë e kujt është’. Unë nuk marr përsipër armën e vëllait tim, e jo më të Emilianos. Unë kam hallet e mia. Edhe kur të dal do ta mbaj pistoletën se nuk më mbron as shefi i Policisë e asnjeri. Këta e bëjnë kastile që të më mbajnë brenda”, është shprehur ai nga kafazi i sallës së gjyqit.
ARMAN BAJRAMI











